Titos 3
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Titos |
Titos 3
- Kujtoju atyre t’u nënshtrohen autoriteteve e pushteteve, t’u binden atyre, të jenë gati për çdo punë të mirë.
- Asnjërin të mos shajnë, të mos zihen, të jenë të butë, duke treguar çdo butësi për gjithë njerëzit.
- Sepse edhe ne ishim njëherë të marrë, të pabindur, të gënjyer, duke u shërbyer dëshirimeve të ndryshme e kënaqësive, duke shkuar jetën në ligësi e në smirë, të mërzitur e duke pasur mëri njëri-tjetrin.
- Po kur u shfaq mirësia dhe dashuria e Shpëtimtarit tonë Perëndi për njerëzit,
- jo prej punësh drejtësie që punuam ne, po sipas përdëllimit të tij na shpëtoi, me anë të banjës së rilindjes, dhe me anë të përtëritjes së Shpirtit të Shenjtë,
- që e derdhi me dorë të hapët mbi ne me anë të Jisu Krishtit, Shpëtimtarit tonë;
- që, pasi të dalim të drejtë me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë sipas shpresës së jetës së përjetshme.
- Për të besuar është fjala; dhe këto dua t’i vërtetosh, që të kujdesen ata që i kanë besuar Perëndisë të jenë të parë për punë të mira. Këto janë të mirat e të dobishmet për njerëzit.
- Po nga diskutime të marra, e gjenealogji njerëzish, e grindje, dhe luftra ligji largohu, sepse janë të padobishme e të kota.
- Nga njeriu heretik, si ta mësosh një herë e dy herë, hiq dorë,
- duke ditur se i tilli është i prishur, dhe mëkaton, sepse e ka dënuar veten.
- Kur të dërgoj Artemain ose Tihikun tek ti, shpejto të vish tek unë në Nikopol, sepse atje vendosa të dimëroj.
- Juristin Zina dhe Apolloin përcilli me kujdes, që të mos u mungojë atyre asgjë.
- Edhe le të mësojnë edhe tanët të jenë të parë për punë të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm.
- Të përshëndesin të gjithë ata që janë bashkë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë bashkë me të gjithë ju. Amin.





