AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 12

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 12

  1. Ndërkohë, si u mblodh shumica e turmave, kaq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jisui zuri t’u thoshte nxënësve të tij: Së pari, ruani veten tuaj nga brumi i Farisenjve, që është hipokrizi.
  2. Po nuk ka gjë të mbuluar, që s’ka për t’u zbuluar, dhe të fshehur, që s’ka për t’u marrë vesh.
  3. Prandaj sa thatë në errësirë, do të dëgjohen në dritë; dhe ç’folët në vesh nëpër dhoma, do të shpallet mbi kulmet e ndërtesave.
  4. Edhe po ju them ju miqve të mi: Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin dhe pastaj s’kanë se ç’të bëjnë gjë më tepër.
  5. Po do t’ju tregoj juve prej cilit të keni frikë; të keni frikë prej atij, i cili pasi të vrasë, ka pushtet të hedhë në gjehenë. Me të vërtetë po ju them juve, prej këtij të keni frikë.
  6. A nuk shiten pesë zogj për dy pare? Edhe një nga ata nuk është i harruar përpara Perëndisë;
  7. Po dhe qimet e kokës suaj janë të numëruara të gjitha. Mos kini frikë pra; ju ndryshoni prej shumë zogjsh.
  8. Edhe po ju them juve, kushdo që të më pohojë përpara njerëzve, edhe i Biri i Perëndisë do ta pohojë përpara engjëjve të Perëndisë.
  9. Edhe kushdo që të më mohojë përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë.
  10. Edhe kushdo që të thotë fjalë kundër Birit të njeriut, do t’i falet; po atij që të blasfemojë kundër Shpirtit të Shenjtë nuk do t’i falet.
  11. Edhe kur t’ju sjellin ju nëpër sinagogat, e nëpër autoritetet, e nëpër pushtetet, mos mendoni si ose çfarë të përgjigjeni, ose ç’të thoni.
  12. Sepse Shpirti i Shenjtë do t’ju mësojë në atë orë ç’duhet të thoni.
  13. Edhe një prej turmës i tha: Mësues, thuaj tim vëllai të ndajë trashëgimin bashkë me mua.
  14. Po ai i tha: O njeri, kush më vuri gjykatës a ndarës mbi ju?
  15. Pastaj u tha atyre, Vështroni e ruhuni nga lakmia. Sepse në pastë tepër ndonjë, jeta e tij nuk është bërë prej pasurisë së tij.
  16. Edhe u tha atyre një paravoli, duke thënë: Një njeriu të pasur i erdhën mbarë arat.
  17. Edhe mendohej me veten e tij, duke thënë: Ç’të bëj? Se s’kam ku të mbledh prodhimet e mia.
  18. Pastaj tha: Këtë kam për të bërë, do të prish grunarët e mi dhe do t’i bëj më të mëdhenj, dhe do të mbledh atje gjithë drithin tim dhe të mirat e mia.
  19. Edhe do t’i them shpirtit tim: O shpirt, ke shumë të mira që gjenden për shumë vjet; prehu, ha, pi, dhe gëzohu.
  20. Po Perëndia i tha: I marrë, këtë natë do të kërkojnë prej teje shpirtin tënd. Dhe të kujt do të jenë sa bëre gati?
  21. Kështu do të jetë ai që mbledh thesarë për veten e tij dhe nuk bëhet i pasur në Perëndinë.
  22. Pastaj u tha nxënësve të tij: Prandaj po ju them juve, mos kini kujdes për jetën tuaj, ç’të hani; as për trupin tuaj, ç’të vishni.
  23. Jeta është më e vlefshme se ushqimi, dhe trupi se veshja.
  24. Vini re korbat, as nuk mbjellin, as nuk korrin; ata nuk kanë as qilar as grunar, dhe Perëndia i ushqen. Sa më tepër ndryshoni ju nga zogjtë?
  25. Edhe cili prej jush duke pasur kujdes mund të shtojë një kut në shtatin e tij?
  26. Nëse ju pra nuk mundni as më të voglën gjë, pse keni kujdes për të tjerat?
  27. Vini re lulet, si rriten; nuk mundohen, as nuk endin; dhe po ju them juve, as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk ishte veshur si një nga këto.
  28. Po në qoftë se barin, që sot është në arë, dhe nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, sa më tepër ju, o besëpakë?
  29. Edhe ju mos kërkoni ç’të hani a ç’të pini; as mos jini me dy mendje.
  30. Sepse të gjitha këto i kërkojnë kombet e botës; dhe Ati juaj e di se keni nevojë për këto.
  31. Po kërkoni mbretërinë e Perëndisë, dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.
  32. Mos ki frikë, o tufë e vogël; sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë juve mbretërinë.
  33. Shitni pasuritë tuaja, dhe jepni lëmoshë. Bëni për veten tuaj kuleta që nuk vjetërohen, thesar në qiejt që nuk shterret, atje ku kusari nuk afrohet, as krimbi nuk prish.
  34. Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
  35. Le të jenë meset tuaj ngjeshur, dhe kandilat ndezur.
  36. Edhe ju jini gati si njerëz që presin të zotin e tyre, kur do të kthehet nga dasma, që, kur të vijë e të trokasë, menjëherë t’ia hapin derën.
  37. Lum ata shërbëtorë, të cilët, kur të vijë i zoti, do t’i gjejë zgjuar. Vërtet po ju them juve, se do të ngjishet e do t’i vërë të rrinë në tryezë, dhe do të vijë pranë e do t’u shërbejë atyre.
  38. Edhe në ardhtë në rojen e dytë, dhe në të tretën roje në ardhtë, dhe t’i gjejë kështu, të lumtur janë ata shërbëtorë.
  39. Edhe këtë e dini, se, po ta dinte i zoti i shtëpisë në ç’orë vjen kusari, do të rrinte zgjuar, dhe nuk do të linte t’i hapej shtëpia.
  40. Edhe ju pra bëhuni gati; sepse i biri i njeriut vjen në atë orë që nuk e mendoni.
  41. Atëherë Pjetri i tha: Zot, për ne e thua këtë paravoli, apo për të gjithë.
  42. Edhe Zoti tha: Vallë, cili është ai kujdestar besnik e i mençur, të cilin do ta vërë i zoti mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë në kohë racionin e ushqimit?
  43. Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke bërë kështu.
  44. Vërtet po ju them juve, se ka për ta vënë mbi gjithë pasurinë e tij.
  45. Po në thëntë ai shërbëtor në zemrën e tij: Imzot vonon të vijë; dhe të zërë të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, e të hajë e të pijë e të dehet,
  46. i zoti i atij shërbëtori do të vijë atë ditë që s’e pret dhe atë orë që s’e di; dhe do ta ndajë dhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me të pabesët.
  47. Edhe ai shërbëtor që e dinte dëshirën e të zotit dhe nuk qe gati as nuk bëri sipas dëshirës së tij, do të rrihet shumë.
  48. Po ai që nuk e diti dhe bëri punë për të rrahur, do të rrihet pak. Edhe gjithkujt që iu dha shumë, shumë do të kërkohet prej atij; dhe atij që iu lëshuan shumë, më shumë do të lypin prej atij.
  49. Erdha të vë zjarr mbi dhe; edhe ç’dua, më, në qoftë se u ndez tani?
  50. Edhe kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem, dhe sa shtrëngohem deri sa të mbarohet?
  51. Pandehni se kam ardhur të jap paqe mbi dhe? Jo, po ju them juve, po ndarje.
  52. Sepse që tani e tutje pesë vetë në një shtëpi do të jenë të ndarë në mes tyre, tre kundër dyve, dhe dy kundër treve.
  53. Do të ndahet i ati kundër të birit, dhe i biri kundër të atit; e ëma kundër së bijës, dhe e bija kundër së ëmës; vjehrra kundër nuses së saj, dhe nusja kundër së vjehrrës.
  54. I thoshte edhe turmës: Kur shihni renë se del prej perëndimit, menjëherë thoni: Po vjen shi; dhe kështu bëhet;
  55. Edhe kur shihni, se fryn erë jugu, thoni se do të bëjë vapë; dhe bën.
  56. Hipokritë, faqen e dheut e të qiellit dini ta dalloni; po këtë kohë si nuk e dalloni?
  57. Dhe si nuk gjykoni edhe prej vetes suaj të drejtën?
  58. Kur shkon pra tek sundimtari bashkë me ndërgjyqësin tënd, përpiqu udhës të shpëtosh prej tij, se mos të të çojë tek gjykatësi, dhe gjykatësi të jep në dorë të shërbëtorit, dhe shërbëtori të hedh në burg.
  59. Po të them ty: Nuk ke për të dalë andej, deri sa të lash edhe asprën e fundit.