Hebrenjve 13
| Dhiata e Re - Letra e Apostull Pavlit drejtuar Hebrenjve |
Hebrenjve 13
- Dashuria vëllazërore le të mbesë.
- Mos harroni mikpritjen, sepse me anë të kësaj disa pa e ditur pritën engjëj.
- Kujtoni të burgosurit, si të burgosur bashkë me ata; ata që heqin keq, si të jeni edhe vetë në trupin e tyre.
- Martesa le të jetë e ndershme për të gjithë, dhe shtrati i paturpëruar, sepse të përdalët dhe kurorëshkelësit do t’i gjykojë Perëndia.
- Sjelljet tuaja le të jenë pa lakmi argjendi; le t’u jenë mjaft ato që keni tani; sepse ai ka thënë: “Nuk kam për të të lënë, as nuk kam për të hequr dorë prej teje”.
- Prandaj ne me guxim le të themi: “Zoti është ndihmësi im, dhe nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?”.
- Kujtoni të parët tuaj, të cilët ju folën juve fjalën e Perëndisë; besimin e tyre ta keni për shembull, duke pasur përpara syve frytin e sjelljeve të tyre.
- Krishti është po ai dje dhe sot dhe në jetë të jetëve.
- Mos u rrëmbeni prej mësimesh të ndryshme e të huaja; sepse është mirë të forcohet zemra juaj me hir, jo me të ngrëna, ndër të cilat ata që ecën nuk panë dobi.
- Kemi një therore, prej së cilës s’kanë pushtet të hanë ata që adhurojnë në tendë.
- Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave sillet brenda në shenjtërore prej kryepriftit për mëkat, digjen jashtë vendfushimit.
- Prandaj edhe Jisui, që të shenjtërojë popullin me anë të gjakut të tij, pësoi jashtë portës.
- Le të dalim pra tek ai jashtë vendfushimit, duke mbajtur dhunën e atij.
- Sepse nuk kemi këtu qytet që mbetet përherë, po kërkojmë atë që ka për të ardhur.
- Me anë të atij pra, le të sjellim gjithnjë tek Perëndia theror lavdie, domethënë fryt buzësh që rrëfejnë emrin e tij.
- Edhe mos harroni të bëni mirë e t’u jepni ndihmë të varfërve, sepse therore të tilla pëlqen Perëndia.
- Bindjuni të parëve tuaj, dhe dëgjojini; sepse ata rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj, sepse ata do të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim, e jo duke psherëtirë; sepse kjo nuk ju bën dobi juve.
- Faluni për ne, sepse jemi të bindur që kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në gjithçka.
- Por më tepër ju lutemi ta bëni këtë, që të kthehem tek ju më shpejt.
- Edhe Perëndia i paqes, i cili ngriti prej së vdekurish bariun e madh të dhenve me anë të gjakut të dhiatës së përjetshme, Zotin tonë Jisu Krisht,
- u bëftë të përsosur në çdo punë të mirë, që të bëni vullnetin e tij, duke punuar ndër ju atë që është e pëlqyeshme përpara tij, me anë të Jisu Krishtit; të cilit i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.
- Edhe ju lutem, vëllezër, duroni fjalën e këshillës; sepse me pak fjalë ju shkrova juve.
- E dini se vëllai Timothe u lëshua nga burgu, me të cilin, në ardhtë më shpejt, do t’ju shoh juve.
- Përshëndetni gjithë të parët tuaj dhe të gjithë shenjtorët. Ju përshëndesin ata që janë nga Italia.
- Hiri qoftë me ju të gjithë. Amin.





