Joani 3
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 3
- Edhe ishte një njeri nga Farisenjtë, që e kishte emrin Nikodhim, një nga të parët e Judenjve.
- Ky erdhi natën tek Jisui dhe i tha: Rabi, e dimë se nga Perëndia ke ardhur mësues; sepse asnjë s’mund të bëjë këto shenja që bën ti, në mos qoftë Perëndia bashkë me të.
- Jisui u përgjigj e i tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind njeriu prej së larti, s’mund të shohë mbretërinë e Perëndisë.
- Nikodhimi i thotë: Si mund të lindet njeriu duke qenë plak? Mos mundet të hyjë për së dyti në barkun e së ëmës së tij e të lindë?
- Jisui u përgjigj: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind njeriu prej uji e prej Shpirti, s’mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
- Ç’ka lindur prej mishit, është mish, dhe ç’ka lindur prej Shpirtit, është shpirt.
- Mos u çudit pse të thashë se duhet të lindni ju prej së larti.
- Era ku të dojë fryn, dhe i dëgjon zërin, po s’di nga vjen, e ku vete; kështu është edhe kushdo që ka lindur prej Shpirtit.
- Nikodhimi u përgjigj e i tha: Si mund të bëhen këto?
- Jisui u përgjigj e i tha: Ti je mësues i Izraelit, dhe nuk i di këto?
- Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, se atë që dimë flasim, dhe për atë që pamë japim dëshmi, po dëshminë tonë nuk e pranoni.
- Nëse ju thashë juve punët e dheut, dhe nuk besoni, si do të besoni, nëse ju them punët e qiellit?
- Edhe asnjë s’ka hipur në qiell, veç ai që ka zbritur nga qielli, i Biri i njeriut, që është në qiell.
- Edhe sikurse Moisiu ngriti lart gjarpërin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe i Biri i njeriut;
- që të mos humbasë kushdo që t’i besojë, por të ketë jetë të përjetshme.
- Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.
- Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij.
- Ai që i beson atij, nuk gjykohet; por ai që nuk beson, që tani është dënuar, sepse nuk besoi në emrin e të vetëmlindurit Bir të Perëndisë.
- Edhe ky është gjyqi, se drita erdhi në botë, dhe njerëzit deshën më tepër errësirën se dritën; sepse punët e tyre ishin të liga.
- Sepse kushdo që bën të këqija, i ka mëri dritës, dhe nuk vjen tek drita, që të mos zbulohen punët e tij.
- Por ai që bën të vërtetën, vjen tek drita, që të tregohen punët e tij, se janë bërë në Perëndinë.
- Pastaj erdhi Jisui dhe nxënësit e tij në tokën e Judesë, dhe atje shkonte kohën bashkë me ata dhe pagëzonte.
- Ishte edhe Joani duke pagëzuar në Enon, afër Salemit, sepse atje ishin shumë ujëra; dhe vinin e pagëzoheshin.
- Sepse Joani ende s’ishte hedhur në burg.
- U bë pra një diskutim për punë pastrimi prej nxënësve të Joanit me disa Judenj.
- Edhe erdhën tek Joani dhe i thanë atij: Rabi, ai që ishte bashkë me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja ky tek po pagëzon, dhe të gjithë vijnë tek ai.
- Joani u përgjigj e tha: Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.
- Ju vetë dëshmoni për mua se thashë: Unë nuk jam Krishti, po se jam dërguar përpara atij.
- Ai që ka nusen, është dhëndëri; dhe miku i dhëndërit, ai që rri e dëgjon atë, gëzohet me ngazëllim të madh për zërin e dhëndërit.
- Ky pra, gëzimi im u mbush. Ai duhet të shtohet, e unë të pakësohem.
- Ai që vjen prej së larti, është sipër të gjithave. Ai që është prej dheut, prej dheut është, edhe prej dheut flet; ai që vjen prej qiellit, është sipër të gjithave.
- Edhe atë që pa e dëgjoi, për këtë dëshmon; po asnjë nuk e pranon dëshminë e tij.
- Ai që pranon dëshminë e tij, ka vënë vulë se Perëndia është i vërtetë.
- Sepse ai që ka dërguar Perëndia, fjalët e Perëndisë flet; sepse Perëndia nuk e jep Shpirtin e tij me masë.
- Ati e do Birin, dhe të gjitha ia ka dhënë në dorë.
- Ai që i beson Birit ka jetë të përjetshme; po ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi atë.





