AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Hebrenjve 4

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve
Share

Hebrenjve 4

  1. Le të kemi pra, frikë se mos deri sa mbetet ndër ne premtim për të hyrë në prehjen e atij, duket ndonjë prej jush se mbeti jashtë.
  2. Sepse edhe ne jemi ungjillëzuar, sikurse dhe ata; por nuk u bëri atyre dobi fjala që dëgjuan, sepse s’qe bashkuar me besim me ata që e dëgjuan.
  3. Sepse hymë në prehje ne që besuam, siç ka thënë: “Prandaj u betova në zemërimin tim: S’kanë për të hyrë në prehjen time”, ndonëse punët e tij u mbaruan që kur se u themelua bota.
  4. Sepse ka thënë në një vend për të shtatën ditë kështu: “Edhe u preh Perëndia në të shtatën ditë nga gjithë punët e tij”.
  5. Edhe në këtë vend përsëri: “S’kanë për të hyrë në prehjen time”.
  6. Pasi ka mbetur pra, të hyjnë disa veta në atë, dhe ata që u ungjillëzuan më përpara nuk hynë prej mosbindjes së tyre,
  7. përsëri cakton një ditë: “Sot”, duke thënë me anë të Davidit, pas kaq kohe, siç është thënë: “Sot në dëgjofshi zërin e atij, mos i ashpërsoni zemrat tuaja”.
  8. Sepse po t’i kishte prehur ata Jisui i Naviut, nuk do të kishte folur pastaj për një tjetër ditë.
  9. Mbetet pra, prehje për popullin e Perëndisë.
  10. Sepse ai që hyri në prehjen e tij, edhe ai u preh nga punët e tij, sikurse Perëndia nga të tijat.
  11. Le të përpiqemi pra të hyjmë në atë prehje, që të mos bjerë ndonjë në atë shembull të mosbindjes.
  12. Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, dhe më e mprehtë se çdo thikë me dy presa, dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve e të palcave, dhe heton kujtimet e mendimet e zemrës.
  13. Edhe s’ka asnjë krijesë të padukshme përpara tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara në sytë e atij, të cilit ne kemi për t’i dhënë llogari.
  14. Duke pasur pra një kryeprift të madh që depërtoi qiejt, Jisuin, të Birin e Perëndisë, le të mbajmë rrëfimin tonë.
  15. Sepse s’kemi kryeprift që të mos mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po kryeprift që u nga në të gjitha si ne, përveç se nuk mëkatoi.
  16. Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.