AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Hebrenjve 8

Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve
Share

Hebrenjve 8

  1. Edhe përmbledhja e atyre që themi është kjo: Kemi një kryeprift të tillë, i cili ndenji në të djathtë të fronit të madhërisë në qiejt,
  2. edhe është shërbëtor i shenjtërores dhe i tendës së vërtetë, të cilën e nguli Zoti, e jo njeri.
  3. Sepse çdo kryeprift vihet që të sjellë dhurata e therorë; prandaj është e nevojshme të ketë edhe ky diçka që ta bjerë theror.
  4. Sepse po të ishte mbi dhe, nuk do të ishte prift, sepse janë priftërinjtë që sjellin dhuratat sipas ligjit;
  5. të cilët punojnë sipas shembullit dhe sipas hijes së qielloreve, siç i qe thënë Moisiut, kur kishte për të ndërtuar tendën, sepse “Shiko”, thotë, “t’i bësh të gjitha sipas formës që t’u tregua ty në mal”.
  6. Po tani Krishti mori një shërbesë aq të shquar, sa është edhe ndërmjetës i një dhiate më të mirë, e cila u bë ligj përmbi premtimet më të mira.
  7. Sepse po të ishte pa të metë ajo e para, nuk do të kërkohej vend për të dytën.
  8. Sepse Perëndia duke qortuar ata thotë: “Ja tek po vijnë ditë, thotë Zoti, dhe do të bëj një dhiatë të re me shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës,
  9. jo sipas dhiatës që bëra me etërit e tyre atë ditë që i rroka ata prej dore, që t’i nxirrja ata prej dheut të Egjiptit; sepse ata nuk qëndruan në dhiatën time, dhe unë s’i vura re ata, thotë Zoti.
  10. Sepse kjo është dhiata që do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti, do të vë ligjet e mia në mendjet e tyre, dhe do t’i shkruaj ata mbi zemrat e tyre, dhe do t’u jem atyre Perëndi, dhe ata do të më jenë për popull.
  11. Edhe nuk do të mësojnë gjithësecili vëllain e tij, duke thënë: Njih Zotin; sepse të gjithë do të më njohin, që prej të voglit të tyre e deri në më të madhin e tyre.
  12. Sepse do të jem përdëllimtar në paudhësitë e tyre, dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre dhe paligjësitë e tyre”.
  13. Duke thënë “të re” e vjetëroi të parën; dhe ajo që vjetërohet e plaket është afër prishjes