AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Fëmijët

Αctivities - Fëmijët
Share

Historiku:     

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nën drejtimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, që në fillim, në vitin 1992, i kushtoi vëmendje të veçantë ungjillëzimit, edukimit dhe argëtimit të fëmijëve. Besimtarët, studentët e Seminarit Teologjik-Hieratik të Durrësit e më vonë të Akademisë Teologjike dhe klerikët vendës, me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve misionarë, krijuan mundësinë e takimeve dhe organizimeve të grupeve të katekizmit në të gjithë Shqipërinë me mosha të ndryshme, duke përfshirë edhe fëmijët.
     Me punën e madhe katekitike disa vjeçare u bë e mundur afrimi i shumë fëmijëve dhe u pa e nevojshme klasifikimi në bazë të specifikës së punës, arsimit, përvojës dhe të përkushtimit që kërkon kjo moshë.      Kështu, në vitin 2001 u ngrit Zyra Qendrore e Fëmijëve me moton: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket” (Fjalët e Urta 22:6).
       Menjëherë filluan aktivitetet dhe programet në rang lokal dhe republike. Aktiviteti i parë i kësaj zyre ishte kampi ditor veror për fëmijë në zonën e Shpatit të Elbasanit dhe pas këtij aktiviteti, një sërë aktivitetesh dhe programesh pasuan për fëmijët. Me kalimin e kohës, kjo zyrë sigurisht që e zgjeroi shumë gamën e aktiviteteve dhe programeve, por rriti edhe numrin e punonjësve. Zyra bashkëpunon prej vitesh me klerikët, zyrat qendrore dhe lokale të katekizmit dhe të rinisë si edhe me Akademinë Teologjike.
     Qëllimi i Zyrës Qendrore të Fëmijëve është të ndihmojë fëmijët të përmbushin potencialin e tyre të plotë, si qenie njerëzore të krijuara sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë dhe të rriten në ngjashmërinë e Tij, nëpërmjet programeve që i ndihmojnë ata të zhvillohen nga ana shpirtërore, shoqërore, emocionale, intelektuale dhe fizike. Zyra ka si synim shërbimin e fëmijëve në mënyra të larmishme dhe nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme. Zoti Krisht tha: “Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë” (Mk. 10:14).
       Një nga objektivat kryesorë të kësaj zyre ishte dhe është rritja e kapacitetit dhe e aftësisë së punonjësve dhe vullnetarëve, nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe punëve në grupe.


Aktivitetet:

Programe javore - Qendra fëmijësh


    Për t’i afruar fëmijët më pranë Krishtit, për t’u mësuar atyre udhën ku duhet të shkojnë, një nga shërbimet që Zyra Qendrore e Fëmijëve ofron janë programet javore. Sot për sot, punonjësit e saj punojnë me 400 fëmijë në 7 zona të ndryshme të Tiranës dhe me shumë të tjerë në disa zona të vendit. Programi përmban mësimin biblik, ku fëmijët prezantohen me historitë biblike në mënyrë krijuese, përshtatur për moshën e tyre, duke përdorur libra me metodat bashkëkohore të mësimdhënies, punë dore, përmes së cilës mësimi biblik ritheksohet në mënyrë krijuese e artistike, koktej, lojëra dhe këngë. Ky program zhvillohet gjatë periudhës së shkollës. Brenda programit të kësaj Zyre përfshihen edhe botimet e  librave ku pasqyrohen aktivitetet e saj, botimet e “kurrikulave” dhe trajnime për mësues në rrethe të ndryshme për këto programeve javore.

Aktivitete të veçanta për Pashkë e Krishtlindje  

Zyra Qendrore e Fëmijëve zhvillon çdo vit aktivitet të posaçëm njëditor për Pashkë e Krishtlindje. Këto festa të mëdha të Kishës janë mundësi për të mësuar fëmijët dhe për t’i ndihmuar ata të përjetojnë jetën e krishterë në një mënyrë të veçantë. Këto aktivitete organizohen në Tiranë dhe pothuajse në të gjithë Shqipërinë, në sajë të bashkëpunimit dhe trajnimit të katekistëve, të studentëve të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” të Shën Vlashit në Durrës dhe personave të tjerë vullnetarë që punojnë me fëmijët. Në këto aktivitete njëditore marrin pjesë afërsisht 2300 fëmijë. I gjithë programi lidhet me temën qendrore të së kremtes. Në të, fëmijët kanë mundësi të marrin pjesë në mësim, të bëjnë punë dore, të këndojnë, të luajnë dhe të bëhen pjesë e një konkursi që zhvillohet rreth historisë së festës etj. Të gjithë fëmijët pjesëmarrës në këto aktivitete, në fund të programit, përveç dhuratave të vogla, marrin me vete edhe nga një libër që u mëson edhe më shumë mbi ngjarjen.
   Në pragun e Krishtlindjes fëmijët e Tiranës, Durrësit, Korçës, Beratit, Gjirokastrës dhe qyteteve të tjera organizojnë kolendrat, vizitat tradicionale orthodhokse të njohura tashmë prej shekujsh të shpalljes së lajmit të lindjes së Krishtit nëpër familje, shtëpi, institucione, rrugë, dyqane, e kudo, duke kënduar këngë krishtlindjesh.
 



Teatri me kukulla 


  Teatri lëvizës i kukullave ofron një program të veçantë dy herë në vit, zakonisht në periudhën para festës së Pashkës dhe të Krishtlindjes. Teatri me kukulla është një mjet shumë efektiv për t’i argëtuar fëmijët e për t’i mësuar ata mbi historinë dhe mbi festën. Në këtë aktivitet marrin pjesë rreth 1200 fëmijë. Gëzimi i tyre shtohet edhe nëpërmjet pjesëmarrjes në programin e larmishëm të këngëve dhe lojërave që shoqëron këtë aktivitet. Po kështu, fëmijët marrin pjesë në një konkurs që zhvillohet mbi shfaqjen që panë, duke u shpërblyer në fund me një dhuratë simbolike.

Kampet verore ditore    

Kampet verore ditore janë një nga mënyrat më frytdhënëse për formimin e krishterë të fëmijëve, sepse duke u ofruar atyre më shumë kohë për të medituar mbi fjalën e Perëndisë, mundësohet brumosja e personalitetit të tyre. Që nga viti 2001 e deri më sot, Zyra Qendrore e Fëmijëve çdo vit ka përgatitur një program të mirëfilltë për kampin veror ditor. Ky program u është ofruar dhe të gjithë personave që punojnë me fëmijët në të gjithë Shqipërinë. Çdo vit përgatitet një temë specifike e shoqëruar me një libër, mësime, punë dore, këngë e lojëra, koktej. Në këtë aktivitet prej 4-orësh marrin pjesë rreth 2300 fëmijë dhe zgjat një javë.

Kampet ditore në Kosovë  

Në verën e vitit 2002, Zyra Qendrore e Fëmijëve filloi të zhvillonte kampe verore disa ditore në komunën e Malishevës në Kosovë. Ky aktivitet erdhi si rrjedhojë e miqësisë dhe bashkëpunimit të krijuar midis të rinjve orthodhoksë shqiptarë dhe atyre kosovarë, të cilët u strehuan në kampet e Kishës sonë kur erdhën në Shqipëri gjatë vitit 1999. 
      Ky program, që realizohet në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore të Malishevës, është pjesë e programit social dhe humanitar të kësaj Zyre dhe është mirëpritur nga fëmijët dhe komuniteti. Çdo vit rreth 25 të rinj nga Shqipëria udhëtojnë për në Kosovë, ku qëndrojnë për tri javë për zhvillimin e këtyre kampeve. Programi i tyre ofron atje lojëra, këngë, punë dore, diskutime rreth temave të ndryshme. Çdo kamp zgjat katër ditë përkatësisht me katër orë program çdo ditë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ofron këto kampe në 4-5 shkolla çdo vit, ku edhe pjesëmarrja e fëmijëve arrin rreth 1800. Kjo është një eksperiencë pozitive për skuadrën që punon së bashku në Kosovë.


 Seminari trajnues për mësuesit nga Kosova

   Çdo vit, që nga viti 2008, Zyra Qendrore e Fëmijëve ka organizuar seminare 3-ditore për mësuesit nga zona e Malishevës në Kosovë. Në to marrin pjesë rreth 15 mësues kosovarë së bashku me punonjësit e Zyrës dhe drejtues të kampeve verore. Rritja e aftësive dhe zgjerimi i njohurive mbi metodat bashkëkohore të mësimdhënies përbëjnë objektivin e këtyre seminareve. Këto takime janë njëkohësisht edhe një mundësi e mirë për të ndërtuar marrëdhënie miqësie midis mësuesve nga Kosova dhe anëtarëve të komunitetit orthodhoks në Shqipëri.