Joani 5
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 5
- Pas këtyre ishte një e kremte e Judenjve; dhe Jisui u ngjit në Jerusalem.
- Edhe në Jerusalem afër derës së dhenve është një pellg uji që quhet Hebraisht Betesdà, dhe ka pesë kamare.
- Në këto dergjej një turmë e madhe të sëmurësh, të verbrish, të çalësh, të paralizuarish që pritnin lëvizjen e ujit.
- Sepse kohë pas kohe zbriste një engjëll në pellg dhe trazonte ujin; ai pra që të hynte më përpara pas trazimit të ujit, bëhej i shëndoshë prej çfarëdo sëmundjeje që të kishte.
- Edhe atje ishte një njeri, që kishte i sëmurë tridhjetë e tetë vjet.
- Jisui kur e pa këtë se po dergjej, dhe mori vesh se tashmë prej shumë kohe ishte i sëmurë, i thotë: A do të bëhesh i shëndoshë?
- I sëmuri iu përgjigj: Zot, s’kam njeri të më vërë në pellg kur trazohet uji; sepse kur vij unë, një tjetër zbret përpara meje.
- Jisui i thotë: Çohu, ngri shtratin tënd, dhe ecë.
- Edhe përnjëherë njeriu u bë i shëndoshë, dhe ngriti shtratin e tij, dhe ecte. Edhe atë ditë ishte e shtunë.
- Judenjtë pra i thoshin atij që u shërua: Është e shtunë. Nuk është e udhës të ngresh shtratin.
- Ai iu përgjigj atyre: Ai që më shëroi më tha: Ngri shtratin tënd dhe ec.
- E pyetën pra: Cili është ai njeri që të tha: Ngri shtratin tënd dhe ec!
- Po ai që u shërua nuk e dinte cili është; sepse Jisui u shmang, se kishte shumë popull në atë vend.
- Pastaj Jisui e gjen atë në tempull, dhe i tha: Ja tek u bëre i shëndoshë; mos mëkato më, që mos të të bëhet ndonjë gjë më e keqe.
- Njeriu pra shkoi dhe lajmëroi Judenjtë se ai që e bëri të shëndoshë është Jisui.
- Edhe prandaj Judenjtë e ndiqnin Jisuin, dhe kërkonin ta vritnin, sepse i bënte këto ditën e shtunë.
- Po Jisui iu përgjigj atyre: Ati im punon deri tani, dhe unë punoj.
- Prandaj Judenjtë më tepër kërkonin ta vritnin, sepse jo vetëm e prishte të shtunën, po edhe se thoshte se Perëndia është i ati, duke e bërë veten e tij të barabartë me Perëndinë.
- Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetiu, në mos paftë Atin duke bërë këtë; sepse ato që bën ai, këto i bën gjithashtu edhe Biri.
- Sepse Ati e do Birin, dhe i tregon gjithë ato që bën vetë; dhe do t’i tregojë punë më të mëdha se këto, që të çuditeni ju.
- Sepse sikurse Ati ngjall të vdekurit dhe jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që të dojë.
- Sepse Ati nuk gjykon asnjë, po gjithë gjyqin ia dha Birit,
- që të gjithë të nderojnë Birin, sikurse nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
- Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe në gjyq nuk vjen, por shkoi prej vdekjes në jetë.
- Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se vjen një orë, dhe tani është, kur të vdekurit kanë për të dëgjuar zërin e të Birit të Perëndisë, dhe ata që dëgjojnë do të rrojnë.
- Sepse sikurse Ati ka jetë në veten e tij, kështu i dha edhe të Birit të ketë jetë në veten e tij,
- dhe i dha pushtet të bëjë edhe gjyq, sepse është Bir njeriu.
- Mos u çuditni për këtë; se vjen një orë, në të cilën të gjithë ata që janë nëpër varret do të dëgjojnë zërin e tij,
- edhe ata që kanë bërë të mira do të dalin në ngjallje jete; por ata që kanë bërë të liga, në ngjallje gjyqi.
- Unë s’mund të bëj asgjë prej vetes sime. Siç dëgjoj, gjykoj; dhe gjyqi im është i drejtë; sepse s’kërkoj dëshirën time, po dëshirën e Atit që më dërgoi.
- Në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.
- Tjetër është ai që dëshmon për mua; dhe e di se dëshmia që dëshmon për mua është e vërtetë.
- Ju dërguat tek Joani, dhe ai dëshmoi të vërtetën.
- Edhe unë nuk e marr dëshminë prej njeriu; por i them këto, që të shpëtoni ju.
- Ai ishte kandili që digjet e bën dritë; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.
- Por unë e kam dëshminë më të madhe se të Joanit; sepse ato punë që më dha Ati që t’i mbaroj, ato punë që bëj unë, dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar.
- Edhe Ati që më dërgoi, ai dëshmon për mua. As zërin e tij s’e keni dëgjuar kurrë, as fytyrën e tij s’e keni parë.
- Edhe fjala e tij s’qëndron te ju, sepse ju nuk i besoni këtij që dërgoi ai.
- Vëzhgoni shkronjat, sepse ju kujtoni se në ato keni jetë të përjetshme; dhe ato janë ato që dëshmojnë për mua.
- Por s’doni të vini tek unë, që të keni jetë.
- Nuk marr lavdi prej njerëzish.
- Por ju njoha ju se s’keni dashurinë e Perëndisë në veten tuaj.
- Unë kam ardhur në emrin e Atit tim, e nuk më pranoni; në ardhtë ndonjë tjetër në emrin e tij, do ta pranoni atë.
- Si mund të besoni ju që merrni lavdi njëri prej tjetrit, dhe nuk kërkoni lavdinë që është prej të vetmit Perëndi?
- Mos kujtoni se unë do t’ju akuzoj tek Ati; ka kush t’ju akuzojë, Moisiu, tek i cili ju shpresuat.
- Sepse po t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit dhe mua; sepse ai shkroi për mua.
- Por në qoftë se nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?





