AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Joani 9

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit
Share

Joani 9

  1. Edhe duke shkuar, pa një njeri të verbër që prej lindjes.
  2. Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Rabi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër?
  3. Jisui u përgjigj: As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai.
  4. Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë.
  5. Sa të jem në botë, jam drita e botës.
  6. Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, dhe leu sytë e të verbërit me baltën;
  7. Edhe ai i tha atij: Shko e lahu në pellgun e Siloamit, që e përkthyer domethënë i Dërguar. Shkoi pra e u la, dhe erdhi duke parë.
  8. Fqinjët pra, dhe ata që e kishin parë më përpara se ishte i verbër, thoshin: A nuk është ky ai që rrinte e lypte?
  9. Të tjerë thoshin se ky është; dhe të tjerë se i shëmbëllen; por ai u thoshte se unë jam.
  10. I thoshin pra: Si t’u hapën sytë?
  11. Ai u përgjigj e tha: Një njeri që quhet Jisu bëri baltë dhe më leu sytë e më tha: Shko në pellgun e Siloamit dhe lahu. Edhe si shkova e u lava, hapa sytë.
  12. I thanë pra: Ku është ai? Thotë: Nuk e di.
  13. E sjellin te Farisenjtë atë që ishte njëherë i verbër.
  14. Edhe ishte e shtunë, kur bëri baltën Jisui dhe i hapi atij sytë.
  15. Përsëri pra e pyesnin edhe Farisenjtë: Si i hapi sytë? Edhe ai u tha atyre: Vuri baltë mbi sytë e mi, dhe u lava, dhe shoh.
  16. Disa pra prej Farisenjve thoshin: Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk ruan të shtunën. Të tjerë thoshin: Si mund të bëjë të tilla çudira një njeri mëkatar? Edhe kishte një përçarje në mes tyre.
  17. I thonë përsëri të verbërit: Ti ç’thua për atë, sepse të hapi sytë? Edhe ai tha se është profet.
  18. Judenjtë pra nuk besuan për atë se ishte i verbër dhe hapi sytë, deri sa thërritën prindërit e atij që iu hapën sytë.
  19. Edhe i pyetën duke thënë: Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Si sheh pra tani?
  20. Prindërit e atij iu përgjigjën atyre, e thanë: E dimë se ky është biri ynë, dhe se ka lindur i verbër.
  21. Po si sheh tani nuk e dimë; ose cili i hapi sytë, ne nuk e dimë; ai moshën e ka, pyeteni. Ai do të flasë për veten e tij.
  22. Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë tani kishin lidhur fjalë, që ai që ta pohojë për Krisht të nxirret jashtë sinagogës.
  23. Prandaj prindërit e tij thanë se moshën e ka, pyeteni.
  24. Thirrën pra për së dyti njeriun që kishte qenë i verbër, dhe i thanë: Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar.
  25. Ai pra u përgjigj e tha: Në është mëkatar, nuk e di; një gjë di, se qeshë i verbër, dhe tani shoh.
  26. Edhe i thanë përsëri: Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?
  27. Iu përgjigj atyre: Tani jua thashë juve, dhe nuk dëgjuat; ç’doni përsëri të dëgjoni? Mos edhe ju doni të bëheni nxënës të tij?
  28. E shanë pra, dhe thanë: Ti je nxënës i atij, po ne jemi nxënës të Moisiut.
  29. Ne dimë se Perëndia i foli Moisiut, po këtë nuk e dimë nga është.
  30. Njeriu u përgjigj e u tha atyre: Në këtë është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është, dhe mua më hapi sytë.
  31. Edhe e dimë se Perëndia nuk dëgjon mëkatarë; po në pastë ndonjë frikë Perëndie dhe të bëjë dëshirën e tij, këtë e dëgjon.
  32. Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër.
  33. Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.
  34. U përgjigjën e i thanë: Ti ke lindur i tërë në mëkate, dhe ti na mëson? Dhe e nxorën jashtë.
  35. Jisui dëgjoi se e nxorën jashtë; dhe si e gjeti, i tha: I beson Birit të Perëndisë?
  36. Ai u përgjigj e tha: Cili është ai, Zot, që t’i besoj?
  37. Edhe Jisui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai është që flet bashkë me ty.
  38. Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal.
  39. Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, dhe të bëhen të verbër ata që shohin.
  40. Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të i dëgjuan këto, dhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër?
  41. Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim; mëkati juaj pra mbetet.