Joani 21
| Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit |
Joani 21
- Pastaj Jisui ua tregoi veten e tij përsëri nxënësve në detin e Tiberiadës; dhe e tregoi kështu:
- Ishin bashkë Simon Pjetri dhe Thomai që quhet Binjak, dhe Nathanaili që është nga Kana e Galilesë, dhe të bijtë e Zevedheut, dhe dy të tjerë nga nxënësit e atij.
- Simon Pjetri u thotë atyre: Po shkoj të gjuaj peshq. I thonë: Po vijmë edhe ne bashkë me ty. Dolën e hipën në lundër menjëherë, dhe atë natë nuk zunë asgjë.
- Por tani, si u bë mëngjes, Jisui ndenji në breg, po nxënësit nuk e njohën se është Jisui.
- Jisui pra u thotë atyre: Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?
- Iu përgjigjën: Jo. Edhe ai u tha atyre: Hidhni rrjetën në anën e djathtë të lundrës dhe do të gjeni. E hodhën pra dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga sasia e peshqve.
- Ai nxënësi pra, që donte Jisui, i thotë Pjetrit: Eshtë Zoti. Edhe Simon Pjetri, kur dëgjoi se është Zoti, u mbështoll me petkun, sepse ishte lakuriq, dhe u hodh në det.
- Edhe nxënësit e tjerë erdhën me lundrën, sepse nuk ishte larg tokës, po rreth dyqind kut, duke tërhequr rrjetën e peshqve.
- Edhe si zbritën pra në tokë, shohin se atje ishte një zjarr i ndezur, dhe një peshk vënë mbi të, dhe bukë.
- Jisui u thotë atyre: Sillni nga peshqit që zutë tani.
- Simon Pjetri hipi dhe tërhoqi rrjetën mbi tokë plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre.
- Jisui u thotë atyre: Ejani e hani. Po asnjë nga nxënësit nuk guxonte ta pyesë: Cili je ti? Sepse e dinin se është Zoti.
- Vjen pra Jisui dhe merr bukën e ua jep, dhe peshkun gjithashtu.
- Kjo është e treta herë që iu tregua tani Jisui nxënësve të tij, pasi u ngjall prej së vdekurish.
- Pasi hëngrën pra, Jisui i thotë Simon Pjetrit: Simon i Jonait, a më do më tepër se këta? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë atij: Kullot shqerrat e mia.
- I thotë prapë për së dyti: Simon i Jonait, a më do? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë: Ruaj dhentë e mia.
- I thotë për së treti: A më do? Dhe i tha: Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua. Jisui i thotë: Kullot dhentë e mia.
- Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde, dhe ecje ku të doje; po kur të plakesh, do të shtrish duart e tua, dhe tjetër njeri do të të ngjeshë ty, dhe do të të shpjerë aty ku të mos duash.
- Edhe tha këtë, duke shënuar me çfarë vdekje kishte për të lavdëruar Perëndinë.
- Edhe si tha këtë, i thotë: Eja pas meje. Edhe Pjetri u kthye, dhe sheh nxënësin që donte Jisui duke ardhur prapa, i cili në darkë i pati rënë mbi krahëror, e i tha: Zot, cili është ai që të tradhton?
- Pjetri pra kur pa këtë, i thotë Jisuit: Zot, po ky ç’do të bëhet?
- Jisui i thotë: Nëse dua të mbesë ai deri sa të vij unë, ti ç’ke? Ti eja pas meje.
- Doli pra kjo fjalë ndër vëllezërit se ai nxënësi nuk vdes. Po Jisui nuk i tha se nuk vdes; por: Nëse dua të mbesë ai derisa të vij unë, ti ç’ke?
- Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; dhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
- Janë edhe shumë të tjera sa bëri Jisui, të cilat në u shkrofshin një nga një, kujtoj se as bota vetë nuk do t’i nxinte librat që kishin për t’u shkruar. Amin.





