Kreu 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28



Shkrimi i Shenjtë Online

Ungjilli sipas Matheut

Ungjilli sipas Markut

Ungjilli sipas Llukait

Ungjilli sipas Joanit

Veprat e Apostujve

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Romakëve


Letra e parë e Apostull Pavlit
drejtuar Korinthianëve


Letra e dytë e Apostull Pavlit
drejtuar Korinthianëve

Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Galatianëve


Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Efesianëve


Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Filipianëve


Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Kolosianëve


Letra e parë e Apostull Pavlit
drejtuar Thesalonikasve


Letra e dytë e Apostull Pavlit
drejtuar Thesalonikasve

Letra e parë e Apostull Pavlit
drejtuar Timotheut

Letra e dytë e Apostull Pavlit
drejtuar Timotheut


Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Titos


Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Filimonit


Letra e Apostull Pavlit
drejtuar Hebrenjve


Letra e përgjithshme
e Apostull Jakovit

Letra e parë e përgjithshme
e Apostull Pjetrit


Letra e dytë e përgjithshme
e Apostull Pjetrit

Letra e parë e përgjithshme
e Apostull Joanit


Letra e dytë e përgjithshme
e Apostull Joanit


Letra e tretë e përgjithshme
e Apostull Joanit


Letra e përgjithshme
e Apostull Judës


Zbulesa e Joan Teologut
(Apokalipsi)

 

Veprat e Apostujve 10

  1. Edhe ishte një njeri në Qesari që quhej Kornil, kryeqindësh prej repartit të ushtarëve që quhej Italian.
  2. Ky ishte besimtar dhe kishte frikë nga Perëndia bashkë me gjithë shtëpinë e tij, dhe bënte shumë lëmosha për popullin, dhe i lutej Perëndisë gjithnjë.
  3. Ky rreth orës së nëntë të ditës pa kthjellët në fanitje një engjëll të Perëndisë që hyri tek ai, e i tha: Kornil.
  4. Edhe kur hodhi sytë mbi të, e mori frika, dhe tha: Ç’është, o Zot? Edhe ai i tha atij: Faljet e tua dhe lëmoshat e tua u ngjitën për kujtim përpara Perëndisë.
  5. Edhe tani dërgo njerëz në Jopë, dhe thirr Simonin që përmbiemërohet Pjetër.
  6. Ky ka rënë tek njëfarë Simon lëkurëregjësi, i cili e ka shtëpinë pranë detit. Ky do të të flasë ç’duhet të bësh.
  7. Edhe si iku engjëlli që ishte duke i folur Kornilit, thirri dy nga shërbëtorët e tij, dhe një ushtar besnik nga ata që rrinin përherë pranë tij.
  8. Edhe si ua tregoi atyre të gjitha, i dërgoi në Jopë.
  9. Edhe të nesërmen, ndërsa ata ishin duke bërë udhë e po afroheshin në qytet, Pjetri u ngjit në dhomë të falet, afër orës së gjashtë.
  10. Edhe e mori uria dhe donte të hante; po kur po bënin gati, ra në ekstazë.
  11. Edhe sheh qiellin të hapur, dhe një enë duke zbritur mbi të si një pëlhurë e madhe, lidhur nga të katër cepat, e duke rënë mbi dhe.
  12. Brenda në të ishin gjithë shtazët e dheut katërkëmbëshe dhe bishat dhe zvarranikët dhe zogjtë e qiellit.
  13. Edhe erdhi një zë tek ai: Ngrihu, Pjetër, ther e ha.
  14. Po Pjetri tha: Qoftë larg, o Zot! Sepse kurrë s’kam ngrënë gjë të ndyrë a të ndotur.
  15. Po përsëri për së dyti erdhi një zë tek ai: Ato që ka pastruar Perëndia, ti mos i quaj të ndyra.
  16. Edhe kjo u bë tri herë; dhe përsëri ena u mor lart në qiell.
  17. Edhe ndërsa Pjetri ishte duke vrarë mendjen me veten e tij, vallë, ç’do të jetë ky vegim që pa, ja burrat, që ishin dërguar nga Kornili, pasi pyetën për shtëpinë e Simonit, arritën në portë,
  18. edhe duke thirrur pyetnin në ka rënë këtu Simoni që përmbiquhet Pjetër.
  19. Edhe ndërsa Pjetri ishte duke menduar për vegimin që pa, Shpirti i tha: Ja tek po të kërkojnë tre burra.
  20. Ngrihu pra e zbrit, dhe shko bashkë me ata, pa pasur ndonjë farë dyshimi; sepse unë i kam dërguar ata.
  21. Edhe Pjetri, pasi zbriti tek njerëzit që ishin dërguar tek ai nga Kornili, tha: Ja, unë jam ai që kërkoni; për ç’punë keni ardhur?
  22. Edhe ata thanë: Kornili, kryeqindëshi, që është njeri i drejtë dhe ka frikë nga Perëndia, dhe për të cilin jep dëshmi të mirë gjithë kombi i Judenjve, u urdhërua nga Perëndia me anë të një engjëlli të shenjtë, që të të thërresë në shtëpinë e tij, dhe të dëgjojë fjalë prej teje.
  23. Ai pra i thërriti ata brenda e i gostiti. Edhe të nesërmen doli Pjetri bashkë me ata, dhe ca nga vëllezërit që ishin nga Jopa erdhën bashkë me atë.
  24. Edhe të nesërmen hynë në Qesari. Dhe Kornili ishte duke i pritur ata, dhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e tij të ngushtë.
  25. Edhe sapo hyri brenda Pjetri, Kornili i doli përpara, e i ra ndër këmbë, dhe iu fal.
  26. Po Pjetri e ngriti, duke thënë: Ngrihu, sepse edhe unë jam njeri.
  27. Edhe duke folur bashkë me të hyri brenda, dhe gjen mbledhur shumë veta.
  28. Edhe u tha atyre: Ju e dini se s’është e ndjerë për një njeri Judeas të shoqërojë a të shkojë tek njeri prej tjetër kombi. Po Perëndia më tregoi të mos them për asnjë njeri se është i ndyrë apo i ndotur.
  29. Prandaj, sapo u thirra, edhe erdha pa bërë fjalë. Pyes pra, për ç’fjalë dërguat e më prutë?
  30. Edhe Kornili tha: Katër ditë më parë deri në këtë orë isha duke agjëruar, dhe në të nëntën orë po falesha në shtëpinë time; dhe ja një njeri me rroba të ndritura tek qëndroi përpara meje,
  31. edhe thotë: Kornil, u dëgjua falja jote dhe lëmoshat e tua u përmendën para Perëndisë.
  32. Dërgo pra në Jopë e thirr Simonin, që përmbiquhet Pjetër. Ky ka rënë në shtëpinë e Simon lëkurëregjësit pranë detit. Ai, kur të vijë, do të të flasë.
  33. Përnjëherë pra dërgova tek ti; dhe ti bëre mirë që erdhe. Tani pra ne të gjithë jemi përpara Perëndisë, që të dëgjojmë gjithë ç’të janë urdhëruar prej Perëndisë.
  34. Atëherë Pjetri hapi gojën e tha: Me të vërtetë po e marr vesh se Perëndia s’mban anë njeriu;
  35. po në çdo komb ai që ka frikë prej tij dhe punon drejtësi, është i pritur tek ai.
  36. Fjalën që u dërgoi bijve të Izraelit duke ungjillëzuar paqe me anë të Jisu Krishtit, - ky është Zoti i të gjithëve, -
  37. këtë fjalë ju e dini, që u përhap nëpër gjithë Judenë, duke nisur nga Galilea, pas pagëzimit që predikoi Joani;
  38. si lindi Perëndia Jisuin nga Nazareti me Shpirt të Shenjtë e me fuqi, i cili shkoi vend më vend duke bërë mirë e duke shëruar gjithë ata që mundoheshin prej djallit; sepse Perëndia ishte bashkë me të,
  39. dhe ne jemi dëshmitarë për gjithë ato që bëri edhe në dhe të Judenjve edhe në Jerusalem; të cilin e vranë duke e varur mbi dru;
  40. këtë Perëndia e ngjalli të tretën ditë, dhe e bëri atë të duket,
  41. jo në gjithë popullin, po në dëshmitarët e zgjedhur që përpara prej Perëndisë, domethënë tek ne që hëngrëm e pimë bashkë me të, pasi u ngjall prej së vdekurish;
  42. edhe na porositi ne të predikojmë në popull e të dëshmojmë se ai është ai që qe urdhëruar prej Perëndisë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve.
  43. Për këtë dëshmojnë gjithë profetët, se me anë të emrit të tij do të marrë ndjesë mëkatesh kushdo që i beson atij.
  44. Ndërsa Pjetri ishte duke folur këto fjalë, ra Shpirti i Shenjtë mbi gjithë ata që dëgjonin fjalën.
  45. Edhe u mahnitën besimtarët që ishin prej rrethprerjes, sa kishin ardhur bashkë me Pjetrin, se edhe në kombet u derdhka Shpirti i Shenjtë.
  46. Sepse i dëgjonin ata duke folur gjuhë, e duke madhëruar Perëndinë.
  47. Atëherë Pjetri u përgjigj: A mos mundet uji të ndalojë ndonjë që të mos pagëzohen këta, të cilët morën Shpirtin e Shenjtë, si edhe ne?
  48. Edhe i urdhëroi ata të pagëzohen në emrin e Zotit. Atëherë iu lutën të qëndrojë pak ditë tek ata.

 

Kreu 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28