AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Jakovit 4

Dhiata e Re - Letra e përgjithshme e Apostull Jakovit
Share

Jakovit 4

  1. Nga se vijnë luftra e grindje ndër ju? Jo që këtej, nga dëshirimet që luftojnë në pjesët e trupit tuaj?
  2. Dëshironi, e nuk keni; vritni, e keni smirë, dhe nuk mund t’ia arrini; ziheni e luftoni, po nuk keni, sepse nuk lypni.
  3. Lypni, e nuk merrni, sepse lypni keq, që të prishni në dëshirimet tuaja.
  4. O të përdalë e të përdala, a nuk e dini se miqësia e botës është armiqësi e Perëndisë? Ai pra, që të dojë të jetë mik i botës, bëhet armiku i Perëndisë.
  5. Apo pandehni se më kot Shkrimi thotë: Për smirë dëshiron shpirti që ndenji ndër ne?
  6. Por Perëndia jep një hir më të madh, prandaj thotë: “Perëndia mendjemëdhenjve u rri kundër, po kryeulurve u jep hir”.
  7. Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, dhe do të ikë nga ju.
  8. Afrojuni Perëndisë, dhe do t’ju afrohet juve. Pastroni duart tuaja, o mëkatarë, dhe pastroni zemrat, o të pavendosur.
  9. Hiqni keq e vajtoni e qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në vaj, dhe gëzimi juaj në hidhërim.
  10. Përuluni përpara Zotit, dhe do t’ju ngrerë lart.
  11. Mos flisni keq njëri për tjetrin, vëllezër; ai që flet keq për vëllanë dhe gjykon të vëllanë, flet keq për ligjin dhe gjykon ligjin; dhe nëse gjykon ligjin, nuk je ruajtës i ligjit, por gjykatës i tij.
  12. Një është ligjvënësi që mund të shpëtojë dhe të humbasë; cili je ti që gjykon tjetrin?
  13. Ejani tani ju që thoni: Sot e nesër do të shkojmë në këtë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, dhe do të tregtojmë e do të fitojmë;
  14. ju që nuk dini se ç’do të bëhet nesër. Sepse ç’është jeta juaj? Eshtë me të vërtetë një avull që duket për pakëz kohë, e pastaj humbet.
  15. Në vend që të thoni: Në dashtë Perëndia, dhe në rrofshim, do të bëjmë këtë ose atë.
  16. Po tani mburreni me mendjemadhësitë tuaja; çdo mburrje e tillë është e ligë.
  17. Ai pra, që di të bëjë mirë, dhe nuk bën, për atë ky është mëkat.