AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Romakëve 7

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Romakëve
Share

Romakëve 7

  1. Apo nuk e dini, vëllezër, sepse u flas njerëzve që dinë ligjin, se ligji ka pushtet mbi njeriun sa kohë rron?
  2. Sepse gruaja e martuar është e lidhur nga ligji me burrin deri sa ky është i gjallë; po në vdektë burri, lirohet nga ligji i burrit.
  3. Kur rron pra, burri, në u bashkoftë me tjetër burrë, do të jetë e përdalë; po në vdektë burri, është e çliruar nga ligji, që të mos jetë e përdalë në u bashkoftë me tjetër burrë.
  4. Prandaj, vëllezër të mi, edhe ju jeni të vdekur ndaj ligjit me anë të trupit të Krishtit, që të bashkoheni me tjetër, me atë që u ngjall prej së vdekurish, që të sjellim fryte tek Perëndia.
  5. Sepse kur ishim në mish, dëshirat e mëkateve, që ishin me anë të ligjit, vepronin në pjesët e trupit tonë, që të sjellim fryte në vdekje.
  6. Po tani u zgjidhëm nga ligji, pasi vdiq ai prej të cilit ishim pushtuar, që të veprojmë sipas shpirtit të ri, e jo sipas shkronjës së vjetër.
  7. Ç’të themi pra? Ligji është mëkat? Qoftë larg. Por mëkatin nuk e njoha, veç me anë të ligjit; sepse edhe dëshirimin nuk do ta njihja, po të mos thoshte ligji “Mos lakmo”.
  8. Po mëkati, duke marrë shkak me anë të porosisë, ngjalli tek unë çdo farë dëshirimi; sepse pa ligj mëkati është i vdekur.
  9. Edhe unë rroja një herë pa ligj; po kur erdhi porosia, mëkati u ngjall përsëri, e unë vdiqa,
  10. edhe kështu porosia që u dha për jetë, ajo u gjend tek unë për vdekje.
  11. Sepse mëkati, duke marrë shkak me anë të porosisë, më gënjeu, dhe me anë të saj më vrau.
  12. Prandaj ligji është i shenjtë, dhe porosia e shenjtë dhe e drejtë dhe e mirë.
  13. Ajo pra, që është e mirë, u bë tek unë vdekje? Qoftë larg. Por mëkati, që të duket mëkat, me anë të së mirës pruri tek unë vdekje, që me anë të porosisë mëkati të bëhet fort tepër mëkatar.
  14. Sepse e dimë se ligji është shpirtëror, por unë jam i mishtë, i shitur nën mëkatin.
  15. Sepse atë që bëj nuk e njoh; sepse nuk bëj atë që dua, po bëj atë që kam smirë.
  16. Edhe nëse bëj atë që nuk dua, jam në një fjalë me ligjin, se është i mirë.
  17. Po tani nuk e bëj më unë këtë, po mëkati që rri tek unë.
  18. Sepse e di se nuk rri tek unë, domethënë në mishin tim, gjë e mirë; sepse dashja gjendet tek unë, por të punoj të mirën nuk e gjej;
  19. sepse nuk bëj të mirën që dua të bëj, po të keqen që nuk dua, këtë punoj.
  20. Edhe nëse bëj unë atë që nuk dua, më nuk e bëj unë atë, po mëkati që rri tek unë.
  21. Gjej pra këtë ligj, se kur dua unë të bëj të mirën, gjendet tek unë e liga,
  22. sepse sipas njeriut të brendshëm gjen shfrim në ligjin e Perëndisë.
  23. Por shoh një tjetër ligj në pjesët e trupit tim që lufton kundër ligjit të mendjes sime, dhe më skllavëron në ligjin e mëkatit që është në pjesët e trupit tim.
  24. Mjerë unë njeriu! Kush do të më shpëtojë nga ky trup i vdekjes?
  25. Falënderoj Perëndinë me anë të Zotit tonë Jisu Krisht. Kështu pra unë me mendjen i shërbej ligjit të Perëndisë, por me mishin ligjit të mëkatit.