Joani Kreu 1
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 1
- Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi,
- Kjo ishte që në fillim me Perëndinë.
- Të gjitha u bënë me anë të saj; dhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë.
- Në atë ishte jetë, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
- Edhe drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
- Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, me emrin Joan.
- Ky erdhi për dëshmi, që të japë dëshmi për Dritën, që të besojnë të gjithë me anë të tij.
- Ai nuk ishte Drita, por qe dërguar që të japë dëshmi për Dritën.
- Ishte Drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri kur vjen në botë.
- Ishte në botë, dhe bota u bë me anë të tij; po bota nuk e njohu atë.
- Erdhi tek të tijtë, dhe të tijtë nuk e pritën atë.
- Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë me anë të tij.
- Ata nuk lindën prej gjakrash, as prej dashurimi mishi, as prej dashurimi burri, po prej Perëndie.
- Edhe Fjala u bë mish, dhe qëndroi ndër ne - dhe pamë lavdinë e tij, lavdi si të vetëmlinduri prej Atit - plot me hir e me të vërtetë.
- Joani jep dëshmi për të, dhe bërtiti, duke thënë: Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.
- Edhe të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, dhe hir në vend hiri.
- Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, po hiri dhe e vërteta u bë me anë të Jisu Krishtit.
- Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; veç Biri i Vetëmlindur, që është në gjirin e Atit, ai na e tregoi.
- Edhe kjo është dëshmia e Joanit, kur dërguan Judenjtë nga Jerusalemi priftërinj dhe Levitë që ta pyesin: Cili je ti?
- Edhe rrëfeu, dhe nuk mohoi. Dhe rrëfeu se unë nuk jam Krishti.
- Edhe e pyetën: Çfarë, pra? Ilia je ti? Dhe thotë: Nuk jam. Profeti je ti? Dhe u përgjigj: Jo.
- I thanë pra: Cili je? që t’u përgjigjemi atyre që na kanë dërguar. Ç’thua për veten tënde?
- Tha: “Unë jam zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Drejtoni udhën e Zotit”, siç tha profeti Isaia.
- Edhe ata që qenë dërguar ishin prej Farisenjve.
- Edhe e pyetën e i thanë: Përse pra pagëzon, kur nuk je ti Krishti, as Ilia, as profeti?
- Joani iu përgjigj atyre, duke thënë: Unë pagëzoj me ujë; por në mes tuaj rri ai që ju nuk e njihni.
- Ai është ai që vjen pas meje, i cili është më i madh se unë, të cilit unë s’jam i zoti t’i zgjidh lidhëzën e këpucës.
- Këto u bënë në Vitavara përtej Jordanit, atje ku ishte Joani duke pagëzuar.
- Të nesërmen Joani sheh Jisuin duke ardhur tek ai, dhe thotë: Ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës.
- Ky është ai, për të cilin unë ju thashë: Pas meje vjen një burrë, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.
- Edhe unë s’e njoha; por që të tregohet në Izrael, prandaj erdha unë duke pagëzuar me ujë.
- Edhe Joani dha dëshmi, duke thënë se pashë Shpirtin e Shenjtë duke zbritur nga qielli si pëllumb, dhe ndenji mbi të.
- Edhe unë nuk e njoha; por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: Ai mbi të cilin të shohësh Shpirtin e Shenjtë duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Shpirt të Shenjtë.
- Edhe unë e pashë dhe dhashë dëshmi se ky është i Biri i Perëndisë.
- Të nesërmen përsëri Joani ishte duke ndenjur, dhe dy prej nxënësve të tij gjithashtu.
- Edhe kur hodhi sytë dhe pa Jisuin duke ecur, thotë: Ja qengji i Perëndisë.
- Edhe të dy nxënësit e dëgjuan atë duke folur, dhe shkuan pas Jisuit.
- Edhe Jisui kur u kthye dhe pa ata duke shkuar pas tij, u thotë atyre: Ç’kërkoni?
- Edhe ata i thanë: Rabi, - që e përkthyer do me thënë, Mësues, - ku banon?
- U thotë atyre: Ejani dhe shihni. Erdhën dhe panë ku banonte; dhe qëndruan pranë tij atë ditë; dhe ora ishte rreth dhjetë.
- Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri nga ata të dy që dëgjuan prej Joanit për atë, dhe shkuan pas atij.
- Ky më përpara gjen të vëllanë e tij, Simonin, dhe i thotë: Gjetëm Mesinë, që e përkthyer do të thotë Krishtin.
- Edhe e pruri tek Jisui. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, dhe tha: Ti je Simoni, i biri i Jonait. Ti do të quhesh Qefa, që e përkthyer do të thotë Pjetër (gur).
- Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; dhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje.
- Edhe Filipi ishte nga Betsaidaja, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
- Filipi gjen Nathanailin, dhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët, të birin e Josifit nga Nazareti.
- Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Filipi thotë: Eja dhe shih.
- Jisui pa Nathanailin duke ardhur tek ai, dhe thotë për të: Shih një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër.
- Nathanaili i thotë: Që ku më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërresë Filipi, kur ishe nën drurin e fikut, unë të pashë.
- Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit.
- Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë se të pashë nën drurin e fikut beson? Do të shohësh më të mëdha se këto.
- Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi të Birin e njeriut.





