AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

2 Timotheut 2

Dhiata e Re - Letra e dytë e Apostull Pavlit drejtuar Timotheut
Share

2 Timotheut 2

  1. Ti pra, biri im, forcohu në hirin që është në Jisu Krishtin;
  2. edhe sa dëgjove prej meje me shumë dëshmitarë, jepua njerëzve besimtarë, të cilët do të jenë të zotët të mësojnë edhe të tjerë.
  3. Ti pra vuaj si ushtar i mirë i Jisu Krishtit.
  4. Sepse asnjë që shkon ushtar nuk ngatërrohet me punët e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
  5. Po edhe në luftoftë ndonjëri, nuk kurorëzohet, nëse nuk lufton sipas ligjit.
  6. Bujku që mundohet, duhet i pari të marrë pjesë nga frutat.
  7. Kupto ato që them; dhe Zoti të dhëntë mend për të gjitha.
  8. Ki ndër mend Jisu Krishtin nga fara e Davidit që është ngjallur prej së vdekurish, sipas ungjillit tim,
  9. për të cilin vuaj deri në pranga si keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet.
  10. Prandaj të gjitha i duroj për të zgjedhurit, që të gjejnë edhe ata shpëtimin që është në Jisu Krishtin bashkë me lavdi të përjetshme.
  11. Për të besuar është kjo fjalë; sepse në vdiqëm bashkë me Krishtin, kemi edhe për të jetuar bashkë me të;
  12. në durofshim, kemi edhe për të mbretëruar bashkë me të; në e mohofshim, edhe ai do të na mohojë;
  13. në dalshim të pabesë, ai mbetet besnik; nuk mund të mohojë veten e tij.
  14. Këto kujtojua, duke i porositur ata përpara Zotit, të mos hahen me fjalë, gjë që s’është për asgjë e dobishme, po për prishje të atyre që dëgjojnë.
  15. Kujdesu ta nxjerrësh veten tënde të provuar përpara Perëndisë, punëtor faqebardhë, që pret drejtë fjalën e së vërtetës.
  16. Edhe largohu nga fjalët e kota të ndyra, sepse shtojnë më shumë pabesi;
  17. edhe fjala e tyre do të brejë si kangrenë; nga këta është Himenai dhe Filiti,
  18. të cilët dolën jashtë udhës së të vërtetës, duke thënë se tashmë ngjallja u bë; dhe përmbysin besimin e disave.
  19. Por themeli i fortë i Perëndisë qëndron dhe ka këtë vulë: Zoti njeh ata që janë të tijtë; dhe: Le të largohet nga padrejtësia kushdo që zë në gojë emrin e Krishtit.
  20. Dhe në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë të arta e të argjenta, po edhe të drunjta e prej balte; dhe disa duhen për punë të nderuar, e disa për punë të panderuar.
  21. Në pastroftë pra ndonjë veten e tij nga këto, do të jetë enë për punë të nderuar, e shenjtëruar, dhe e vlefshme për të zotin, e bërë gati për çdo punë të mirë.
  22. Edhe largohu nga dëshirat e djalërisë dhe bjeri pas drejtësisë, besimit, dashurisë, paqes bashkë me ata që thërresin në Zotin me zemër të kthjellët.
  23. Edhe hiq dorë nga diskutimet e marra e të trasha, duke ditur se ato lindin grindje.
  24. Edhe shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, po të jetë i butë me të gjithë, i zoti të mësojë njerëzit, njeri që duron të ligën,
  25. njeri që mëson me butësi ata që kanë mendime të kundërta, dhe kështu mbase u jep atyre Perëndia pendim, që të njohin të vërtetën,
  26. edhe të shpëtojnë nga laku i djallit, prej të cilit janë zënë robër në dëshirën e tij.