Galatianëve 1
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Galatianëve |
Galatianëve 1
- Pavli, apostull jo prej njerëzish, as me anë njeriu, po me anë të Jisu Krishtit, dhe të Perëndisë Atë që e ngjalli atë prej së vdekurish,
- dhe gjithë vëllezërit që janë bashkë me mua, kishave të Galatisë;
- hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Atë dhe nga Zoti ynë Jisu Krisht,
- që dha veten e tij për mëkatet tona, që të na shpëtojë nga kjo jetë e ligë, sipas vullnetit të Perëndisë dhe Atit tonë,
- të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
- Çuditem se kaq shpejt ikni prej atij që ju thirri me anë të hirit të Krishtit në tjetër ungjill,
- i cili nuk është tjetër, po janë disa veta, të cilët ju turbullojnë dhe duan të ndryshojnë ungjillin e Krishtit.
- Por edhe ne, ose engjëll prej qielli në ju predikoftë tjetër ungjill e jo atë që ju predikuam, qoftë i mallkuar.
- Siç thamë më përpara, edhe tani përsëri them: Në ju predikoftë juve ndonjëri ungjill tjetër e jo atë që keni marrë, qoftë i mallkuar.
- Sepse tani, po bind njerëzit, apo Perëndinë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse po t’u pëlqeja edhe njerëzve, nuk do të isha shërbëtor i Krishtit.
- Po ju bëj të ditur, vëllezër, se ungjilli që u predikua prej meje nuk është sipas njeriut;
- sepse as unë s’e mora prej njeriu, as nuk u mësova prej njeriu, po nëpërmjet zbulesës së Jisu Krishtit.
- Sepse keni dëgjuar për qëndrimin tim dikur në Judaizëm, se tej mase përndiqja kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja atë.
- Dhe dallohesha në Judaizëm më tepër se shumë moshatarë në kombin tim, sepse isha më tepër i zellshëm për traditat e etërve të mi.
- Po kur i pëlqeu Perëndisë, i cili më ndau që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij,
- që të zbulojë Birin e tij tek unë, që ta ungjillëzoj atë ndër kombet, menjëherë nuk u këshillova nga mish ose nga gjak,
- as nuk u ngjita në Jerusalem tek ata që qenë apostuj para meje, por shkova në Arabi, dhe përsëri u ktheva në Damask.
- Pastaj, pas tre vjetësh u ngjita në Jerusalem, për të takuar Pjetrin; dhe qëndrova pranë atij pesëmbëdhjetë ditë.
- Edhe tjetër nga apostujt nuk pashë, veçse Jakovin, vëllanë e Zotit.
- Edhe përsa ju shkruaj juve, ja, tek po ju them përpara Perëndisë se nuk gënjej.
- Pastaj erdha në viset e Sirisë e të Kilikisë,
- dhe nuk isha i njohur personalisht në kishat e Judesë në Krishtin,
- por vetëm kishin dëgjuar se ai që na përndiqte dikur, tani po ungjillëzon besimin që shkatërronte dikur.
- Edhe lavdëronin Perëndinë për shkakun tim.





