Joani 16
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 16
- Jua fola juve këto, që të mos skandalizoheni.
- Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; vërtet vjen një orë në të cilën kushdo që t’ju vrasë do të pandehë se i shërben Perëndisë.
- Edhe këto do t’jua bëjnë juve, sepse nuk e njohën Atin, as mua.
- Por jua fola juve këto, që t’i sillni ndër mend, kur të vijë ora, se unë jua thashë juve. Edhe nuk jua thashë juve këto që në fillim, sepse isha bashkë me ju.
- Po tani po shkoj tek ai që më dërgoi, dhe asnjë prej jush s’më pyet: Ku shkon?
- Po sepse jua fola juve këto, hidhërimi mbushi zemrën tuaj.
- Por unë po ju them juve të vërtetën, se është mirë për ju të shkoj unë; sepse në mos shkofsha, Ngushëllimtari nuk do të vijë tek ju; por në shkofsha, do ta dërgoj atë tek ju.
- Edhe ai, kur të vijë, do të qortojë botën për faj dhe për drejtësi, dhe për gjyq;
- Për faj, sepse nuk më besojnë;
- edhe për drejtësi, sepse shkoj tek im Atë, dhe më nuk më shihni;
- edhe për gjyq, sepse urdhëruesi i kësaj bote është gjykuar.
- Edhe shumë kam për t’ju thënë juve, po tani nuk mund t’i mbani.
- Po kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetës, do t’ju udhëheqë në gjithë të vërtetën; sepse nuk do të flasë prej vetes, por do të flasë sa të dëgjojë, dhe do t’ju tregojë juve ato ngjarje që do të vijnë.
- Ai do të më lavdërojë, sepse prej simes do të marrë, dhe do t’ju tregojë juve.
- Gjithë sa ka Ati, janë të miat; prandaj thashë, se do të marrë prej simes, dhe do t’jua tregojë juve.
- Edhe pak, dhe nuk do të më shihni; dhe përsëri edhe pak, e do të më shihni; sepse unë po shkoj tek Ati.
- Atëherë disa nga nxënësit e tij i thanë njëri-tjetrit: Ç’është kjo që na thotë: Edhe pak, dhe nuk do të më shihni; dhe përsëri edhe pak, e do të më shihni? Dhe se unë shkoj tek Ati?
- Thoshin pra: Ç’është kjo që thotë: Edhe pak? Nuk dimë se ç’flet.
- Jisui pra kuptoi se donin ta pyesnin, dhe u tha atyre: Për këtë diskutoni njëri me tjetrin, se thashë: Edhe pak, dhe nuk do të më shihni, dhe përsëri, edhe pak, e do të më shihni?
- Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ju do të qani e do të ulërini, po bota do të gëzohet dhe ju do të hidhëroheni, po hidhërimi juaj do të kthehet në gëzim.
- Gruaja, kur lind, ka hidhërim, se i erdhi ora; por si të lindë foshnjen, s’kujton më shtrëngimin, për gëzimin se lindi një njeri në botë.
- Edhe ju pra tani keni hidhërim; po përsëri do t’ju shoh, dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe asnjë nuk e ngre gëzimin tuaj prej jush.
- Edhe në atë ditë nuk do të lypni prej meje asgjë. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se sa t’i lypni Atit në emrin tim, do t’jua japë juve.
- Deri tani nuk lypët asgjë në emrin tim; lypni, dhe do të merrni, që të jetë i plotë gëzimi juaj.
- Jua fola juve këto me përngjasime; por vjen një orë, kur nuk do t’ju flas më juve me përngjasime, po hapur do t’ju tregoj juve për Atin.
- Në atë ditë do të lypni në emrin tim; dhe nuk ju them juve se do t’i lutem Atit për ju.
- Se vetë Ati ju do, sepse ju më keni dashur, dhe keni besuar se unë dola prej Perëndisë.
- Dola prej Atit dhe erdha në botë; përsëri lë botën dhe shkoj tek Ati.
- Nxënësit e tij i thonë: Ja tani tek flet hapur dhe nuk thua asnjë përngjasim.
- Tani e morëm vesh se i di të gjitha, dhe s’ke nevojë të të pyesë ndonjë. Prandaj besojmë se dole nga Perëndia.
- Jisui iu përgjigj atyre: Tani besoni?
- Ja tek vjen një orë, dhe tani erdhi, që të shpërndaheni gjithësecili në të tijat dhe të më lini vetëm; po s’jam vetëm, sepse Ati është bashkë me mua.
- Jua fola juve këto, që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngim; po kini guxim, unë e kam mundur botën.





