2 Thesalonikasve 2
| Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Thesalonik |
2 Thesalonikasve 2
- Edhe sa për ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht, dhe për mbledhjen tonë me atë, ju lutemi, vëllezër,
- të mos lëkundeni shpejt nga mendja, as të mos turbulloheni as prej fryme, as prej fjale, as prej letre si të shkruar gjoja prej nesh, se sikur u afrua dita e Krishtit.
- Le të mos ju gënjejë askush në asnjë mënyrë; sepse s’ka për të ardhur ajo ditë, pa ardhur më përpara rebelimi, dhe të zbulohet njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,
- kundërshtari dhe ai që ngrihet kundër çdo gjëje që quhet Perëndi a lutje, kaq sa të rrijë në tempull të Perëndisë si Perëndi, duke treguar veten e tij se është Perëndi.
- Nuk mbani mend se, edhe kur isha pranë jush, jua thosha këto?
- Edhe tani e dini atë që e ndalon atë, që të zbulohet në kohën e tij.
- Sepse misteri i paudhësisë tani veprohet; vetëm deri sa të hiqet nga mesi ai që e ndalon tani;
- edhe atëherë do të zbulohet i paudhi, të cilin Perëndia do ta humbasë me frymën e gojës së tij, dhe do ta prishë me shfaqjen e ardhjes së tij.
- Ky i paudhë do të vijë pas veprimit të satanait me çdo fuqi e me shenja e me çudira gënjeshtre,
- edhe me çdo mashtrim të padrejtësisë, në mes të atyre që humben; sepse nuk pritën dashurinë e së vërtetës që të shpëtojnë.
- Edhe prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre veprim mashtrimi, që t’i besojnë gënjeshtrës,
- që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, po pëlqyen padrejtësinë.
- Por ne kemi detyrë të falënderojmë Perëndinë përherë për ju, vëllezër të dashur prej Zotit, se Perëndia ju zgjodhi ju që në fillim për shpëtim me anë të shenjtërimit të Shpirtit, dhe me anë të besimit në të vërtetën,
- në të cilën ju thirri me anë të ungjillit tonë, për të fituar lavdinë e Zotit tonë Jisu Krisht.
- Prandaj pra, vëllezër, qëndroni, dhe mbani ato porosi që mësuat, qoftë me anë fjale, qoftë me anë letre prej nesh.
- Edhe vetë Zoti ynë Jisu Krisht, e Perëndia dhe Ati ynë, i cili na deshi e na dha ngushëllim të përjetshëm dhe shpresë të mirë me anë të hirit,
- ngushëlloftë zemrat tuaja e ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.





