Veprat e Apostujve 12
| Dhiata e Re - Veprat e Apostujve |
Veprat e Apostujve 12
- Në atë kohë mbreti Irod vuri duart t’u bëjë keq disave prej kishës.
- Edhe vrau me thikë Jakovin, të vëllain e Joanit.
- Edhe kur pa se kjo është e pëlqyeshme për Judenjtë, vuri ndër mend të zërë edhe Pjetrin; dhe atëherë ishin ditët e të pabrumëtave.
- Edhe e zuri atë dhe e vuri në burg, edhe ua dorëzoi katër palë ushtarëve prej katër vetash secila, që ta ruajnë, sepse pas pashkës donte ta nxirrte përpara popullit.
- Pjetri pra po ruhej në burg; po prej kishës bëhej pa pushim falje për të.
- Edhe kur do ta nxirrte atë Irodi përpara, atë natë Pjetri lidhur me dy vargonj ishte duke fjetur në mes të dy ushtarëve, dhe rojet ruanin burgun përpara derës.
- Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi papandehur, dhe dritë ndriti në atë vend; dhe si i ra Pjetrit në brinjë, e zgjoi, duke thënë: Ngrihu shpejt. Edhe i ranë vargonjtë nga duart.
- Edhe engjëlli i tha: Ngjishu, dhe mbath këpucët e tua; dhe ai bëri ashtu. Edhe i thotë: Vish rrobën tënde, dhe eja pas meje.
- Edhe ai si doli, i vinte pas, dhe nuk dinte se ishte e vërtetë kjo që bëhej prej engjëllit, po pandehte se sheh fanitje.
- Edhe si kaluan rojen e parë e të dytë, erdhën në portën e hekurt që çon në qytet, e cila iu hap atyre prej vetiu; dhe si dolën, shkuan nëpër një rrugë; dhe përnjëherë engjëlli u nda nga ai.
- Edhe Pjetri, si erdhi në vete, tha: Tani e di me të vërtetë se Zoti dërgoi engjëllin e tij dhe më shpëtoi nga dora e Irodit dhe nga gjithë shpresa e popullit të Judenjve.
- Edhe pasi u mendua me vete, erdhi në shtëpinë e Marisë, të ëmës së Joanit që përmbiquhej Mark, ku ishin mjaft veta mbledhur dhe po faleshin.
- Edhe kur trokiti ai në portën e avllisë, erdhi një shërbëtore që quhej Roda, për të dëgjuar.
- Edhe kur njohu zërin e Pjetrit, ajo nga gëzimi nuk hapi portën, po shkoi me vrap brenda e lajmëroi se Pjetri po rri përpara portës.
- Edhe ata i thanë asaj: Shkallove. Po ajo qëndronte duke thënë se kështu është. Edha ata thoshnin se është engjëlli i tij.
- Por Pjetri po qëndronte duke trokitur, dhe si hapën derën, e panë atë dhe u mahnitën.
- Po ai u bëri atyre shenjë me dorë të mos bëjnë zë, e u tregoi atyre si e nxori Zoti nga burgu. Dhe tha: Lajmëroni Jakovin dhe vëllezërit për këto. Edhe doli e shkoi në një vend tjetër.
- Edhe si u bë ditë, u bë shumë trazirë ndërmjet ushtarëve, vallë, ç’u bë Pjetri.
- Edhe Irodi kur e kërkoi e s’e gjeti, pasi pyeti rojet, urdhëroi të vriten, dhe zbriti nga Judea në Qesari dhe shkonte kohën atje.
- Edhe Irodi ishte zemëruar fort me Tirasit e me Sidonasit; po ata erdhën me një zemër tek ai, dhe si i mbushën mendjen Vlastit, kamarierit të mbretit, lypnin të bënin paqe; sepse vendi i tyre ushqehej prej vendit të mbretit.
- Edhe një ditë të caktuar Irodi veshi rrobë mbretërore, dhe ndenji në fron e u ligjëronte atyre.
- Edhe populli me zë të madh thoshte: Ky është zë Perëndie e jo njeriu.
- Edhe menjëherë një engjëll i Zotit e goditi atë; sepse nuk i dha lavdinë Perëndisë; dhe si e hëngrën krimbat dha shpirt.
- Edhe fjala e Perëndisë shtohej e shumohej.
- Edhe Varnava e Sauli, pasi mbaruan shërbesën, u kthyen nga Jerusalemi, pasi morën me vete Joanin që u mbiquajt Mark.





