2 Pjetrit 1
| Dhiata e Re - Letra e dytë e përgjithshme e Apostull Pjetrit |
2 Pjetrit 1
- Simeon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jisu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë besim të çmuar sa edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jisu Krisht;
- hir dhe paqe u shumoftë mbi ju me anë të njohjes së Perëndisë dhe të Jisu Krishtit, Zotit tonë.
- Siç na i fali të gjitha fuqia e tij hyjnore për jetë e shpresëtari me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdi e me mirësi;
- me anë të të cilave na dhuroi premtimet më të çmueshme e më të mëdha, që me anë të këtyre të bëheni pjesëtarë të natyrës së Perëndisë, duke larguar prishjen që vjen në botë me anë të lakmisë.
- Edhe për gjithë këtë punë, duke bërë çdo përpjekje, shtoni në besimin tuaj mirësinë, dhe në mirësinë diturinë,
- edhe në diturinë përmbajtjen e vetes, dhe në përmbajtjen e vetes durimin, dhe në durimin përkushtimin,
- edhe në përkushtimin dashurinë vëllazërore, dhe në dashurinë vëllazërore dashurinë.
- Sepse po të jenë këto ndër ju dhe të shtohen, nuk do t’ju bëjnë përtacë të pafrytshëm në njohjen e Zotit tonë Jisu Krisht.
- Sepse ai, tek i cili nuk janë këto, është i verbër, dritëshkurtër, dhe harroi pastrimin e mëkateve të tij të vjetër.
- Prandaj, vëllezër, kujdesuni më tepër të siguroni thirrjen dhe zgjedhjen tuaj; sepse duke bërë këto, nuk do të mëkatoni kurrë.
- Sepse kështu do t’ju jepet juve plotësisht hyrja në mbretërinë e përjetshme të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht.
- Prandaj nuk do të përtoj t’jua kujtoj këto përherë, ndonëse i dini, dhe jeni të qëndrueshëm në këtë të vërtetë.
- Por unë mendoj se është e drejtë, deri sa jam në këtë tendë, t’ju nxis duke jua sjellë ndërmend.
- Sepse e di, se për së shpejti do ta hedh tej tendën time, sikurse edhe Zoti ynë Jisu Krisht ma shfaqi.
- Por do të kujdesem që ju, edhe pas vdekjes sime, të mundeni përherë t’i kujtoni ato.
- Sepse nuk jua bëmë të ditur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht duke shkuar pas përrallave të thurura me mjeshtëri, por duke ju treguar se me sytë tanë e pamë madhërinë e tij.
- Sepse mori nder e lavdi prej Perëndisë Atë, kur i erdhi atij një zë i tillë prej lavdisë madhështore:
- “Ky është Biri im i dashur, të cilin unë e pëlqeva”. Edhe këtë zë e dëgjuam se erdhi nga qielli, kur ishim bashkë me të në malin e shenjtë.
- Edhe kemi më të vërtetuar fjalën profetike, për të cilën bëni mirë të shikoni si në një kandil që ndrit në një vend të errët, deri sa të zbardhë dita, dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja;
- duke ditur së pari këtë, se asnjë profeci e shkrimit nuk shpjegohet nga pikëpamja vetjake e atij që komenton.
- Sepse kurrë nuk erdhi ndonjë profeci prej dëshire njeriu, por të frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë folën njerëz të shenjtë të Perëndisë.





