AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Kolosianëve 1

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Kolosianëve
Share

Kolosianëve 1

  1. Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timothe,
  2. shenjtorëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin që janë në Kolosë; hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jisu Krisht.
  3. Falënderoj Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jisu Krisht, duke u falur përherë për ju,
  4. pasi dëgjuam për besimin tuaj në Krishtin dhe për dashurinë që keni në gjithë shenjtorët,
  5. për shpresën që ruhet për ju në qiejt, të cilën e keni dëgjuar që përpara në fjalën e së vërtetës së ungjillit,
  6. që arriti tek ju, si dhe në gjithë botën; dhe sjell pemë, si edhe tek ju, që atë ditë që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë me të vërtetë;
  7. siç e mësuat dhe nga Epafrai, bashkëshërbëtori ynë i dashur, i cili është për ju shërbëtor besnik i Krishtit;
  8. i cili edhe na tregoi dashurinë tuaj në Shpirtin.
  9. Prandaj edhe ne, që atë ditë që dëgjuam, nuk pushojmë duke u falur për ju, dhe duke u lutur që të mbusheni prej njohjes së vullnetit të tij me çdo dituri e urtësi shpirtërore;
  10. që të ecni denjësisht për Zotin, për t’i pëlqyer atij në të gjitha, duke sjellë pemë në çdo punë të mirë, dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë;
  11. duke u forcuar me çdo lloj fuqie, sipas pushtetit të lavdisë së tij për çdo durim e zemërgjerësi me gëzim;
  12. duke falënderuar Atin, i cili na bëri të denjë të kemi pjesë në trashëgimin e shenjtorëve në dritë;
  13. i cili na shpëtoi nga pushteti i errësirës dhe na pruri në mbretërinë e Birit të dashurisë së tij,
  14. në të cilin kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e mëkateve;
  15. i cili është shembëllesë e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i gjithë krijesës;
  16. sepse me anë të tij u krijuan të gjitha, sa janë në qiejt e sa janë mbi dhe, të dukshmet e të padukshmet, qoftë frone, qoftë zotërime, qoftë autoritete, qoftë pushtete, të gjitha janë krijuar me anë të atij dhe për atë.
  17. Edhe ai është përpara të gjithave, dhe të gjitha me anë të atij qëndrojnë.
  18. Dhe ai është kryet e trupit, e kishës; ai është nisja, i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai i parë në të gjitha.
  19. Sepse në të i pëlqeu Atit të rrijë gjithë plotësia,
  20. dhe me anë të tij t’i pajtojë të gjitha me veten e tij, duke pajtuar me anë të gjakut të kryqit të tij, me anë të atij, edhe ato që janë mbi dhe, edhe ato që janë në qiejt.
  21. Edhe ju, që ishit njëherë të huaj dhe armiq nga mendja me punët e liga,
  22. tani ju pajtoi me Perëndinë në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë përpara vetes së tij shenjtorë e faqebardhë e të pafajshëm,
  23. në qëndrofshi në besim të themelosur e të patundur, e të mos luani nga shpresa e ungjillit që dëgjuat, i cili u predikua në gjithë krijesën që është nën qiell, ungjill të cilit unë Pavli iu bëra shërbëtor.
  24. Tani gëzohem në pësimet e mia për ju, dhe mbush mungesat e shtrëngimeve të Krishtit në mishin tim për trupin e atij, që është kisha,
  25. së cilës unë iu bëra shërbëtor sipas kujdesit të Perëndisë që m’u dha për ju, që të përmbush predikimin e fjalës së Perëndisë,
  26. misterin që ishte fshehur nga jetët e nga brezat dhe tani u shfaq në shenjtorët e tij;
  27. në të cilët Perëndia deshi të tregojë cila është pasuria e lavdisë së këtij misteri në kombet, i cili është Krishti në ju, shpresa e lavdisë,
  28. të cilin ne e predikojmë duke këshilluar çdo njeri dhe duke mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta nxjerrim çdo njeri të përsosur në Jisu Krishtin.
  29. Për këtë punë edhe mundohem, duke u përpjekur sipas veprimit të atij që vepron tek unë me fuqi.