AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Veprat e Apostujve 6

Dhiata e Re - Veprat e Apostujve
Share

Veprat e Apostujve 6

  1. Edhe në ato ditë kur po shumoheshin nxënësit, u bë një ankesë prej Greqishtarëve kundër Hebrenjve, se të vejat e tyre nuk shikoheshin në shërbesën e përditshme të ushqimeve.
  2. Atëherë të dymbëdhjetët thërritën grupin e nxënësve, e thanë: Nuk është e pëlqyeshme për ne të lëmë fjalën e Perëndisë, e të shërbejmë nëpër tryezat.
  3. Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Shpirt të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë.
  4. Kurse ne do të qëndrojmë në falje e në shërbesën e fjalës.
  5. Edhe kjo fjalë u pëlqye përpara gjithë grupit; dhe zgjodhën Stefanin, që ishte burrë plot me besim e me Shpirt të Shenjtë, dhe Filipin e Prohorin e Nikanorin e Timonin e Parmenain, dhe Nikollën që ishte proselit nga Antiokia;
  6. të cilët i vunë para apostujve; dhe pasi u falën, vunë duart mbi ata.
  7. Edhe fjala e Perëndisë shtohej, dhe numri i nxënësve shumohej fort në Jerusalem; dhe një shumicë e madhe nga priftërinjtë dëgjonin besimin.
  8. Edhe Stefani plot me besim e me fuqi, bënte çudira e shenja të mëdha në popull.
  9. Po u ngritën disa nga sinagoga që quhet e Libertinëve, dhe e Qireneasve, dhe e Aleksandriasve, dhe nga ata që ishin nga Kilikia e nga Azia, e diskutonin me Stefanin.
  10. Edhe s’mundnin të dilnin kundër urtësisë edhe Shpirtit, me të cilin fliste.
  11. Atëherë vunë e gënjyen disa njerëz të thonë se e dëgjuam duke folur fjalë sharjeje kundër Moisiut dhe Perëndisë.
  12. Edhe ngritën në këmbë popullin e pleqtë e shkruesit, dhe duke u hedhur mbi atë e rrëmbyen, dhe e prunë në kuvend.
  13. Edhe nxorën përpara dëshmitarë gënjeshtarë, që thoshin: Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë sharjeje kundër këtij vendi të shenjtë, dhe kundër ligjit.
  14. Sepse e dëgjuam atë duke thënë se Jisu Nazaretasi do të prishë këtë vend, dhe do të ndërrojë zakonet që na ka lënë Moisiu.
  15. Edhe gjithë ata që rrinin në kuvend, kur hodhën sytë tek ai, panë fytyrën e tij si fytyrë engjëlli.