2 Korinthianëve 7
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian |
2 Korinthianëve 7
- Duke pasur pra, të dashur, këto premtime, le të pastrojmë veten tonë nga çdo ndyrësi trupi e shpirti, duke punuar shenjtëri me frikë Perëndie.
- Na bëni vend; askujt s’i bëmë keq; asnjeri nuk prishëm në karakter, nga askush nuk përfituam.
- Nuk e them këtë për t’ju dënuar; sepse ju thashë që më parë, se jeni në zemrat tona, aq sa të vdesim bashkë e të rrojmë bashkë.
- I shumtë është guximi im tek ju, e shumtë mburrja ime për ju; jam plot me ngushëllim, ndjej gëzim shumë të madh në gjithë hidhërimin tonë.
- Sepse edhe pasi erdhëm në Maqedoni, trupi ynë nuk pati fare prehje, po u mundua për çdo gjë; jashtë luftime, përbrenda frikë.
- Po Perëndia që ngushëllon të përulurit, na ngushëlloi me ardhjen e Titos.
- Edhe jo vetëm me ardhjen e tij, po edhe me ngushëllimin që u ngushëllua tek ju, duke na treguar për mallin tuaj të madh, qarjen tuaj, zellin tuaj për mua; aq sa u gëzova tepër.
- Sepse, ndonëse ju hidhërova me letrën, nuk pendohem, ndonëse më vinte keq; sepse shoh se ajo letër, megjithëse për pak kohë, ju hidhëroi.
- Tani gëzohem, jo se u hidhëruat, por se u hidhëruat për pendim; sepse u hidhëruat sipas udhës së Perëndisë, që të mos ju bëhet juve ndonjë dëm prej nesh.
- Sepse hidhërimi sipas udhës së Perëndisë sjell pendim për shpëtim, për të cilin nuk pendohet njeriu; por hidhërimi i botës sjell vdekje.
- Sepse ja, po ajo punë, hidhërimi juaj sipas Perëndisë, sa kujdes solli tek ju! Po sa shfajësim, po sa zemërim, po sa frikë, po sa mall, po sa zell, po sa shpagim! Në të gjitha e treguat veten tuaj se jeni të pastër në këtë punë.
- Prandaj, edhe nëse ju shkrova, nuk e bëra këtë për atë që ka bërë padrejtësi, as për atë të cilit iu bë padrejtësi, po që t’ju tregojmë kujdesin tonë për ju përpara Perëndisë.
- Prandaj u ngushëlluam; dhe mbi ngushëllimin tuaj u gëzuam së tepërmi për gëzimin e Titos, se iu qetësua shpirti nga ju të gjithë.
- Se nëse u mburra për gjë tek ai për ju, nuk u turpërova; po siç jua thamë juve të gjitha me të vërtetë, kështu edhe mburrja jonë tek Tito për ju doli e vërtetë.
- Edhe dashuria e tij për ju atij i shtohet më tepër, kur kujton bindjen e ju të gjithëve, si me frikë e me drithërim e pritët atë.
- Gëzohem pra, që guxoj për gjithçka tek ju.





