AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 8

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 8

  1. Edhe pastaj ai shkonte qytet më qytet e fshat më fshat, duke predikuar e duke dhënë lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë; dhe të dymbëdhjetët ishin bashkë me të,
  2. edhe disa gra që ishin shëruar nga frymë të këqija e nga sëmundje, Maria, që quhej Magdalena, prej së cilës patën dalë shtatë djaj,
  3. edhe Joana, e shoqja e Huzait, kujdestarit të Irodit, dhe Suzana, dhe shumë të tjera, të cilat i shërbenin me pasurinë e tyre.
  4. Edhe si u mblodh shumë popull, dhe vinin tek ai prej çdo qyteti, foli me paravoli.
  5. Doli mbjellësi të mbillte farën e tij; dhe ndërsa ai po mbillte, ca farë ra pranë udhës, dhe u shkel, dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
  6. Edhe tjetër ra mbi gur, dhe sapo mbiu u tha, sepse nuk kishte lagështirë.
  7. Edhe tjetër ra në mes të drizave, dhe si mbinë drizat bashkë me atë, e mbytën.
  8. Edhe tjetër ra në dhe të mirë, dhe si mbiu, dha pemë për një njëqind. Duke thënë këto, thërriste: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
  9. Edhe nxënësit e tij e pyetnin, duke thënë: Ç’të jetë kjo paravoli?
  10. Edhe ai tha: Juve ju është dhënë të njihni fshehtësirat e mbretërisë së Perëndisë; po të tjerëve me paravoli, që duke parë të mos shohin edhe duke dëgjuar të mos kuptojnë.
  11. Edhe paravolia është kjo: Fara është fjala e Perëndisë.
  12. Ajo pranë udhës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli dhe ngre fjalën prej zemrës së tyre, që të mos besojnë e të shpëtojnë.
  13. Edhe ajo mbi gur janë ata, të cilët, kur dëgjojnë, me gëzim e pranojnë fjalën; po këta s’kanë rrënjë; sepse ata besojnë për ca kohë, po në kohë ngasjeje largohen.
  14. Edhe ajo që ra tek drizat, këta janë ata që dëgjuan, po nga kujdesjet e nga pasuria dhe nga kënaqësitë e kësaj jete shkojnë e mbyten, e nuk bëjnë pemë.
  15. Edhe ajo që ra në dhe të mirë, këta janë ata që dëgjuan fjalën dhe e mbajnë në zemër të mirë e të pastër, dhe bëjnë pemë me durim.
  16. Edhe asnjë kur ndez kandil nuk e mbulon me enë, a e vë nën shtrat; po e vë mbi kandilmbajtëse, që të shohin dritën ata që hyjnë.
  17. Sepse nuk ka ndonjë të fshehtë që nuk do të shfaqet; as të fshehtë që nuk do të merret vesh, e të dalë për faqe.
  18. Vështroni pra si dëgjoni; sepse atij që ka, do t’i jepet; po atij që s’ka, edhe ajo që pandeh se ka do të merret prej tij.
  19. Edhe erdhën tek ai e ëma edhe vëllezërit e tij, dhe nuk mundnin prej turmës t’i afroheshin.
  20. Edhe e lajmëruan, duke thënë: Nëna jote dhe vëllezërit e tu po rrinë jashtë dhe duan të të shohin.
  21. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Nënë e vëllezër më janë këta që dëgjojnë fjalën dhe e bëjnë.
  22. Edhe një ditë hyri në lundër ai dhe nxënësit e tij, dhe u tha atyre: Le të shkojmë në anën e përtejme të liqenit.
  23. Edhe u nisën. Edhe ndërsa ata ishin duke lundruar, e zuri gjumi. Edhe zbriti një stuhi ere në liqen; dhe lundra po mbushej me ujë, dhe ishin në rrezik.
  24. Edhe ata erdhën pranë atij dhe e zgjuan, duke thënë: Mjeshtër, mjeshtër, po humbim. Edhe ai u ngrit e qortoi erën dhe valët e ujit; dhe pushuan e u bë bunacë.
  25. Edhe u tha atyre: Ku është besimi juaj? Edhe ata u frikësuan e u çuditën, duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, cili është ky që urdhëron edhe erërat edhe ujin, dhe e dëgjojnë?
  26. Edhe me lundrën arritën në vendin e Gadarinëve, që është përtej Galilesë.
  27. Edhe kur doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte djaj prej shumë vjetësh, dhe rrobë nuk vishte, dhe në shtëpi nuk rrinte, po nëpër varre.
  28. Edhe kur pa Jisuin, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të madh tha: Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo.
  29. Sepse ai urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shumë vjetësh e kishte rrëmbyer, dhe lidhej me vargonj, dhe ruhej me hekura këmbësh; po ai i këpuste prangat, dhe sillej prej djallit nëpër shkretëtira.
  30. Edhe Jisui e pyeti, duke thënë: Si ta thonë emrin? Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë djaj.
  31. Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në pafundësi.
  32. Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; dhe i luteshin t’i linte të hyjnë tek ata; dhe ai i la.
  33. Edhe djajtë, si dolën prej njeriut, hynë te derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në liqen dhe u mbyt.
  34. Edhe kullotësit, kur panë se ç’u bë, ikën dhe shkuan e lajmëruan në qytet e nëpër ara.
  35. Edhe dolën të shihnin se ç’u bë; dhe erdhën te Jisui, dhe e gjetën njeriun, prej të cilit kishin dalë djajtë, duke ndenjur pranë këmbëve të Jisuit, të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan.
  36. U treguan dhe ata që e panë, si shpëtoi i demonizuari.
  37. Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve i luteshin të ikë nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe; dhe ai hyri në lundër, e u kthye.
  38. Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë djajtë, i lutej të jetë bashkë me të; po Jisui e lëshoi, duke thënë:
  39. Kthehu në shtëpinë tënde, dhe rrëfe gjithë sa bëri Perëndia mbi ty. Edhe ai shkoi duke predikuar nëpër gjithë qytetin sa bëri Jisui mbi të.
  40. Edhe kur u kthye Jisui, turma e priti me gëzim; sepse të gjithë ishin duke e pritur atë.
  41. Edhe ja tek erdhi një njeri që quhej Jair - dhe ky ishte i pari i sinagogës - e ra ndër këmbët e Jisuit, e i lutej të hynte në shtëpinë e tij;
  42. sepse kishte një bijë të vetme, rreth dymbëdhjetë vjeç, dhe ajo po vdiste. Edhe ndërsa ai ishte duke shkuar, turmat po e shtrëngonin.
  43. Edhe një grua, që kishte rrjedhje gjaku dymbëdhjetë vjet, e cila kishte prishur gjithë pasurinë nëpër mjekët, po nuk mundi të shërohej as prej ndonjërit,
  44. u afrua nga prapa dhe preku cepin e rrobës së tij; dhe menjëherë iu ndal rrjedhja e gjakut.
  45. Edhe Jisui tha: Kush qe ai që më preku? Edhe ndërsa po mohonin të gjithë, Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të thanë: Mjeshtër, turmat të shtypin e të shtrëngojnë, dhe ti thua: Kush qe ai që më preku?
  46. Po Jisui tha: Dikush më preku, sepse unë mora vesh se një fuqi doli prej meje.
  47. Edhe gruaja kur pa se nuk u fsheh dot, erdhi duke u dridhur, dhe i ra ndër këmbë, e i rrëfeu përpara gjithë popullit për çfarë pune e preku, dhe se u shërua përnjëherë.
  48. Edhe ai i tha asaj: Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.
  49. Edhe kur ai po fliste ende, vjen një njeri prej të parit të sinagogës e i thotë se jot bijë vdiq; mos e mundo mësuesin.
  50. Po Jisui kur dëgjoi, u përgjigj: Mos ki frikë; veç beso, dhe do të shpëtojë.
  51. Edhe si hyri në shtëpi, nuk la asnjë të hynte brenda, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, dhe të atit të vajzës dhe së ëmës.
  52. Edhe të gjithë po qanin e ulërinin për atë. Edhe ai tha: Mos qani; nuk vdiq, por po fle.
  53. Edhe e përqeshnin, duke ditur se vdiq.
  54. Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, e kapi prej dore, dhe thirri duke thënë: O vashëz, ngrihu.
  55. Edhe asaj i erdhi shpirti prapë, dhe u ngrit përnjëherë; dhe Jisui urdhëroi t’i jepnin asaj të hajë.
  56. Edhe prindërit e saj u habitën; po ai i porositi të mos i thonë njeriu se ç’u bë.