AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Veprat e Apostujve 1

Dhiata e Re - Veprat e Apostujve
Share

 

  1. Fjalën e parë, o Theofil, e bëra për gjithë sa nisi Jisui të bëjë e të mësojë,
  2. deri në atë ditë që u ngjit lart në qiell, pasi me anë të Shpirtit të Shenjtë u la porosi apostujve që pati zgjedhur;
  3. tek të cilët edhe e tregoi veten e tij të gjallë me shumë shenja pas pësimit të tij, duke u dukur ndër ata dyzet ditë, e duke folur për punët e mbretërisë së Perëndisë.
  4. Edhe duke u mbledhur bashkë me ata i porositi të mos ndahen nga Jerusalemi, por të presin premtimin e Atit që dëgjuat prej meje, u tha.
  5. Sepse Joani pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Shpirt të Shenjtë jo shumë ditë pas këtyre.
  6. Ata pra, kur u mblodhën bashkë me të, e pyesnin duke thënë: Zot, vallë, në këtë kohë do t’ia japësh mbretërinë Izraelit?
  7. Edhe ai u tha atyre: Nuk është puna juaj të njihni kohët a motet, të cilët i ka vënë Ati në pushtetin e tij.
  8. Por do të merrni fuqi, kur të vijë Shpirti i Shenjtë mbi ju; dhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem edhe në gjithë Judenë edhe në Samari edhe deri në fund të dheut.
  9. Edhe si tha këto, ndërsa ata po shihnin u ngrit lart, dhe një re e mori nga sytë e tyre.
  10. Edhe ndërsa ata ishin duke vështruar në qiell, kur po shkonte ai, ja dy burra me rroba të bardha tek qëndruan pranë tyre,
  11. të cilët edhe u thanë: O burra Galileas, pse rrini e vështroni në qiell? Ky, Jisui që u ngjit që prej jush lart në qiell, do të vijë kështu, siç e patë atë duke shkuar në qiell.
  12. Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet Ullishte, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune.
  13. Edhe kur hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku kishin të ndenjurit Pjetri dhe Jakovi dhe Joani e Andrea, Filipi dhe Thomai, Vartholomeu dhe Matheu, Jakovi i biri i Alfeut dhe Simon Zeloti, dhe Juda, i vëllai i Jakovit.
  14. Këta të gjithë ishin duke qëndruar me një zemër në falje e në lutje, bashkë me gratë, dhe me Marinë, të ëmën e Jisuit, dhe bashkë me të vëllezërit e tij.
  15. Edhe në këto ditë u ngrit Pjetri në mes të nxënësve, - dhe turma e të mbledhurve atje ishin rreth njëqind e njëzet veta, - dhe tha:
  16. O burra vëllezër, duhej të përmbushej ky shkrim, të cilin e tha më përpara Shpirti i Shenjtë me anë të Davidit për Judën që u bë udhëheqës i atyre që zunë Jisuin,
  17. sepse qe i numëruar bashkë me ne dhe pati marrë pjesën e kësaj shërbese.
  18. Ky pra fitoi një arë nga paga e paudhësisë, dhe duke rënë përmbys plasi në mes, dhe iu derdhën gjithë të brendshmet.
  19. Edhe kjo u bë e ditur tek të gjithë ata që rrinin në Jerusalem, kaq sa ajo arë u quajt në gjuhën e tyre Akeldama, që do me thënë Arë gjaku.
  20. Sepse është shkruar në librin e Psalmeve: “U shkretoftë shtëpia e atij dhe mos ndenjtë njeri në të”; dhe: “Tjetër e marrtë shërbesën e tij”.
  21. Duhet pra nga burrat që u mblodhën bashkë me ne tërë kohën, në të cilën Zoti Jisu hyri e doli tek ne,
  22. duke nisur që nga pagëzimi i Joanit e deri në atë ditë në të cilën u ngjit lart që prej nesh, një nga këta të bëhet dëshmitar bashkë me ne për ngjalljen e tij.
  23. Edhe ndanë dy veta, Josifin që quhej Barsaba, i cili u përmbiquajt Just, dhe Matinë.
  24. Edhe duke u falur thanë: Ti, o Zot, zemërnjohës i të gjithëve, trego një nga këta të dy, atë që ke zgjedhur,
  25. që të marrë pjesën e kësaj shërbese e apostolie, prej së cilës ra Juda, që të shkojë në vendin e tij.
  26. Edhe u dhanë atyre shorte; dhe shorti i ra Matisë, dhe u numërua bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.