AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

1 Pjetrit 3

Dhiata e Re - Letra e parë e përgjithshme e Apostull Pjetrit
Share

1 Pjetrit 3

  1. Gjithashtu edhe ju gratë, bindjuni burrave tuaj, që, edhe nëse nuk i binden disa veta Fjalës, të fitohen pa fjalë nga sjelljet e grave,
  2. pasi të shohin sjelljet tuaja të thjeshta e me frikë.
  3. Stolia juaj le të mos jetë e jashtme, ajo e gërshetimit të flokëve dhe e varjes së stolive të arta, ose e veshjes së rrobave,
  4. por njeriu i fshehtë i zemrës, stolisur me paprishjen e shpirtit të butë dhe të qetë, që përpara Perëndisë është shumë i çmueshëm.
  5. Sepse kështu dikur edhe gratë e shenjta, ato që shpresonin tek Perëndia, stolisnin veten e tyre, duke iu bindur burrave të tyre;
  6. siç i bindej Sara Abrahamit, duke e quajtur atë zot; bija të saj jeni ju, kur bëni mirë dhe nuk trembeni nga asnjë frikë.
  7. Ju burrat, gjithashtu, jetoni bashkë me gratë tuaja me urtësi, duke i nderuar gratë si enë më delikate dhe si bashkëtrashëgimtare të hirit të jetës, që të mos pengohen faljet tuaja.
  8. Edhe së fundi, bëhuni të gjithë në një mendje, të dhembshur, vëlladashës, përdëllimtarë, të sjellshëm.
  9. Mos shpaguani të keq me të keq, apo të sharë me të sharë; por përkundrazi, duke bekuar; sepse për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekim.
  10. “Sepse kush do të dojë jetë, dhe të shohë ditë të bardha, le të pushojë gjuhën e tij nga e keqja, dhe buzët e tij të mos flasin mashtrim;
  11. le të largohet nga e liga, dhe le të bëjë mirë; le të kërkojë paqe, dhe le ta ndjekë atë.
  12. Sepse sytë e Zotit janë mbi të drejtët, dhe veshët e tij në lutjen e tyre; po fytyra e Zotit është kundër atyre që bëjnë keq”.
  13. Edhe kush do t’ju bëjë keq juve, nëse i bini prapa së mirës?
  14. Po edhe nëse hiqni keq për drejtësinë, të lumtur jeni, “dhe nga frika e tyre mos kini frikë, as mos u turbulloni”,
  15. po “shenjtëroni Zotin, Perëndinë” në zemrat tuaja; dhe jini gati përherë të mbroni me butësi e me frikë cilindo që të kërkojë prej jush fjalë për shpresën që është ndër ju;
  16. duke pasur ndërgjegje të mirë, që, aty ku ju përflasin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Jisu Krishtin.
  17. Sepse është më mirë të pësoni duke bërë mirë, nëse është kështu vullneti i Perëndisë, se duke bërë keq.
  18. Sepse edhe Krishti një herë pësoi për mëkatet, i drejtë për të padrejtët, që të na sjellë tek Perëndia, duke vdekur sipas mishit, por duke u ngjallur me anë të Shpirtit;
  19. me anë të të cilit shkoi të predikonte edhe tek shpirtrat që ishin në burg,
  20. të cilët nuk u bindën dikur, kur i priste zemërgjerësia e Perëndisë, në ditët e Noes, ndërsa ndërtohej arka, në të cilën të pakët, domethënë tetë shpirt shpëtuan me anë të ujit,
  21. shëmbëllimi i të cilit tani, pagëzimi, na shpëton edhe ne, - jo hedhja tej e ndyrësisë së trupit, por dëshmia e ndërgjegjes së mirë në Perëndinë, - me anë të ngjalljes së Jisu Krishtit,
  22. i cili shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë, dhe të cilit iu nënshtruan engjëjt dhe pushtetet e fuqitë.