Joani 12
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 12
- Jisui pra gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Betani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish.
- Edhe i bënë darkë atje; dhe Marta shërbente; dhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me të.
- Atëherë Maria mori një litër vaj ere prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, dhe leu këmbët e Jisuit, dhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; dhe shtëpia u mbush me aromën e vajit të erës.
- Një, pra, nga të dymbëdhjetë nxënësit e tij, Juda Iskarioti, i biri i Simonit, ai që do ta tradhtonte, thotë:
- Përse të mos shitej ky vaj ere treqind dinarë e t’u jepej të varfërve?
- Edhe këtë e tha, jo se donte të dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave, dhe mbante ç’viheshin në të.
- Jisui pra tha: Lëre, se e ruajti për ditën e varrimit tim.
- Sepse të varfrit i keni përherë bashkë me vete, po mua nuk më keni përherë.
- Një turmë e madhe pra prej Judenjve morën vesh se është atje; dhe erdhën jo për Jisuin vetëm, po që të shohin edhe Llazarin, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish.
- Po kryepriftërinjtë bënë këshillë, që të vrasin edhe Llazarin.
- Sepse shumë veta prej Judenjve vinin për atë, dhe i besonin Jisuit.
- Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem,
- morën degë palmash, dhe i dolën përpara ta presin, dhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit.
- Edhe Jisui gjeti një pulisht, dhe ndenji mbi të, siç është shkruar:
- “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje”.
- Edhe nxënësit nuk i kuptuan këto në fillim; po kur u lavdërua Jisui, atëherë u ra ndër mend atyre se këto ishin shkruar për të, dhe se këto ia bënë atij.
- Turma pra që ishte bashkë me të dëshmonte se thirri Llazarin nga varri, dhe e ngjalli prej së vdekurish.
- Prandaj edhe turma i doli përpara, sepse dëgjoi se ai kishte bërë këtë çudi.
- Farisenjtë pra i thanë njëri-tjetrit: E shihni se nuk keni dobi fare? Ja bota tek shkoi pas atij.
- Edhe ishin ca Grekë në mes tyre që ishin ngjitur për t’u falur në të kremten.
- Këta pra erdhën te Filipi nga Betsaidaja e Galilesë, dhe i luteshin, duke thënë: Zot, duam të shohim Jisuin.
- Filipi vjen e i thotë Andreas; dhe përsëri Andrea e Filipi i thonë Jisuit.
- Edhe Jisui iu përgjigj atyre, duke thënë: Erdhi ora që të lavdërohet i Biri i njeriut.
- Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos rëntë kokrra e grurit në dhe e të vdesë, ajo mbetet e vetme; por në vdektë, sjell shumë pemë.
- Ai që do jetën e tij do ta humbasë; po ai që urren jetën e tij në këtë botë, do ta ruajë për jetë të përjetshme.
- Në më shërben ndonjë, le të më vijë pas; dhe ku të jem unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im; dhe në qoftë se më shërben ndonjë, Ati do ta nderojë.
- Tani shpirti im është i turbulluar; dhe ç’të them? Atë, shpëtomë nga kjo orë. Po prandaj erdha në këtë orë.
- Atë, lavdëro emrin tënd. Erdhi pra një zë nga qielli: Edhe e lavdërova dhe përsëri do ta lavdëroj.
- Turma pra që kishte ndenjur dhe dëgjoi zërin, thoshte se u bë bubullimë; të tjerë thoshin, se një engjëll i foli atij.
- Jisui u përgjigj e tha: Ky zë nuk u bë për mua, po për ju.
- Tani është gjyqi i kësaj bote; tani urdhëruesi i kësaj bote do të hidhet jashtë.
- Edhe unë në u ngritsha lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë pas vetes sime.
- Edhe këtë e thoshte duke treguar me çfarë vdekjeje do të vdiste.
- Turma u përgjigj: Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; si thua pra ti se i Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Cili është ky Biri i njeriut?
- Jisui pra, u tha atyre: Edhe pak kohë është drita bashkë me ju. Ecni deri sa keni dritën, që të mos ju zërë errësira; sepse ai që ecën në errësirë, nuk di se ku shkon.
- Deri sa keni dritën, t’i besoni dritës, që të bëheni bij të dritës. Këto foli Jisui, dhe iku e u fsheh prej tyre.
- Po ndonëse bëri kaq çudira përpara tyre, nuk i besuan,
- që të përmbushet fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i besoi predikimit tonë? dhe mbi cilin u zbulua krahu i Zotit?”
- Prandaj nuk mund të besonin, sepse përsëri Isaia tha:
- “Verboi sytë e tyre, dhe ashpërsoi zemrën e tyre, që të mos shohin me sytë, dhe të mos kuptojnë me zemrën, dhe të kthehen, e t’i shëroj ata”.
- Këto tha Isaia, kur pa lavdinë e tij dhe foli për të.
- Po edhe prej të parëve shumë veta besuan; po nga frika e Farisenjve nuk rrëfenin, që të mos i nxirrnin jashtë sinagogës;
- sepse deshën lavdinë e njerëzve më tepër se lavdinë e Perëndisë.
- Edhe Jisui bërtiti e tha: Ai që më beson mua, nuk më beson mua, po atij që më dërgoi.
- Edhe ai që më vë re mua, vë re atë që më dërgoi.
- Unë kam ardhur dritë në botë, që të mos mbetet në errësirë kushdo që të më besojë.
- Edhe në dëgjoftë ndonjë fjalët e mia dhe të mos besojë, unë nuk e gjykoj; sepse nuk erdha të gjykoj botën, po që të shpëtoj botën.
- Atë që më hedh poshtë, dhe nuk pret fjalët e mia, ka se kush ta gjykojë; fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit.
- Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më dha porosi ç’të them e ç’të flas.
- Edhe e di se porosia e tij është jeta e përjetshme; pra sa flas unë, siç më ka thënë Ati, kështu flas.





