Romakëve 12
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Romakëve |
Romakëve 12
- Ju lutem pra, vëllezër, për përdëllimet e Perëndisë, t’i tregoni trupat tuaj therorë të gjallë, të shenjtë, të pëlqyeshëm për Perëndinë, adhurimin tuaj logjik.
- Edhe mos u përshtatni me këtë jetë; po shndërrohuni me anë të përtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cila është dëshira e Perëndisë, e mira dhe e pëlqyeshmja dhe e përsosura.
- Sepse me anë të atij hiri që më është dhënë, i them gjithësecilit prej jush të mos mendojë për veten e tij më tepër se sa duhet të mendojë, por të mendojë me urtësi, sipas masës së besimit që i caktoi Perëndia secilit.
- Sepse, siç kemi në një trup shumë pjesë, dhe të gjitha pjesët nuk kanë po atë funksion,
- 5 kështu edhe ne, ndonëse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe gjithësecili jemi pjesë të njëri-tjetrit.
- Edhe kemi dhurata të ndryshme sipas hirit që na u dha; nëse kemi profeci, le të profetizojmë sipas pjesës së besimit që na u dha;
- nëse shërbesë, le të qëndrojmë në shërbesë; kush është mësues, le të jepet pas mësimit;
- kush ka dhuratën e këshillimit, le të japë këshilla; kush jep, le të japë me thjeshtësi; kush është i parë, le të jetë me kujdes; kush përdëllen, le të përdëllejë me hare.
- Dashuria le të jetë pa hipokrizi; urreni të ligën, ngjituni pas së mirës.
- Të doni fort njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim kalojeni njëri-tjetrin.
- Në punë të jeni të papërtueshëm, në shpirt të nxehtë; Zotit t’i shërbeni.
- Në shpresë të gëzoheni; në shtrëngim të duroni; në falje të qëndroni;
- në nevojat e shenjtorëve të ndihmoni; nga mikpritja mos hiqni dorë.
- Bekoni ata që ju përndjekin; bekoni e mos mallkoni.
- Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.
- Kini të njëjtat mendime në mes tuaj; mos u mbani më të lartë, por uluni bashkë me të përulurit; mos e pandehni veten tuaj për të mençur.
- Asnjeriu mos i ktheni të keqe për të keqe; kujdesuni për vepra të mira përpara gjithë njerëzve.
- Nëse mundet, sa varet nga ju, të keni paqe me të gjithë njerëzit.
- Mos merrni shpagim për veten tuaj, o të dashur, po bëjini udhë zemërimit; sepse është shkruar: “Imi është shpagimi; unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”.
- Në i ardhtë uri pra armikut tënd, jepi të hajë; në i ardhtë etje, jepi të pijë; sepse duke bërë këtë do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kryet e tij.
- Mos u mund prej së keqes, po munde të keqen me të mirën.





