Joani 9
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 9
- Edhe duke shkuar, pa një njeri të verbër që prej lindjes.
- Edhe nxënësit e tij e pyetën, duke thënë: Rabi, cili mëkatoi, ky apo prindërit e tij, që të lindë i verbër?
- Jisui u përgjigj: As ky mëkatoi, as prindërit e tij, po që të tregohen punët e Perëndisë tek ai.
- Unë duhet të bëj punët e atij që më dërgoi, deri sa është ditë; vjen nata, kur asnjë s’mund të punojë.
- Sa të jem në botë, jam drita e botës.
- Pasi tha këto, pështyu përdhe dhe bëri baltë prej pështymës, dhe leu sytë e të verbërit me baltën;
- Edhe ai i tha atij: Shko e lahu në pellgun e Siloamit, që e përkthyer domethënë i Dërguar. Shkoi pra e u la, dhe erdhi duke parë.
- Fqinjët pra, dhe ata që e kishin parë më përpara se ishte i verbër, thoshin: A nuk është ky ai që rrinte e lypte?
- Të tjerë thoshin se ky është; dhe të tjerë se i shëmbëllen; por ai u thoshte se unë jam.
- I thoshin pra: Si t’u hapën sytë?
- Ai u përgjigj e tha: Një njeri që quhet Jisu bëri baltë dhe më leu sytë e më tha: Shko në pellgun e Siloamit dhe lahu. Edhe si shkova e u lava, hapa sytë.
- I thanë pra: Ku është ai? Thotë: Nuk e di.
- E sjellin te Farisenjtë atë që ishte njëherë i verbër.
- Edhe ishte e shtunë, kur bëri baltën Jisui dhe i hapi atij sytë.
- Përsëri pra e pyesnin edhe Farisenjtë: Si i hapi sytë? Edhe ai u tha atyre: Vuri baltë mbi sytë e mi, dhe u lava, dhe shoh.
- Disa pra prej Farisenjve thoshin: Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk ruan të shtunën. Të tjerë thoshin: Si mund të bëjë të tilla çudira një njeri mëkatar? Edhe kishte një përçarje në mes tyre.
- I thonë përsëri të verbërit: Ti ç’thua për atë, sepse të hapi sytë? Edhe ai tha se është profet.
- Judenjtë pra nuk besuan për atë se ishte i verbër dhe hapi sytë, deri sa thërritën prindërit e atij që iu hapën sytë.
- Edhe i pyetën duke thënë: Ky është biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Si sheh pra tani?
- Prindërit e atij iu përgjigjën atyre, e thanë: E dimë se ky është biri ynë, dhe se ka lindur i verbër.
- Po si sheh tani nuk e dimë; ose cili i hapi sytë, ne nuk e dimë; ai moshën e ka, pyeteni. Ai do të flasë për veten e tij.
- Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë tani kishin lidhur fjalë, që ai që ta pohojë për Krisht të nxirret jashtë sinagogës.
- Prandaj prindërit e tij thanë se moshën e ka, pyeteni.
- Thirrën pra për së dyti njeriun që kishte qenë i verbër, dhe i thanë: Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ky njeri është mëkatar.
- Ai pra u përgjigj e tha: Në është mëkatar, nuk e di; një gjë di, se qeshë i verbër, dhe tani shoh.
- Edhe i thanë përsëri: Ç’të bëri? Si t’i hapi sytë?
- Iu përgjigj atyre: Tani jua thashë juve, dhe nuk dëgjuat; ç’doni përsëri të dëgjoni? Mos edhe ju doni të bëheni nxënës të tij?
- E shanë pra, dhe thanë: Ti je nxënës i atij, po ne jemi nxënës të Moisiut.
- Ne dimë se Perëndia i foli Moisiut, po këtë nuk e dimë nga është.
- Njeriu u përgjigj e u tha atyre: Në këtë është me të vërtetë çudia, se ju s’e dini nga është, dhe mua më hapi sytë.
- Edhe e dimë se Perëndia nuk dëgjon mëkatarë; po në pastë ndonjë frikë Perëndie dhe të bëjë dëshirën e tij, këtë e dëgjon.
- Që prej fillimit të jetës nuk është dëgjuar se hapi njeri sytë e ndonjërit që ka lindur i verbër.
- Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.
- U përgjigjën e i thanë: Ti ke lindur i tërë në mëkate, dhe ti na mëson? Dhe e nxorën jashtë.
- Jisui dëgjoi se e nxorën jashtë; dhe si e gjeti, i tha: I beson Birit të Perëndisë?
- Ai u përgjigj e tha: Cili është ai, Zot, që t’i besoj?
- Edhe Jisui i tha: Edhe e ke parë, dhe ai është që flet bashkë me ty.
- Edhe ai tha: Besoj, o Zot, dhe iu fal.
- Pastaj Jisui tha: Unë për gjyq kam ardhur në këtë botë, që të shohin ata që nuk shohin, dhe të bëhen të verbër ata që shohin.
- Edhe sa prej Farisenjve ishin bashkë me të i dëgjuan këto, dhe i thanë: Mos jemi edhe ne të verbër?
- Jisui u tha atyre: Po të ishit të verbër, nuk do të kishit mëkat; por tani thoni se shohim; mëkati juaj pra mbetet.





