Hebrenjve 2
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve |
Hebrenjve 2
- Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë.
- Sepse nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, dhe çdo shkelje porosie e mosdëgjim mori shpërblim të drejtë,
- atëherë si do të shpëtojmë ne, në mos u kujdesshim për një shpëtim kaq të madh? i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan.
- Edhe Zoti dëshmonte bashkë me shenja e me çudira, e me çdo lloj fuqish, dhe me ndarje dhuratash të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.
- Sepse nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilën po flasim.
- Edhe dikush dëshmoi diku, duke thënë: “Ç’është njeriu, që ta kujtosh? Apo i biri i njeriut që ta vështrosh?
- E bëre pakgjë më të ulët nga engjëjt; me lavdi e me nder e kurorëzove atë, dhe e vure përmbi punët e duarve të tua.
- Të gjitha i vure nën këmbët e tij”, sepse pasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa vënë nën pushtetin e tij. Po tani nuk i shohim ende të gjitha të jenë vënë nën pushtetin e tij.
- Por Jisuin që qe bërë pakgjë më i ulët nga engjëjt e shohim, prej pësimit të vdekjes, të kurorëzuar me lavdi e me nder, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për çdo njeri.
- Sepse i duhej atij, për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit u bënë të gjitha, duke prurë shumë bij në lavdi, të bëjë me anë të pësimeve të përsosur kryetarin e shpëtimit të tyre.
- Meqenëse edhe ai që shenjtëron edhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej njërit, shkak për të cilin nuk turpërohet t’i quajë ata vëllezër,
- duke thënë: “Do t’u rrëfej emrin tënd vëllezërve të mi, në mes të kishës do të të lavdëroj”.
- Edhe prapë: “Unë do të kem shpresën time në atë”; dhe përsëri: “Ja unë, dhe djemtë që më dha Perëndia”.
- Edhe meqenëse djemtë kanë marrë pjesë prej mishi e gjaku, edhe ai gjithashtu mori pjesë prej po atyre gjërave, që të prishë me anë të vdekjes atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,
- edhe të shpëtojë të gjithë ata, të cilët për frikën e vdekjes ishin gjithë jetën e tyre nën skllavëri.
- Sepse me të vërtetë nuk u ndihmon engjëjve, po farës së Abrahamit i ndihmon.
- Prandaj duhej t’u ngjante në gjithçka vëllezërve, që të bëhej kryeprift i dhembshur dhe besnik në punët që kanë të bëjnë me Perëndinë, që të bëjë falje për mëkatet e popullit.
- Sepse me atë që pësoi vetë kur u nga, mund t’u ndihmojë atyre që ngiten.





