Veprat e Apostujve 2
| Dhiata e Re - Veprat e Apostujve |
Veprat e Apostujve 2
- Edhe kur erdhi dita e Pendikostisë, ishin të gjithë me një zemër në një vend.
- Edhe papritur u bë një oshëtimë nga qielli si oshëtima e një ere që fryn me fuqi, dhe mbushi gjithë shtëpinë ku ishin duke ndenjur.
- Edhe u dukën mbi ta gjuhëra duke u ndarë si prej zjarri, dhe ndenjën mbi gjithësecilin nga ata.
- Edhe u mbushën të gjithë me Shpirt të Shenjtë, e zunë të flisnin me gjuhë të tjera, siç u jepte Shpirti të flisnin.
- Edhe ishin duke ndenjur në Jerusalem Judenj, burra me frikë Perëndie prej çdo kombi nën qiell.
- Edhe kur u bë ky zë, u mblodh turma dhe u turbullua; sepse gjithësecili i dëgjonte ata duke folur në gjuhën e tij.
- Edhe të gjithë mahniteshin e çuditeshin, duke i thënë njëri-tjetrit: Ja, a nuk janë Galileas të gjithë këta që flasin?
- Edhe si gjithësecili nga ne dëgjojmë në gjuhën tonë, në të cilën kemi lindur?
- Partë e Medë e Elamitë, dhe ata që rrinë në Mesopotami e në Jude e në Kapadoki, në Pont e në Azi,
- në Frigji e në Pamfili, në Egjipt e në anët e Libisë pranë Qirenesë, dhe të ardhurit nga Roma, Judenj e të kthyer,
- Kretas e Arabë, i dëgjojmë ata duke folur në gjuhët tona madhëritë e Perëndisë.
- Edhe të gjithë mahniteshin dhe vrisnin mendjen duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, ç’të jetë kjo?
- Edhe të tjerë duke i përqeshur thoshin se janë mbushur me verë të ëmbël.
- Po Pjetri qëndroi bashkë me të njëmbëdhjetët, dhe ngriti zërin e tij dhe u ligjëroi atyre: O burra Judenj dhe gjithë sa rrini në Jerusalem, le të jetë e ditur kjo ndër ju, e vëruni veshin fjalëve të mia.
- Sepse këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju; sepse tani është ora e tretë e ditës.
- Po kjo është ajo që është thënë me anë të profetit Joil:
- “Edhe në ditën e fundit, thotë Perëndia, do të derdh nga Shpirti im mbi çdo mish; dhe do të profetizojnë bijtë tuaj dhe bijat tuaja, dhe djemtë tuaj do të shohin fanitje, dhe pleqtë tuaj do të ëndërrojnë ëndrra.
- Edhe mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia në ato ditë do të derdh nga Shpirti im; dhe do të profetizojnë.
- Edhe do të bëj çudira lart në qiell dhe shenja poshtë mbi dhe, gjak e zjarr e avull tymi.
- Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë e madhja dhe e shquara ditë e Zotit.
- Edhe kushdo që të thërresë në emrin e Zotit, do të shpëtojë”.
- O burra Izraelitë, pa dëgjoni këto fjalë: Jisu Nazaretasin, njeri të treguar tek ju nga Perëndia me fuqira e me çudira e me shenja, të cilat i bëri Perëndia me anë të tij në mes tuaj, siç e dini dhe vetë,
- këtë që ju qe dorëzuar sipas vullnetit të urdhëruar dhe sipas paranjohjes së Perëndisë, ju e zutë dhe me duar paudhësie e mbërthyet dhe e vratë.
- Këtë Perëndia e ngjalli, pasi zgjidhi dhimbjet e këqija të vdekjes, se nuk mund të mbahej ai prej saj.
- Sepse Davidi thotë për të: “Shihja Zotin përpara meje gjithnjë, sepse është nga e djathta ime, që të mos tundem.
- Prandaj u gëzua zemra ime, dhe gjuha ime u ngazëllua; por edhe mishi im do të prehet mbi shpresë.
- Sepse nuk do të lesh shpirtin tim në had, as do të lesh Shenjtin tënd të shohë prishje.
- Më tregove udhë jete; do të më mbushësh me gëzim me fytyrën tënde”.
- O burra vëllezër, mund t’ju them me guxim për kryeatin David, se ai edhe vdiq edhe u varros, dhe varri i tij është tek ne deri në këtë ditë.
- Po duke qenë profet, dhe duke ditur se Perëndia me betim i premtoi se nga pema e mesit të tij, sipas mishit, do të ngjallë Krishtin, që ta vërë të rrijë mbi fronin e tij,
- e pa që më përpara dhe foli për ngjalljen e Krishtit, se shpirti i tij nuk u la në had, as mishi i tij nuk pa prishje.
- Këtë Jisu e ngjalli Perëndia, për të cilin ne të gjithë jemi dëshmitarë.
- Si u ngrit pra lart me dorën e djathtë të Perëndisë, dhe mori nga Ati premtimin e Shpirtit të Shenjtë, derdhi këtë që ju tani shihni e dëgjoni.
- Sepse Davidi nuk u ngjit në qiejt; po ai thotë: “I tha Zoti Zotit tim: Rri në të djathën time,
- deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”.
- Le ta dijë pra fort mirë gjithë shtëpia e Izraelit se këtë Jisuin, të cilin ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot dhe Krisht.
- Edhe si dëgjuan këto, u mallëngjyen në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: Ç’të bëjmë, o burra vëllezër?
- Atëherë Pjetri u tha atyre: Pendohuni, dhe gjithkush prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; dhe do të merrni dhuratën e Shpirtit të Shenjtë.
- Sepse premtimi është mbi ju dhe mbi bijtë tuaj dhe mbi të gjithë ata që janë larg, sa ka për të thirrur Zoti Perëndia ynë.
- Edhe me shumë fjalë të tjera dëshmonte dhe i nxiste ata, duke thënë: Shpëtoni nga ky brez i shtrembër.
- Ata pra që pritën me gëzim fjalën e tij u pagëzuan; dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt.
- Edhe ishin duke pritur në mësimin e apostujve dhe në shoqëri dhe në thyerjen e bukës e në falje.
- Edhe çdo shpirti i hyri frikë; dhe shumë çudira e shenja bëheshin me anë të apostujve.
- Edhe të gjithë ata që besonin ishin bashkë, dhe të gjitha i kishin të përbashkëta.
- Edhe shisnin pronat e pasuritë, e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili.
- Edhe përditë ishin duke pritur me një zemër në tempull, thyenin bukë shtëpi më shtëpi dhe hanin me gëzim e me kthjelltësi zemre,
- duke lavdëruar Perëndinë e duke pasur hir përpara gjithë popullit. Dhe Zoti shtonte përditë në kishë ata që shpëtonin.





