Joani 17
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 17
- Këto foli Jisui; pastaj ngriti sytë e tij në qiell e tha: Atë, erdhi ora, lavdëro Birin tënd, që të të lavdërojë edhe yt Bir,
- siç i dhe pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme gjithë atyre që ia ke dhënë.
- Edhe kjo është jeta e përjetshme, që të të njohin ty të vetmin të vërtetin Perëndi dhe Jisu Krishtin që dërgove.
- Unë të lavdërova mbi dhe; atë punë që më dhe të bëj e mbarova.
- Edhe tani lavdëromë ti, o Atë, pranë teje, me lavdinë që pata pranë teje para se të bëhej bota.
- Emrin tënd ua tregova njerëzve që më dhe prej botës. Të tutë ishin e m’i dhe, dhe fjalën tënde e ruajtën.
- Tani e njohën se gjithë sa më ke dhënë janë prej teje.
- Sepse fjalët që më dhe, ua dhashë atyre; dhe ata i morën dhe e njohën me të vërtetë se prej teje dola; dhe besuan se ti më dërgove.
- Unë lutem për ata; nuk lutem për botën, po për ata që më dhe, sepse janë të tutë.
- Edhe gjithë të miat janë të tuat, dhe të tuat janë të miat; dhe u lavdërova në to.
- Edhe nuk jam më në botë, po këta janë në botë, dhe unë po vij tek ti. Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd ata që më dhe, që të jenë një si ne.
- Kur isha bashkë me ata në botë, unë i ruaja në emrin tënd; ata që më dhe i ruajta, dhe asnjë nga ata s’humbi, veç i biri i humbjes, që të përmbushet shkrimi.
- Edhe tani po vij tek ti, dhe i flas këto në botë, që ta kenë gëzimin tim të plotë në veten e tyre.
- Unë u dhashë atyre fjalën tënde; dhe bota i urrejti, sepse nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota.
- Nuk të lutem t’i ngresh ata nga bota, po t’i ruash nga i ligu.
- Nuk janë nga bota, siç nuk jam unë nga bota.
- Shenjtëroi ata me të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.
- Siç më dërgove mua në botë, dhe unë i dërgova ata në botë.
- Edhe unë për ata shenjtëroj veten time, që të jenë edhe ata të shenjtëruar me të vërtetën.
- Edhe nuk të lutem vetëm për këta, por edhe për ata që do të më besojnë mua me anë të fjalës së tyre.
- Që të gjithë të jenë një, sikurse ti, o Atë, je tek unë, dhe unë tek ti, edhe ata të jenë një tek ne; që të besojë bota se ti më dërgove.
- Edhe unë u dhashë atyre lavdinë që më dhe, që të jenë një, sikurse edhe ne jemi një.
- Unë tek ata, dhe ti tek unë, që të jenë të përsosur në një, dhe bota ta njohë se ti më dërgove, dhe se i deshe ata siç më deshe mua.
- O Atë, dua të jenë bashkë me mua atje ku jam unë edhe ata që më dhe; që të vështrojnë lavdinë time, që më ke dhënë, sepse më deshe para se të ngrihet bota.
- O Atë i drejtë, bota nuk të njohu, po unë të njoha, dhe këta e njohën se ti më dërgove.
- Edhe u tregova atyre emrin tënd, dhe do ta tregoj, që të jetë ndër ata dashuria, me të cilën më deshe, dhe unë tek ata.





