AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Korinthianëve 6

Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian
Share

2 Korinthianëve 6

  1. Edhe si bashkëpunëtorë me të, ju lutemi juve të mos e pritni kot hirin e Perëndisë.
  2. - Sepse thotë: “Në kohë të pëlqyeshme të dëgjova ty, dhe në ditë shpëtimi të ndihmova ty”; ja tani tek është kohë e pëlqyeshme; ja tani tek është ditë shpëtimi. -
  3. Për asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos shahet shërbesa jonë.
  4. Por në çdo gjë e paraqesim veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë, me shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,
  5. në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime;
  6. në pastrim, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi, në Shpirt të Shenjtë, në dashuri johipokrite;
  7. në fjalë të së vërtetës, në fuqi Perëndie; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën;
  8. në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; si gënjeshtarë, po të vërtetë;
  9. si të panjohur, po të njohur mirë; si njerëz që vdesin, po ja tek rrojmë; si të munduar, po jo të vdekur;
  10. si të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; si të varfër, po shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë gjë, po të gjitha i kemi në dorë.
  11. Goja jonë u hap për ju, o Korinthianë, zemra jonë u zgjerua.
  12. Nuk jeni ngushtë tek ne, por jeni ngushtë brenda jush.
  13. Dhe për të na e shpërblyer - ju flas si bijve - bëhuni edhe ju të gjerë.
  14. Mos hyni në një zgjedhë me të pabesët; sepse ç’pjesë ka drejtësia me padrejtësinë? Edhe ç’shoqëri ka drita me errësirën?
  15. Edhe ç’gjë të përbashkët ka Krishti me Velialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?
  16. Ose ç’pajtim ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, siç tha Perëndia: “Se do të banoj në mes tyre, dhe do të eci; dhe do t’u jem Perëndi, dhe ata do të jenë populli im”.
  17. Prandaj “dilni nga mesi i tyre”, dhe “shkëputuni nga ata, thotë Zoti”, dhe “mos prekni asgjë të papastër”, dhe “unë do t’ju pres brenda”,
  18. dhe “do të jem Ati juaj, dhe do të jeni bijtë e mi dhe bijat e mia, thotë Zoti i Gjithëpushtetshëm”.