AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Joani 17

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit
Share

Joani 17

    1. Këto foli Jisui; pastaj ngriti sytë e tij në qiell e tha: Atë, erdhi ora, lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir,
    2. siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme gjithë atyre që ia ke dhënë.
    3. Edhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin të vërtetin Perëndi dhe Jisu Krishtin që dërgove.
    4. Unë të lavdërova mbi dhe; atë punë që më dhe të bëj e mbarova.
    5. Edhe tani lavdëromë ti, o Atë, pranë teje, me lavdinë që pata pranë teje para se të bëhej bota.
    6. Emrin tënd ua tregova njerëzve që më dhe prej botës. Të tutë ishin e m’i dhe, dhe fjalën tënde e ruajtën.
    7. Tani e njohën se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje.
    8. Sepse fjalët që më dhe, ua dhashë atyre; dhe ata i morën dhe e njohën me të vërtetë se prej teje dola; dhe besuan se ti më dërgove.
    9. Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, po për ata që më dhe, sepse janë të tutë.
    10. Edhe gjithë të miat janë të tuat, dhe të tuat janë të miat; dhe u lavdërova në to.
    11. Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, dhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne.
    12. Kur isha bashkë me ata në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që më dhe i ruajta, dhe asnjë nga ata s’humbi, veç i biri i humbjes, që të përmbushet shkrimi.
    13. Edhe tani po vij tek ti, dhe i flas këto në botë, që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre.
    14. Unë u dhashë atyre fjalën tënde; dhe bota i urrejti, sepse nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota.
    15. Nuk të lutem t’i ngresh ata nga bota, po t’i ruash nga i ligu.
    16. Nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota.
    17. Shenjtëroi ata me të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.
    18. Siç më dërgove mua në botë, dhe unë i dërgova ata në botë.
    19. Edhe unë për ata shenjtëroj veten time, që të jenë edhe ata të shenjtëruar me të vërtetën.
    20. Edhe nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të më besojnë mua me anë të fjalës së tyre.
    21. Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je tek unë, dhe unë tek ti, edhe ata të jenë një tek ne; që të besojë bota se ti më dërgove.
    22. Edhe unë u dhashë atyre lavdinë që më dhe, që të jenë një, sikurse edhe ne jemi një.
    23. Unë tek ata, dhe ti tek unë, që të jenë të përsosur në një, dhe bota ta njohë se ti më dërgove, dhe se i deshe ata siç më deshe mua.
    24. O Atë, dua të jenë bashkë me mua atje ku jam unë edhe ata që më dhe; që të vështrojnë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të ngrihet bota.
    25. O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, po unë të njoha, dhe këta e njohën se ti më dërgove.
    26. Edhe u tregova atyre emrin tënd, dhe do ta tregoj, që të jetë ndër ata dashuria, me të cilën më deshe, dhe unë tek ata.