AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

1 Timotheut 6

Dhiata e Re - Letra e parë e Apostull Pavlit drejtuar Timotheut
Share

1 Timotheut 6

  1. Sa janë robër nën zgjedhë, le t’i quajnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo lloj nderi, që të mos shahet emri dhe mësimi i Perëndisë.
  2. Edhe ata që kanë zotërinj besimtarë, le të mos i përçmojnë, sepse janë vëllezër; po më shumë le të punojnë për ta, sepse janë besimtarë dhe të dashur ata që shohin dobi nga puna e tyre e mirë.
  3. Këto mëso dhe këshillo. Edhe nëse mëson ndonjëri mësime të tjera dhe nuk shkon pas fjalëve të shëndosha të Zotit tonë Jisu Krisht, dhe pas mësimit që është sipas besimit të mirë,
  4. ky është mendjemadh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundje çështjesh e ngrëniesh me fjalë, prej të cilave del smirë, grindje, sharje, mendime të liga,
  5. fjalime të kota njerëzish të prishur nga mendja, dhe të privuar nga e vërteta, sepse pandehin se besimi i mirë është për fitim. Largohu nga të tillët.
  6. Po fitim i madh është besimi i mirë me përkorje.
  7. Sepse asgjë s’kemi prurë në botë dhe është e qartë se edhe të nxjerrim gjë nuk mundim.
  8. Po kur kemi ushqime e mbulesa, le të na mjaftojnë këto.
  9. Dhe ata që duan të bëhen të pasur, bien në ngasje dhe në lak, dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, të cilat i kredhin njerëzit në prishje e në humbje.
  10. Sepse rrënja e gjithë të ligave është argjenddashja, të cilën disa duke e dëshiruar u larguan nga besimi, dhe u përshkuan në veten e tyre nga shumë të këqija.
  11. Po ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto; dhe ndiq drejtësi, shpresëtari, besim, dashuri, durim, butësi.
  12. Lufto luftën e mirë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën edhe u thirre dhe rrëfeve rrëfimin e mirë përpara shumë dëshmitarëve.
  13. Të porosis përpara Perëndisë që u jep jetë të gjithave, dhe përpara Jisu Krishtit që dëshmoi në ditët e Pont Pilatit rrëfimin e mirë:
  14. Ruaje porosinë të papërlyer, të panjollë, deri në dukjen e Zotit tonë Jisu Krisht,
  15. të cilën në kohën e caktuar do ta tregojë i lumturi dhe i vetmi Sundimtar, Mbreti i atyre që mbretërojnë dhe Zoti i atyre që zotërojnë,
  16. i vetmi që ka pavdekësi dhe që rri në dritë të paafrueshme, të cilin asnjë nga njerëzit nuk e pa, as mund ta shohë; të cilit i qoftë nder e pushtet i përjetshëm. Amin.
  17. Të pasurit në këtë jetë porositi të mos mbahen me të madh, as të mos shpresojnë në pasurinë që s’qëndron, po në Perëndinë e gjallë, i cili na i jep të gjitha dorëhapur për të parë dobi;
  18. të bëjnë punë të mira, të bëhen të pasur në punë të mira, të jenë dorëdhënës, të shoqërueshëm,
  19. duke vënë kështu me pasuri të madhe për veten e tyre një themel për të ardhmen, që të arrijnë jetën e përjetshme.
  20. O Timothe, ruaj atë që të është besuar, duke u larguar nga fjalët e kota të ndyra dhe nga kundërvëniet e asaj që në mënyrë të gënjeshtërt quhet dituri,
  21. nga shkaku i së cilës disa, duke e pasur për mjeshtëri, u larguan nga besimi. Hiri qoftë me ty. Amin.