2 Korinthianëve 3
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian |
2 Korinthianëve 3
- A mos nisim përsëri të rekomandojmë veten tonë? Apo kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju, ose për letra rekomandimi prej jush?
- Ju jeni letra jonë, e shkruar brenda në zemrat tona, që njihet e lexohet nga të gjithë njerëzit.
- Edhe është e qartë se jeni letër e Krishtit me anë të shërbesës sonë, e shkruar jo me bojë, po me Shpirtin e Perëndisë së gjallë, jo në pllaka guri, po në pllaka zemrash të mishta.
- Edhe të tillë besim kemi në Perëndinë me anë të Krishtit.
- Jo se jemi të zotët vetvetiu të mendojmë gjë si prej vetes sonë, por trimëria jonë është nga Perëndia,
- i cili edhe na bëri të zotët të jemi shërbëtorë të dhiatës së re, jo të shkronjës, por të shpirtit; sepse shkronja vret, kurse shpirti jep jetë.
- Po në qoftë se shërbesa e vdekjes, që është gdhendur me shkronja në gur, u bë e lavdishme, aq sa të bijtë e Izraelit nuk mundeshin të vështronin me sy fytyrën e Moisiut nga lavdia e fytyrës së tij, që do të prishej,
- si nuk do të jetë më shumë e lavdishme shërbesa e Shpirtit?
- Sepse në qoftë se shërbesa e dënimit është lavdi, shumë më tepër tepron në lavdi shërbesa e drejtësisë.
- Sepse as nuk u lavdërua nga kjo anë ajo që qe e lavdishme, për shkak të lavdisë që kapërcen çdo masë.
- Sepse, në qoftë se ajo që do të prishej qe e lavdishme, shumë më tepër është e lavdishme ajo që mbetet.
- Duke pasur pra, të tillë shpresë, flasim me shumë guxim;
- edhe jo si Moisiu që vinte mbulesë mbi fytyrën e tij, që të mos shikonin me sy të bijtë e Izraelit fundin e asaj që do të prishej.
- Po mendjet e tyre u verbuan; sepse deri në ditën e sotme po ajo mbulesë në leximin e dhiatës së vjetër mbetet e pazbuluar, se u shfuqizua me anë të Krishtit.
- Po deri sot, kur lexohet Moisiu, mbulesë gjendet mbi zemrat e tyre.
- Po kur të kthehet Izraeli tek Zoti, mbulesa do të hiqet.
- Dhe Zoti është Shpirti; dhe ku është Shpirti i Zotit, atje ka liri.
- Por ne të gjithë, duke parë me fytyrë të zbuluar, si në pasqyrë, lavdinë e Zotit, ndërrojmë formën në po atë shembëllesë, nga lavdia në lavdi, si prej Shpirtit të Zotit.





