AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Llukai 20

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait
Share

Llukai 20

  1. Edhe në një nga ato ditë, ndërsa ai mësonte popullin në tempull, dhe jepte lajmin e mirë, kryepriftërinjtë e shkruesit bashkë me pleqtë erdhën pranë tij,
  2. e i folën, duke thënë: Na thuaj, me ç’pushtet i bën këto? Ose cili është ai që të ka dhënë këtë pushtet?
  3. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Edhe unë do t’ju pyes ju një fjalë, dhe më thoni:
  4. Pagëzimi i Joanit prej qielli ishte a prej njerëzish?
  5. Edhe ata mendoheshin me veten e tyre duke thënë se, në thënçim: Prej qielli, do të thotë: Pse s’i besuat pra?
  6. Po në thënçim: Prej njerëzish, gjithë populli do të na qëllojë me gurë, sepse i është mbushur mendja se Joani është profet.
  7. Edhe u përgjigjën se nuk e dinë nga ishte.
  8. Edhe Jisui u tha atyre: As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto.
  9. Pastaj zuri t’i thoshte popullit këtë paravoli: Një njeri mbolli një vresht, dhe e pajtoi ndër bujq, edhe shkoi në dhe të huaj për shumë kohë.
  10. Edhe në kohën e pemëve dërgoi një shërbëtor te bujqit, që t’i jepnin prej pemës së vreshtit; po bujqit e rrahën, dhe e dërguan zbrazët.
  11. Edhe përsëri dërgoi një tjetër shërbëtor; po ata edhe atë e rrahën, dhe e turpëruan, dhe e dërguan zbrazët.
  12. Edhe përsëri dërgoi një të tretë; por ata edhe këtë e bënë me plagë dhe e dëbuan.
  13. Edhe i zoti i vreshtit tha: Ç’të bëj? Le të dërgoj birin tim të dashur; mbase kur të shohin këtë, do të kenë turp.
  14. Po bujqit kur e panë, mendoheshin me vete duke thënë: Ky është trashëgimtari. Ejani, le ta vrasim, që të na mbetet trashëgimi.
  15. Edhe e nxorën jashtë vreshtit, dhe e vranë. Ç’do t’u bëjë pra atyre i zoti i vreshtit?
  16. Do të vijë e do t’i prishë këta bujq, dhe vreshtin do t’ua japë të tjerëve.
  17. Po ata kur dëgjuan, thanë: Qoftë larg! Edhe ai hodhi sytë mbi ata e tha: Ç’është pra kjo që është shkruar: “Guri që s’e pëlqyen ata që ndërtojnë, ky u bë kreu i qoshes”?
  18. Kushdo që të bjerë mbi atë gur do të copëtohet; dhe mbi atë që të bjerë, do ta dërrmojë.
  19. Edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkuan të vënë duart mbi atë në atë orë; po patën frikë nga populli; sepse e morën vesh se për ata e tha këtë paravoli.
  20. Edhe duke e ruajtur atë për së afërmi, dërguan përgjues, të cilët shtiheshin se janë të drejtë, me qëllim që ta zinin prej fjale, që t’ia dorëzonin autoritetit dhe pushtetit të qeveritarit.
  21. Edhe e pyetën, duke thënë: Mësues, e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk i mban anë njeriu, por me të vërtetë mëson udhën e Perëndisë.
  22. A është e udhës t’i japim ne Qezarit taksë, apo jo?
  23. Edhe ai, si kuptoi dinakërinë e tyre, u tha: Përse më ngitni?
  24. Tregomëni një dinar. Të kujt e ka fytyrën e mbishkrimin? Edhe ata u përgjigjën e thanë: Të Qezarit.
  25. Edhe ai u tha atyre: Jepini pra Qezarit ato që janë të Qezarit, dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë.
  26. Edhe nuk mundën ta zinin prej fjale përpara popullit; dhe u çuditën për përgjigjen e tij, dhe s’bënë zë.
  27. U afruan edhe disa veta prej Saduqenjve, të cilët mohojnë se ka ngjallje, dhe e pyetën,
  28. duke thënë: Moisiu na ka shkruar: Në i vdektë ndonjërit vëllai që ka grua, dhe ky të vdesë pa lënë fëmijë, i vëllai i tij të marrë gruan, dhe të ngjallë farë për të vëllanë e tij.
  29. Ishin pra shtatë vëllezër; dhe i pari mori grua e vdiq pa lënë fëmijë.
  30. Dhe i dyti mori gruan; dhe ky vdiq pa lënë fëmijë.
  31. Edhe i treti e mori atë; gjithashtu edhe të shtatët; dhe nuk lanë fëmijë, dhe vdiqën.
  32. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja.
  33. Në ngjallje, pra, grua e kujt nga ata do të jetë? Sepse edhe të shtatët e patën atë grua.
  34. Po Jisui u përgjigj e u tha atyre: Të bijtë e kësaj jete martojnë e martohen.
  35. Po ata që u bënë të zotët të fitojnë atë jetë dhe ngjalljen prej së vdekurish as martojnë as martohen,
  36. sepse as të vdesin nuk mundin më; sepse janë të ngjashëm me engjëjt; dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ngjalljes.
  37. Dhe se ngjallen të vdekurit, edhe Moisiu e tregoi në ferrë, kur thotë: Zotin Perëndinë e Abrahamit dhe Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakovit.
  38. Edhe Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh; sepse të gjithë rrojnë në të.
  39. Edhe disa nga shkruesit u përgjigjën e thanë:
  40. Mësues, mirë the. Edhe nuk guxonin më ta pyetnin për asgjë.
  41. Edhe ai u tha atyre: Si thonë, se Krishti është bir i Davidit?
  42. Edhe Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve: “I tha Zoti Zotit tim, rri në të djathtën time,
  43. deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”.
  44. Davidi pra e quan atë Zot, dhe si është i biri i tij?
  45. Edhe tek po dëgjonte gjithë populli, u tha nxënësve të tij:
  46. Ruhuni nga shkruesit që duan të ecin të stolisur, dhe duan përshëndetje nëpër tregjet, dhe fronet e para nëpër sinagogat, dhe vendet e para nëpër darkat;
  47. të cilët hanë shtëpitë e të vejave, duke nxjerrë shkak se falen shumë. Këta do të marrin më tepër mundim.