Galatianëve 2
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Galatianëve |
Galatianëve 2
- Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Varnavën, si mora me vete edhe Titon.
- Edhe u ngjita sipas zbulesës së Perëndisë, dhe u rrëfeva atyre ungjillin që predikoj tek kombet, e veçanërisht më të shquarve, nga frika se mos bredh a brodha më kot.
- Por as Titoja që qe bashkë me mua, ndonëse ishte Grek, nuk u detyrua të rrethpritet;
- dhe për shkak të vëllezërve të rremë që ishin futur fshehurazi, të cilët hynë fshehurazi për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Jisu Krishtin, që të na robërojnë.
- Këtyre nuk iu nënshtruam as për një çast, që të mbetet tek ju e vërteta e ungjillit.
- Edhe për ata që pandehin se diç janë, çfarëdo që të kenë qenë ndonjëherë, fare s’dua t’ia di. Perëndia nuk e vlerëson njeriun nga pamja; sepse ata që duken se diç janë nuk shtuan gjë tek unë;
- po përkundrazi, kur panë se mua m’u besua ungjilli i parrethprerjes, sikurse Pjetrit ungjilli i rrethprerjes,
- - sepse ai që e bëri Pjetrin apostull të të rrethprerëve, më bëri edhe mua që të jem apostull në kombet. -
- Edhe si e njohën hirin që m’u dha, Jakovi dhe Qefai e Joani, të cilët duken se janë shtylla, na dhanë mua dhe Varnavës të djathtat e tyre për shenjë shoqërie, që ne të shkojmë tek kombet, e ata tek të rrethprerët.
- Vetëm na porositën të kujtojmë të varfërit; punë të cilën edhe u kujdesa ta bëj.
- Edhe kur erdhi Pjetri në Antioki, e kundërshtova për faqe, sepse meritonte të qortohej,
- sepse pa ardhur disa veta nga Jakovi, hante bashkë me kombet; po kur erdhën, u tërhoq dhe e ndau veten e tij prej kombeve nga frika e atyre të rrethprerjes.
- Edhe bashkë me atë u tërhoqën edhe Judenjtë e tjerë, aq sa edhe Varnava u tërhoq në hipokrizinë e tyre.
- Po kur pashë se nuk ecin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: Në qoftë se ti që je Judeas rron si kombet, e jo si Judenjtë, pse i detyron kombet të rrojnë si Judenjtë?
- Ne që jemi prej natyre Judenj dhe jo prej kombesh mëkatarë,
- duke ditur se s’del i drejtë njeriu prej veprash ligji, veçse me anë të besimit të Jisu Krishtit, edhe ne i besuam Jisu Krishtit, që të dalim të drejtë prej besimit të Krishtit, dhe jo prej veprave të ligjit; sepse asnjë njeri s’ka për të dalë i drejtë prej veprave të ligjit.
- Po në qoftë se duke kërkuar të dalim të drejtë në Krishtin, u gjetëm edhe ne mëkatarë, Krishti pa fjalë qenka shërbëtor i mëkatit? Qoftë larg.
- Sepse nëse ndërtoj përsëri ato që prisha, bëj veten time ligjshkelës.
- Sepse unë me anë të ligjit vdiqa në ligj, që të rroj në Perëndinë.
- Bashkë me Krishtin u kryqëzova; dhe s’rroj më unë, po Krishti rron tek unë; dhe atë që rroj unë tani në mish, rroj në besimin e Birit të Perëndisë, i cili më deshi dhe dorëzoi veten e tij për mua.
- Nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë; sepse në qoftë drejtësia me anë të ligjit, atëherë Krishti vdiq kot





