AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

1 Joanit 4

Dhiata e Re - Letra e parë e përgjithshme e Apostull Joanit
Share

1 Joanit 4

  1. Të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por provoni shpirtrat nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë dolën në botë.
  2. Nga kjo e njihni Shpirtin e Perëndisë; çdo shpirt që pohon se Jisu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.
  3. Edhe çdo shpirt që nuk pohon se Jisu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se vjen, dhe që tani është në botë.
  4. Ju bij, jeni nga Perëndia, dhe i keni mundur ata; sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë.
  5. Ata prej botës janë; prandaj prej botës flasin, dhe bota i dëgjon ata.
  6. Ne jemi nga Perëndia; ai që njeh Perëndinë, na dëgjon; ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Nga kjo e njohëm shpirtin e së vërtetës dhe shpirtin e mashtrimit.
  7. Të dashur, le të duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia, dhe kushdo që do ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë.
  8. Ai që nuk ka dashuri, nuk e njohu Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri.
  9. Në këtë u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: Se Perëndia Birin e tij, të vetëmlindurin, e dërgoi në botë, që të rrojmë me anë të atij.
  10. Në këtë është dashuria, jo se ne e deshëm Perëndinë, por se ai na deshi ne dhe dërgoi Birin e tij shpërblim për mëkatet tona.
  11. Të dashur, nëse na deshi kështu Perëndia, edhe ne kemi detyrë të duam njëri-tjetrin.
  12. Asnjë s’e ka parë Perëndinë ndonjëherë. Nëse duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron te ne dhe dashuria e tij është e përsosur te ne.
  13. Nga kjo e njohëm, se mbetemi tek ai, dhe ai te ne, sepse na ka dhënë nga Shpirti i tij.
  14. Edhe ne e kemi parë dhe dëshmojmë se Ati dërgoi Birin Shpëtimtar të botës.
  15. Ai që të pranojë se Jisui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron tek ai, dhe ai tek Perëndia.
  16. Edhe ne e kemi njohur dhe e kemi besuar dashurinë që ka Perëndia për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë, dhe Perëndia në atë.
  17. Në këtë është e përsosur dashuria me ne, që të kemi guxim në ditën e gjyqit; sepse siç është ai, kështu jemi edhe ne në këtë botë.
  18. Frikë nuk ka në dashuri, por dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka mundim dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.
  19. Ne e duam atë, sepse ai i pari na deshi.
  20. Në thëntë ndonjë se dua Perëndinë, dhe urren vëllanë e tij, është gënjeshtar; sepse ai që s’do të vëllanë, të cilin e ka parë, si mund të dojë Perëndinë të cilin s’e ka parë?
  21. Edhe këtë porosi e kemi prej tij: Ai që do Perëndinë, të dojë edhe të vëllanë.