AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Korinthianëve 1

Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian
Share

2 Korinthianëve 1

    1. Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timothe, kishës së Perëndisë që është në Korinth, bashkë me gjithë shenjtorët që janë në gjithë Akainë,
    2. hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jisu Krisht.
    3. I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, Ati i përdëllimeve dhe Perëndia i çdo ngushëllimi,
    4. që na ngushëllon në çdo hidhërim tonin, që ne të mund të ngushëllojmë ata që gjenden në çdo hidhërim, me anë të ngushëllimit me të cilin ngushëllohemi edhe ne vetë nga Perëndia.
    5. Sepse, siç teprojnë tek ne pësimet e Jisu Krishtit, kështu me anë të Jisu Krishtit tepron edhe ngushëllimi ynë.
    6. Edhe nëse hidhërohemi, hidhërohemi për ngushëllimin dhe për shpëtimin tuaj, që bëhet me anë të durimit të po atyre pësimeve që pësojmë edhe ne; ose nëse ngushëllohemi, ngushëllohemi për ngushëllimin dhe për shpëtimin tuaj; dhe shpresa jonë për ju është e patundur;
    7. duke ditur, se siç jeni pjesëtarë të pësimeve, kështu do të jeni dhe të ngushëllimit.
    8. Sepse nuk duam të mos dini, vëllezër, për hidhërimin tonë që na ndodhi në Azi, se vuajtëm jashtë mase, përmbi fuqinë tonë, aq sa dyshuam edhe për jetën.
    9. Po ne në veten tonë kishim marrë vendimin e vdekjes, që të mos kemi shpresë në veten tonë, po në Perëndinë që ngjall të vdekurit;
    10. i cili na shpëtoi prej një vdekjeje kaq të madhe, dhe na shpëton; në të cilin shpresojmë se edhe prapë do të na shpëtojë,
    11. kur të na ndihmoni edhe ju me lutjet për ne, që të bëhen falënderime për ne prej shumë vetash për dhuratën që na u dha me anë të shumë njerëzve.
    12. Sepse kjo është mburrja jonë, dëshmia e ndërgjegjes sonë, se me thjeshtësi e me kthjellësi Perëndie, e jo me dituri trupore, por me hir Perëndie, u sollëm në botë, dhe më tepër ndaj jush.
    13. Sepse nuk ju shkruajmë të tjera, por ato që lexoni, ose edhe i njihni; dhe shpresoj se edhe deri në fund do t’i njihni,
    14. sikurse edhe na keni njohur pjesërisht, se jemi mburrja juaj, sikurse edhe ju e jona, në ditën e Zotit Jisu.
    15. Edhe me këtë besim doja të vija më parë te ju, që të kishit hir të dytë,
    16. edhe prej jush të shkoja në Maqedoni, dhe përsëri nga Maqedonia të vija tek ju, dhe prej jush të përcillesha për në Jude.
    17. Duke menduar pra këtë, vallë, mos veprova me mendjelehtësi? Apo sa mendoj, sipas trupit i mendoj, që të jetë tek unë po po, e jo jo?
    18. Po Perëndia është besnik, se fjala jonë për ju s’u bë po dhe jo.
    19. Sepse i Biri i Perëndisë Jisu Krisht, që u predikua ndër ju me anën tonë, me anën time dhe të Siluanit dhe të Timotheut, s’u bë po dhe jo, po u bë po tek ai.
    20. Sepse sa janë premtime Perëndie janë tek ai po, dhe tek ai amin, për lavdi të Perëndisë me anën tonë.
    21. Edhe ai që na forcon ne bashkë me ju në Krishtin, e që na leu me vaj, është Perëndia,
    22. i cili edhe na vulosi, edhe na dha unazën e Shpirtit në zemrat tona.
    23. Edhe unë thërres dëshmitar Perëndinë në shpirtin tim, se për t’ju kursyer nuk erdha më në Korinth.
    24. Jo se kemi pushtet mbi besimin tuaj, po se jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj; sepse qëndroni në besim.