Joani 10
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 10
- Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën që gjetkë, ai është vjedhës e kusar.
- Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve.
- Këtij i hap derën portieri; dhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; dhe i thërret dhentë e tij me emër, dhe i nxjerr.
- Edhe kur nxjerr dhentë e tij, shkon përpara tyre; dhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij.
- Po të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve.
- Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan ç’ishin këto që u fliste atyre.
- Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve.
- Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk u dëgjuan atyre.
- Unë jam dera; në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, dhe do të hyjë, dhe do të dalë, dhe do të gjejë kullotë.
- Vjedhësi nuk vjen, veçse për të vjedhur e për të therur e për të prishur; unë erdha që të kenë jetë, dhe ta kenë me të tepërt.
- Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë vë jetën e tij për dhentë.
- Po ai që është i pajtuar, dhe që s’është bari, i cili nuk i ka dhentë të tijat, sheh ujkun duke ardhur, dhe lë dhentë e ikën, dhe ujku i rrëmben ato, dhe shpërndan dhentë.
- Edhe i pajtuari ikën, sepse është i pajtuar, dhe s’do të dijë për dhentë.
- Unë jam bariu i mirë, dhe njoh të miat, dhe njihem prej të miave,
- Siç më njeh Ati edhe unë e njoh Atin; dhe vë jetën time për dhentë.
- Kam edhe të tjera dhen, të cilat s’janë prej këtij oborri; duhet t’i mbledh edhe ato; dhe do të dëgjojnë zërin tim; dhe do të bëhet një tufë, një bari.
- Prandaj Ati më do, sepse unë vë jetën time, që ta marr përsëri.
- Asnjë s’e heq prej meje, po unë e vë prej vetiu; kam pushtet ta vë, dhe kam pushtet ta marr përsëri. Këtë porosi mora prej Atit tim.
- Përsëri pra u bë një çarje në mes të Judenjve për këto fjalë.
- Edhe shumë prej tyre thoshin: Djall ka, dhe është i marrë; ç’e dëgjoni?
- Të tjerë thoshin: Këto fjalë nuk janë prej të demonizuari; mos mundet djalli t’u hapë sytë të verbërve?
- Edhe u bë e kremtja e shenjtërimit të tempullit në Jerusalem, dhe ishte dimër.
- Edhe Jisui ecte në tempull, në portikun e Solomonit.
- Judenjtë pra e rrethuan, dhe i thoshin: Deri kur do ta mbash në dyshim shpirtin tonë? Nëse je Krishti, na e thuaj në sy.
- Jisui iu përgjigj atyre: Ju thashë juve, dhe nuk besoni. Punët që bëj unë në emrin e Atit tim, këto dëshmojnë për mua.
- Por ju nuk besoni; sepse nuk jeni prej dhenve të mia.
- Siç ju thashë juve, dhentë e mia dëgjojnë zërin tim, dhe unë i njoh; dhe më vijnë pas.
- Edhe unë u jap atyre jetë të përjetshme; dhe nuk do të humbasin për gjithë jetën, dhe nuk do t’i rrëmbejë njeri ato prej dorës sime.
- Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë; dhe asnjë s’mund t’i rrëmbejë prej dorës së Atit tim.
- Unë edhe Ati jemi një.
- Përsëri pra Judenjtë rrëmbyen gurë, që t’i binin me gurë.
- Jisui i u përgjigj atyre: Shumë punë të mira ju rrëfeva juve prej Atit tim. Për ç’punë nga ato më bini me gurë?
- Judenjtë iu përgjigjën, duke thënë: Nuk të qëllojmë me gurë për punë të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, ndonëse je njeri, e bën veten tënde Perëndi.
- Jisui iu përgjigj atyre: A nuk është shkruar në ligjin tuaj: “Unë thashë: Jeni perëndira”?
- Në qoftë se quajti perëndira ata, tek të cilët u bë fjala e Perëndisë, dhe shkrimi s’mund të bjerë poshtë,
- për atë që e shenjtëroi Ati dhe e dërgoi në botë, ju thoni se ti blasfemon, sepse thashë se jam i Biri i Perëndisë?
- Në mos bëj punët e Atit tim, mos më besoni;
- Po nëse i bëj, edhe në mos më besoni mua, besojuni punëve; që të njihni e të besoni se Ati është tek unë, dhe unë tek ai.
- Kërkonin pra përsëri ta kapin; por ai doli nga dora e tyre.
- Edhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku ishte Joani përpara duke pagëzuar, dhe qëndroi atje.
- Edhe shumë veta erdhën tek ai, dhe thoshin se Joani nuk bëri asnjë çudi; po gjithë sa tha Joani për këtë, ishin të vërteta. Edhe atje shumë veta i besuan atij.





