Joani 6
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 6
- Pastaj Jisui shkoi përtej detit të Galilesë, të Tiberiadës.
- Edhe shumë njerëz i shkuan pas, sepse shihnin çuditë e tij, që bënte mbi të sëmurët.
- Edhe Jisui u ngjit në mal dhe rrinte atje bashkë me nxënësit e tij.
- Edhe ishte afër pashka, e kremtja e Judenjve.
- Jisui pra, kur ngriti sytë dhe pa se po vinte shumë popull tek ai, i thotë Filipit: Nga do të blejmë bukë, që të hanë këta?
- - Edhe e thoshte këtë, që ta provonte; sepse ai e dinte se ç’do të bënte. -
- Filipi iu përgjigj: Dyqind dinarë bukë nuk u dalin atyre, që të marrë nga një çikë gjithësecili nga ata.
- Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga nxënësit e tij, i thotë:
- Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq. Po ç’janë këto për kaq veta?
- Edhe Jisui tha: Thuajuni njerëzve të rrinë përdhe. Edhe kishte shumë bar në atë vend. Ndenjën pra burrat, rreth pesë mijë veta në numër.
- Edhe Jisui mori bukët, dhe si falënderoi, ua ndau nxënësve, dhe nxënësit atyre që kishin ndenjur përdhe; kështu edhe prej peshqve sa deshën.
- Edhe si u ngopën, u thotë nxënësve të tij: Mblidhni copat që kanë tepruar, që të mos humbasë gjë.
- I mblodhën pra, dhe mbushën dymbëdhjetë kofinë me copa nga të pesë bukët prej elbi që u tepruan atyre që hëngrën.
- Njerëzit pra, kur panë çudinë që bëri Jisui, thoshin se me të vërtetë ky është profeti që ka për të ardhur në botë.
- Jisui pra si e kuptoi se donin të vinin e ta rrëmbenin që ta bënin mbret, iku përsëri në mal vetëm.
- Edhe si u ngrys, nxënësit e tij zbritën në det.
- Edhe hynë në lundër dhe shkuan përtej detit në Kapernaum. Edhe tani ishte bërë errët dhe Jisui nuk kishte ardhur tek ata.
- Edhe deti po ngrihej, se po frynte erë e madhe.
- Pasi vozitën pra rreth njëzet e pesë a tridhjetë stade, shohin Jisuin duke ecur mbi det dhe duke ardhur afër lundrës; dhe u frikësuan.
- Po ai u thotë atyre: Jam unë, mos u frikësoni.
- Deshën pra ta marrin në lundër; dhe përnjëherë lundra u gjend në tokën në të cilën shkonin.
- Të nesërmen turma që kishte ndenjur përtej detit, kur panë se s’kishte atje tjetër lundër, veç një, ajo, në të cilën hynë nxënësit e tij, dhe se nuk hyri Jisui në lundër bashkë me nxënësit e tij, po vetëm nxënësit e tij, ikën.
- - Edhe të tjera lundra erdhën nga Tiberiada afër vendit ku hëngrën bukën, pasi falënderoi Zoti. -
- Turma pra kur pa se Jisui nuk është atje, as nxënësit e tij, hipën edhe ata nëpër lundrat dhe erdhën në Kapernaum duke kërkuar Jisuin.
- Edhe si e gjetën përtej detit, i thanë: Rabi, kur erdhe këtu?
- Jisui iu përgjigj atyre e tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, më kërkoni jo sepse patë çudira, por sepse hëngrët nga bukët dhe u ngopët.
- Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’ua japë juve i Biri i njeriut; sepse këtë e vulosi Ati, Perëndia.
- I thanë pra: Ç’të bëjmë, që të bëjmë punët e Perëndisë?
- Jisui u përgjigj e u tha atyre: Kjo është puna e Perëndisë, t’i besoni atij që ka dërguar ai.
- I thanë pra: Ç’shenjë bën pra ti, që të shohim, e të të besojmë ty? ç’punon?
- Etërit tanë hëngrën mannën në shkretëtirë, siç është shkruar: “Bukë nga qielli u dha atyre të hanë”.
- Jisui pra u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, Moisiu nuk ju dha juve bukën nga qielli; po im Atë ju jep juve bukën e vërtetë nga qielli.
- Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli, dhe që i jep jetë botës.
- I thanë pra: Zot, jepna përherë këtë bukë.
- Edhe Jisui u tha atyre: Unë jam buka e jetës. Ai që vjen tek unë, nuk do të ketë uri; dhe ai që më beson, nuk do të ketë etje kurrë.
- Por ju thashë juve se edhe më patë edhe nuk besoni.
- Gjithë ç’më jep Ati, do të vijë tek unë; dhe atë që të vijë tek unë, nuk do ta nxjerr jashtë.
- Sepse kam zbritur nga qielli, jo për të bërë dëshirën time, po dëshirën e atij që më ka dërguar.
- Edhe kjo është dëshira e Atit që më ka dërguar, nga gjithë ç’më ka dhënë të mos humbas asgjë, po ta ngjall në ditën e fundit.
- Edhe kjo është dëshira e atij që më ka dërguar, kushdo që sheh Birin dhe i beson, të ketë jetë të përjetshme; dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
- Judenjtë pra ankoheshin për atë, se tha: Unë jam buka që zbrita nga qielli.
- Edhe thoshin: A nuk është ky Jisui, i biri i Josifit, të cilit ne i njohim të atin dhe të ëmën; si thotë pra ky se kam zbritur nga qielli?
- Jisui pra u përgjigj e u tha atyre: Mos pëshpërisni me njëri-tjetrin.
- Asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos e sjelltë Ati që më ka dërguar; dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit.
- Është shkruar në profetët: “Edhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia”. Kushdo pra që ka dëgjuar prej Atit dhe është mësuar, vjen tek unë.
- Jo se e ka parë ndonjë Atin, vetëm ai që është nga Perëndia, ky e ka parë Atin.
- Me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson ka jetë të përjetshme.
- Unë jam buka e jetës.
- Etërit tuaj hëngrën mannën në shkretëtirë, dhe vdiqën.
- Kjo është buka që zbret nga qielli, që të hajë ndonjë prej saj dhe të mos vdesë.
- Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës.
- Judenjtë pra haheshin njëri me tjetrin, duke thënë: Si mund të na japë ky të hamë mishin e tij?
- Jisui pra u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, dhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj.
- Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
- Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim, dhe gjaku im është me të vërtetë të pirë.
- Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai.
- Siç më dërgoi Ati që rron, dhe unë rroj për Atin, kështu edhe ai që më ha mua, do të rrojë edhe ai për mua.
- Kjo është buka që zbriti nga qielli; jo sikurse etërit tanë hëngrën mannën dhe vdiqën; ai që ha këtë bukë, do të rrojë për gjithë jetën.
- Këto tha në sinagogë duke mësuar në Kapernaum.
- Shumë veta nga nxënësit e tij kur dëgjuan, thanë: Kjo fjalë është e ashpër. Cili mund ta dëgjojë?
- Edhe Jisui si e kuptoi në vete se nxënësit e tij po ankoheshin për këtë, u tha atyre: Kjo ju skandalizon ju?
- Ç’do të thoni pra, në qoftë se shihni të Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më përpara?
- Shpirti është ai që jep jetë, mishi nuk vlen asgjë. Fjalët që ju flas unë juve, janë shpirt dhe janë jetë.
- Po janë disa prej jush që nuk besojnë. Sepse Jisui e dinte që në fillim cilët janë ata që s’besojnë, dhe cili është ai që do ta tradhtonte.
- Edhe thoshte: Prandaj ju thashë juve se asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos i është dhënë prej Atit tim.
- Që atëherë pra shumë nga nxënësit e tij u kthyen prapa, dhe nuk ecnin më bashkë me të.
- Jisui pra u tha të dymbëdhjetëve: Mos doni të ikni edhe ju?
- Simon Pjetri iu përgjigj pra atij: Zot, tek cili të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
- Dhe ne kemi besuar dhe e kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.
- Jisui pra iu përgjigj atyre: A nuk ju zgjodha unë ju të dymbëdhjetët? Po një prej jush është djall.
- Edhe thoshte për Juda Iskariotin, të birin e Simonit; sepse ky, ndonëse ishte një prej të dymbëdhjetëve, kishte për ta tradhtuar atë.





