2 Korinthianëve 10
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthian |
2 Korinthianëve 10
- Edhe vetë unë Pavli ju lutem nëpërmjet butësisë e ëmbëlsisë së Krishtit, unë i cili faqe jush jam i përulur, e nga larg i guximshëm ndaj jush;
- dhe ju lutem, që, kur të jem i pranishëm, të mos marr guxim me besimin, me të cilin mendoj të jem i guximshëm kundër disave, të cilët na llogarisin sikur ecim sipas mishit.
- Sepse, ndonëse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit.
- Sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, po të forta prej Perëndisë për të shembur fortesa;
- sepse shembim mendime dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë, dhe robërojmë çdo mendim që t’i bindet Krishtit;
- edhe jemi gati të marrim shpagim për çdo mosbindje, kur bindja juaj të bëhet e plotë.
- Ju shihni ende ato që duken në sipërfaqe. Nëse ndonjë beson në vetvete se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetvetja, se, siç është ai i Krishtit, kështu edhe ne jemi të Krishtit.
- Sepse, edhe sikur të mburrem ca më tepër për pushtetin tonë, që na dha Zoti për ndërtim, e jo për rrëzimin tuaj, nuk do të turpërohem;
- që të mos dukem se dua t’ju frikësoj me anë të letrave.
- Sepse, thonë, letrat janë të rënda dhe të forta; po qenia e atij këtu me trup është e dobët, dhe fjala e tij e pavlerë.
- Ai që është i këtillë le të dijë këtë, se siç jemi në fjalët me letra, kur jemi larg, të tillë jemi edhe në veprat kur jemi afër.
- Sepse nuk guxojmë të masim ose të krahasojmë veten tonë me disa nga ata që rekomandojnë veten e tyre; po vetë ata duke matur veten e tyre me veten e tyre, dhe duke krahasuar veten e tyre me veten e tyre nuk kuptojnë.
- Po ne nuk do të mburremi jashtë masës, por sipas masës së rregullit që na caktoi Perëndia, masë, sa të arrijmë edhe deri tek ju;
- sepse s’e shtrijmë tepër veten tonë, sikur nuk arritëm tek ju; sepse edhe deri tek ju arritëm me anë të ungjillit të Krishtit.
- Edhe nuk mburremi jashtë masës për mundimet e të tjerëve, po kemi shpresë se, duke u shtuar besimi juaj, do të rritemi tek ju për së tepërmi, sipas rregullit tonë,
- aq sa të predikojmë ungjillin edhe në ato vende që janë përtej jush, që të mos mburremi për ato që janë të përgatitura në vend të huaj.
- Por ai që mburret, në Zotin le të mburret;
- sepse nuk është i sprovuar ai që rekomandon veten e tij, po ai që rekomandon Zoti.





