AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Korinthianëve 4

Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian
Share

2 Korinthianëve 4

  1. Prandaj duke pasur këtë shërbesë, siç u përdëllyem, nuk shkurajohemi,
  2. por mohuam të fshehtat e turpit dhe nuk ecim me dinakëri, as nuk shtrembërojmë fjalën e Perëndisë, po me shfaqjen e së vërtetës ia paraqesim veten tonë çdo ndërgjegjeje njerëzore përpara Perëndisë.
  3. Edhe në qoftë se është i mbuluar ungjilli ynë, është i mbuluar për të humburit,
  4. sepse Perëndia i kësaj jete ua verboi mendimet atyre që s’besojnë, që të mos i ndriçojë ata drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, i cili është shembëllesa e Perëndisë.
  5. Sepse s’predikojmë veten tonë, por Zotin Jisu Krisht, dhe veten tonë si shërbëtorë tek ju për Krishtin.
  6. Sepse Perëndia që tha të ndiçojë dritë nga errësira, është ai që ndriçoi në zemrat tona për të dhënë ndriçimin e njohjes së lavdisë së Perëndisë në personin e Jisu Krishtit.
  7. Edhe kemi këtë thesar në enë balte, që të jetë teprimi i fuqisë nga Perëndia dhe jo nga ne.
  8. Në çdo gjë shtrëngohemi, po nuk jemi në ngushticë; jemi të ngatërruar, po nuk dëshpërohemi;
  9. ndiqemi, po nuk jemi të braktisur nga Perëndia; jemi të mposhtur, po jo të humbur,
  10. duke sjellë përreth gjithmonë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jisu, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë.
  11. Sepse ne që rrojmë gjithnjë jepemi në vdekje për Krishtin, që edhe jeta e Jisuit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm.
  12. Kështu vdekja vepron mbi ne, dhe jeta mbi ju.
  13. Edhe duke pasur po atë shpirt besimi, sipas shkrimit “Besova, prandaj fola”, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,
  14. duke ditur se ai që ngjalli Zotin Jisu do të na ngjallë edhe ne me anë të Jisuit, dhe do të na nxjerrë përpara tij bashkë me ju.
  15. Sepse të gjitha janë për ju, që hiri, duke tepruar për falënderimin e më të shumtëve, të teprojë në lavdinë e Perëndisë.
  16. Prandaj nuk shkurajohemi; po ndonëse njeriu ynë i jashtëm prishet, i brendshmi përtërihet dita-ditës.
  17. Sepse hidhërimi ynë i lehtë i përkohshëm përpunon për ne një lavdi të përjetshme tepër të madhe.
  18. Ne nuk i hedhim sytë mbi ato që shihen, po mbi ato që nuk shihen; sepse ato që shihen janë të përkohshme, po ato që nuk shihen janë të përjetshme.