Joani 2
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 2
- Edhe të tretën ditë u bë dasmë në Kana të Galilesë, dhe e ëma e Jisuit ishte atje.
- Edhe u ftua në dasmë edhe Jisui dhe nxënësit e tij.
- Edhe si mbaroi vera, e ëma e Jisuit i thotë: S’kanë verë.
- Jisui i thotë: Ç’ke ti me mua, o grua? Ora ime ende s’ka ardhur.
- E ëma e tij u thotë shërbëtorëve: Bëni ç’t’ju thotë.
- Edhe atje ishin gjashtë enë të gurta të vëna për pastrimin sipas zakonit të Judenjve, që nxinin secila nga dy a tri masa.
- Jisui u thotë atyre: Mbushni enët me ujë.
- Edhe ata i mbushën deri sipër. Pastaj u thotë atyre: Nxirrini tani, dhe çojani të parit të tryezës. Edhe ata i çuan.
- Edhe i pari i tryezës, si u provua uji që ishte bërë verë, dhe nuk e dinte nga është - po shërbëtorët që kishin nxjerrë ujin e dinin - i pari i tryezës thërret dhëndërin,
- edhe i thotë: Çdo njeri më përpara nxjerr verën e mirë, dhe si të dehen, atëherë nxjerr të dobtën; kurse ti ke ruajtur verën e mirë deri tani.
- Këtë nisje të çudirave Jisui e bëri në Kana të Galilesë dhe shfaqi lavdinë e tij; dhe nxënësit e tij i besuan.
- Pastaj zbriti në Kapernaum, ai dhe e ëma e të vëllezërit dhe nxënësit e tij; dhe ndenjën atje jo shumë ditë.
- Edhe pashka e Judenjve ishte afër, dhe Jisui u ngjit në Jerusalem.
- Edhe gjeti në tempull ata që shisnin qe e dhen e pëllumba, dhe sarafët duke ndenjur.
- Edhe si bëri një fshikull litarësh, i nxori të gjithë nga tempulli, edhe dhentë edhe qetë; dhe derdhi paret e sarafëve, dhe tryezat i përmbysi.
- Edhe atyre që shisnin pëllumbat u tha: Ngrejini këto këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie.
- Atëherë u ra ndër mend nxënësve të tij se është shkruar: “Zilia për shtëpinë tënde më hëngri”.
- Judenjtë pra u përgjigjën e i thanë: Ç’shenjë na tregon, që i bën këto?
- Jisui u përgjigj e u tha atyre: Prisheni këtë tempull dhe për tri ditë do ta ngre.
- Edhe Judenjtë thanë: Ky tempull është ndërtuar për dyzet e gjashtë vjet, dhe ti do ta ngresh atë për tri ditë?
- Po ai thoshte për tempullin e trupit të tij.
- Kur u ngjall pra prej së vdekurish, u ra ndër mend nxënësve të tij se për këtë u thoshte atyre; dhe i besuan shkrimit, dhe asaj fjalës që u tha Jisui.
- Edhe kur qe në Jerusalem për të kremten e pashkës, shumë veta besuan në emrin e tij, duke vështruar çudirat që bënte.
- Po vetë Jisui nuk u besonte atyre, sepse i njihte të gjithë,
- dhe sepse s’kishte nevojë që t’i jepte dëshmi ndonjëri për njeriun, sepse e dinte ç’ishte përbrenda njeriut





