1 Pjetrit 5
| Dhiata e Re - Letra e parë e përgjithshme e Apostull Pjetrit |
1 Pjetrit 5
- U lutem pleqve që janë ndër ju unë plaku, shoku i tyre, dhe dëshmitar i pësimeve të Krishtit, dhe pjesëtar i lavdisë që do të zbulohet:
- Ruani grigjën e Perëndisë që është ndër ju, duke u kujdesur për atë jo me pahir, po me dëshirë; as për fitim të lig, po me gatishmëri;
- as si të jeni zotërinj mbi trashëgimin e Perëndisë, po duke u bërë shembull të grigjës.
- Edhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e pafishkur të lavdisë.
- Gjithashtu edhe ju më të rinjtë, bindjuni pleqve; dhe të gjithë, duke iu bindur njëri-tjetrit, vishni mendjen e përulur; sepse “Perëndia u rri kundër mendjemëdhenjve, po të përulurve u jep hir”.
- Përuluni pra nën dorën e fortë të Perëndisë, që t’ju lartësojë në kohën e duhur.
- Edhe gjithë kujdesin tuaj hidheni mbi atë, sepse ai kujdeset për ju.
- Përmbani veten, rrini zgjuar; sepse ndërgjyqësi juaj, djalli, si luan që ulërin, vjen përqark duke kërkuar cilin të përpijë.
- Atij kundështoini duke qëndruar të fortë në besim, sepse e dini se po ato pësime u bëhen vëllezërve tuaj në botë.
- Edhe Perëndia i çdo hiri, që na thirri në lavdinë e tij të përjetshme me anë të Jisu Krishtit, pasi të pësoni pak, ai ju bëftë të përsosur, ju forcoftë, ju dhëntë fuqi, ju themelostë.
- Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.
- Me anë të Siluanit, vëllait besnik, ju shkrova juve me pak fjalë, siç më duket, duke u lutur e duke dhënë dëshmi, se ky është hiri i vërtetë i Perëndisë, ky në të cilin qëndroni.
- Ju përshëndet kisha që është në Babilonë, që është e zgjedhur bashkë me ju, dhe Marku, biri im.
- Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje dashurie. Paqe mbi të gjithë ju që jeni në Jisu Krishtin. Amin.





