AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Katekizmi i krishterë orthodhoks

Jeta Kishtare - Katekizmi i krishterë orthodhoks
Share



 

     Katekizmi është mësimi rreth besimit të krishterë, udhëzime për në rrugën e Zotit dhe për jetën më Krishtin. Ai e formon dhe e ndihmon besimtarin të gjejë udhë për t’u bashkuar me Krishtin. Në këtë mënyrë Kisha përpiqet vazhdimisht të ushqejë dhe të ndërgjegjësojë anëtarët e saj në veprën shpëtimtare të Krishtit.
     Që në vitet e para të riorganizimit kishtar, nën drejtimin e kryepiskopit Anastas, me dëshirën e zjarrtë të besimit të munguar prej shumë vitesh, qindra e mijëra të krishterë orthodhoksë në mbarë vendin tonë nisën të katekizoheshin. Katekizmi filloi të zhvillohej, me takime të rregullta dhe spontane, në natyrë, në rrënojat e kishave të vjetra, por edhe në kishat që i kishin shpëtuar shkatërrimit, në shtëpitë e besimtarëve ose jashtë në oborret e tyre, në biseda, në emisionet e para televizive rreth besimit.
     Fillimi i organizuar i kësaj veprimtarie katekitike nisi pikërisht në vendin ku filloi edhe shkatërrimi i kishave nga ateizmi gjatë periudhës komuniste, në rrënojat e Manastirit të Shën Vlashit, pranë qytetit të Durrësit. Në fillimet e saj kontributin kryesor e dhanë bashkëpunëtorët misionarë (klerikë e laikë), fillimisht në Mitropolinë e Tiranës, rreth të cilëve u mblodhën shumë besimtarë të të gjitha moshave. Me katekizimin dhe trajnimin e grupeve të para katekitike të përkushtuar në Lajmin e Mirë, në të cilat merrnin pjesë disa të rinj e gra të zellshëm orthodhoksë, u hartua një program i posaçëm për t’i angazhuar të gjithë këta në disa qytete e fshatra të vendit, duke mbuluar me sa të mundnin zona të Mitropolisë së Tiranës dhe të Beratit. Po kështu, organizime të tilla u bënë edhe në Mitropolinë e Korçës dhe të Gjirokastrës. Bashkëpunëtorë dhe protagonistë në këtë vepër katekitike ishin njëkohësisht edhe klerikët e rinj dhe studentët e atëhershëm që studionin në Seminarin Teologjik në Durrës si edhe besimtarë vullnetarë me profesione të ndryshme.
    Kuptohet që mësimet ishin të thjeshta, shpjeguese, ungjillëzuese për besimin e krishterë orthodhoks, ndërsa të katekizuarit, duke ndarë përvojën e besimit që po përjetonin, shumë shpejt u pagëzuan. Pas 25 vjetësh errësire, pagëzimet po bëheshin publikisht dhe në masë, kjo ngjante me thënien e profetit Isaia: “Populli që gjendej në errësirë pa një dritë të madhe, atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes, u lindi drita” (Is. 9.1). Kjo veprimtari katekitike vazhdoi pa ndërprerje dhe me frymën misionare duke shkuar vend më vend, duke katekizuar e pagëzuar me hirin e Perëndisë, fëmijë, të rinj, të rritur dhe të moshuar.
   Kuptohet që kjo vepër e madhe katekitike u mbështet te kuadrot me arsim dhe formim teologjik dhe zell apostolik. Kryepiskopi Anastas që në vitin 1992, hapi Seminarin Hieratik-Teologjik në Durrës (më pas Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash të Durrësit), duke përbërë institucionin e vetëm për krijimin dhe formimin e kuadrove katekitikë në vend me formim dhe edukim teologjik, duke i shtuar dhe i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, dhe si rrjedhojë, duke e themeluar, fuqizuar dhe zgjeruar veprën katekitike në vend. Deri në vitin 2010 nga kjo shkollë studiuan 240 studentë, ku 160 prej tyre u bënë klerikë. Nga viti 1997 filluan të studiojnë edhe vajza, që do të shërbenin në veprën katekitike të Kishës. Në këtë mënyrë, të gjithë studentët dhe të diplomuarit e kësaj shkolle, si klerikë ashtu edhe laikë (femra e meshkuj), merreshin me katekizëm, të ndihmuar edhe nga besimtarë vullnetarë (fëmijë, të rinj, të rritur, gra e burra, të profesioneve të ndryshme). 

   Në vazhdim, krijimi i kuadrove përmirësoi kushtet për organizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të veprës katekitike, duke zgjeruar dhe trajnuar personelin që do të përfshihet në zyra të veçanta koordinuese si: Zyra e Fëmijëve, Zyra e Katekizmit, Zyra e Rinisë, Qendra Studentore dhe Zyra e Grave.
   Vepra katekitike në vend nuk kryhet vetëm me bashkëpunimin e Zyrave të lartpërmendura, por realizohet edhe nga klerikët, studentët e Akademisë Teologjike dhe nxënësit  e Liceut kishtar në Sukth të Durrësit. 

 



 Zyra e katekizmit


Në vitin 2001 u krijua Zyra Qendrore e Katekizmit. Puna e saj është mjaft e gjerë dhe e rëndësishme, e cila përveç punës katekitike me shumë grupe të ngritura të katekizmit me fëmijë, të rinj e të rritur ka edhe një vizion të qartë misionar rreth nevojave që paraqet vepra katekitike në zona të ndryshme të vendit, jo vetëm duke ofruar ndihmën e nevojshme, por edhe ngritjen dhe koordinimin e grupeve të reja.
     Zyra e Katekizmit bashkëpunon ngushtë me klerikët, me Zyrat e Rinisë, të Fëmijëve, Qendrën Studentore, Zyrën e Grave dhe Akademinë Teologjike, duke ndihmuar dhe mbështetur secilin në veprën përkatëse katekitike si dhe duke krijuar programe të përbashkëta.

     Me zhvillimin e mëtejshëm dhe stabilizimin e veprës katekitike lokale, shtimit të katekistëve si dhe specifikave organizative mitropolitane, u krijuan sektorët lokalë mitropolitanë. Tashmë çdo mitropoli ka zyrën e katekizmit, të rinisë, të fëmijëve dhe katekistët e vet, klerikë ose laikë, duke organizuar veprën katekitike në dioqezën e tyre.
     Vepra katekitike e Shqipërisë është paraqitur edhe në takime dhe konferenca ndërorthodhokse, mes përfaqësish katekistësh e të rinjsh, duke krijuar edhe lidhje vëllazërore me homologët e tyre si edhe duke përfituar dhe shkëmbyer eksperienca dhe dëshmi besimi.  

      Qëllimi i katekizmit. Katekizmi u drejtohet të gjithëve, por ai organizohet dhe realizohet në bazë të programeve të moshave përkatëse.
    Katekizmi klasifikohet në dy forma: a) katekizëm përpara pagëzimit, për anëtarësimin e njerëzve brenda Kishës; b) katekizëm për njohjen dhe thellimin në besimin e krishterë dhe jetën shpirtërore kishtare orthodhokse.
    Katekizmi, mes miqësisë që ofron mes pjesëmarrësve, ka si qëllim: njohjen e besimit të krishterë dhe jetës kishtare orthodhokse, anëtarësimin në Kishë pra në komunitetin e besimtarëve të krishterë, marrëdhënien me Perëndinë, ushqimin shpirtëror, kuptimin e jetës, shpjegime të çështjeve të besimit, teorive dhe problemeve shoqërore, ndërgjegjësimin e frymës së apostullimit, njohjen e jetës së famullisë (të mbledhjes së besimtarëve, të kishave dhe adhurimit në to, të jetës baritore) dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në to. Programi i mësimdhënies së katekizmit zhvillohet në periudhën shtator-maj.
       Përmbajtja e katekizmit. Përmbajtja përshtatet me nevojat dhe formimin e pjesëmarrësve, duke filluar nga mësimet më të thjeshta e deri në ato teologjike dhe shkencore.
     Përmbajtja përbëhet nga të vërtetat themelore që rrjedhin nga dogmat, nga etika e krishterë, nga jeta adhuruese kishtare: Shkrimi i Shenjtë (Bibla), Simboli i Besimit, zbulimi i Perëndisë Triadik, vepra shpëtimtare e Krishtit, Kisha, jeta dhe vlera e njeriut, mësime morale që rrjedhin nga 10 urdhëresat, lumërimet, jeta e Kishës etj., Liturgjitë hyjnore, Misteret hyjnore, himnet kishtare.

      Që nga fillimi e deri tani janë krijuar programe katekizmi të ndryshme me përmbajtje dhe moshë të përcaktuara, që bazohen tek Shkrimi i Shenjtë (Bibla), tek jetë shenjtorësh, tek literatura të përgatitura nga klerikë e hierarkë të ndryshëm, të vendit dhe të huaj, (edhe nga kryepiskopi Anastas), teologë dhe bashkëpunëtorë të gjithë sektorëve përgjegjës të sipërpërmendur, që merren me veprën katekitike, të botuar dhe ribotuar si libra të Kishës nga viti 1992 e deri më sot, si edhe krijime të reja apo përkthime të përshtatura. Një kontribut në veprën katekitike ofron edhe revista për fëmijë “Gëzohu”, revista për të rinj Kambana”, gazeta “Ngjallja”, faqja zyrtare e Kishës në internet
www.orthodoxalbania.org.
       Vendi i katekizmit.
Vepra katekitike zhvillohet kryesisht në kishat, në qendrat rinore katekitike kishtare, në shtëpi të besimtarëve etj. Takimet e rregullta të përjavshme të katekizmit kryhen zakonisht të dielën pas Liturgjisë Hyjnore ose të Shtunën, ose edhe në ditë të tjera të javës.
      Po bëhet një përpjekje e madhe që vepra katekitike të transmetohet, përveç mësimdhënies gojore dhe literaturave të shkruara në letër, edhe nëpërmjet mjeteve bashkëkohore teknologjike si dhe mediatike. Media shihet sot si një mundësi bashkëkohore e mirë komunikimi dhe transmetimi të fjalës së Perëndisë. Në emisione të ndryshme në mediat kombëtare dhe ato lokale kanë qenë të ftuar edhe klerikë e katekistë, të cilët kanë folur për besimin orthodhoks. Janë realizuar seri emisionesh të veçanta në bashkëpunime me televizione lokale, si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Laç, Elbasan, Peqin, Gramsh etj. Gjithashtu, janë realizuar emisione radiofonike, çdo të hënë, në valët e Radios “Ngjallja”, FM 88.5 Mhz, në ciklin “Katekizmi i Krishterë Orthodhoks”. Me interes është parë edhe dublimi i filmave dokumentarë kishtarë në shqip, disa prej të cilëve janë transmetuar edhe në mediat e lartpërmendura. Po kështu, edhe prezantimi i veprës katekitike në komunikimin global të internetit nëpërmjet faqes zyrtare të Kishës, Facebook, You Tube etj.
      Veprimtari të ndryshme. Programi katekitik përmban edhe lutje, shërbesa lutësore, shërbime gjatë adhurimit, veprimtari kulturore, argëtuese, pelegrinazhe, ekskursione etj. Këto mund të jenë programe të vetë katekistëve ose dhe programe e aktivitete të përbashkëta me zyrat e tjera të sipërpërmendura (shiko veprimtaritë e tyre) si p.sh., gjatë periudhës së Krishtlindjes, Theofanisë, Pashkës, verës, në fillim të vitit shkollor etj.
       Në bashkëpunim me klerikët në kishat e zonave të tyre, ditën e diel, gjatë Liturgjisë Hyjnore ose edhe gjatë të kremteve të mëdha, katekistët dhe pjesëmarrësit në grupet e katekizmit jo vetëm që marrin pjesë në shërbesat adhuruese, por edhe shërbejnë sa munden. Njëkohësisht, katekistët shërbejnë edhe si psaltë, kishtarë dhe predikues.
     Në bashkëpunim me të rinj e të reja aktivistë të grupeve rinore e katekitike, katekistët drejtojnë kampet, të cilat zhvillohen gjatë periudhës së verës në Manastirin e Shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Zvërnec të Vlorës, në Manastirin e Shenjtë të Shën Joan Vladimir në Shijon të Elbasanit, në Manastirin e Shenjtë të Shën Gjergjit në Çukë të Sarandës, në Glikomil të Gjirokastrës, në Manastirin e Shenjtë të Shën Joan Prodhromit në Voskopojë të Korçës, si edhe kampe të tjera disa ditore nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë.