AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 7

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

 Zbulesa 7

  1. Edhe pastaj pashë katër engjëj që rrinin mbi të katër cepat e dheut, dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi çdo dru.
  2. Edhe pashë një tjetër engjëll që u ngjit nga lindja e diellit e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë, dhe u thërriti me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve iu dha t’u bëjnë dëm tokës dhe detit.
  3. E thoshte: Mos i bëni dëm dheut, as detit, as drurëve, deri sa të vulosim shërbëtorët e Perëndisë tonë në ballet e tyre.
  4. Edhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur prej gjithë fiseve të bijve të Izraelit.
  5. Prej fisit të Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Rubinit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Gadit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
  6. prej fisit të Asirit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Neftaliut, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Manasiut, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
  7. prej fisit të Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Leviut, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Isaharit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;
  8. prej fisit të Zavulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Josifit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; prej fisit të Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.
  9. Pastaj pashë, dhe ja një turmë e madhe, të cilën asnjë s’mundej ta numëronte, prej çdo kombi e farësh e popujsh e gjuhësh, që rrinin përpara fronit e përpara Qengjit, veshur me stoli të bardha, dhe mbanin degë palmash në duart e tyre.
  10. Edhe thërrisnin me zë të madh e thoshin: Shpëtimi është i Perëndisë tonë që ka ndenjur mbi fron dhe i Qengjit.
  11. Edhe gjithë engjëjt rrinin përqark fronit dhe pleqve dhe të katër shtazëve, dhe ranë përmbys përpara fronit, e iu falën Perëndisë,
  12. duke thënë: Amin. Bekimi dhe lavdia dhe dituria dhe falënderimi dhe nderi dhe fuqia e forca janë mbi Perëndinë tonë në jetë të jetëve. Amin.
  13. Edhe u përgjigj një nga pleqtë, e më tha: Cilët janë këta që janë veshur me stoli të bardha, dhe nga erdhën?
  14. Edhe i thashë atij: Zot, ti e di. Edhe më tha: Këta janë ata që vijnë prej shtrëngimit të madh; dhe lanë stolitë e tyre, dhe zbardhën stolitë e tyre në gjakun e Qengjit.
  15. Prandaj janë përpara fronit të Perëndisë, dhe e adhurojnë ditë e natë në tempullin e tij. Edhe ai që ka ndenjur mbi fron ka për të ndenjur ndër ata.
  16. Nuk do të kenë uri, as nuk do të kenë më etje, as nuk do të bjerë dielli mbi ta, as çdo lloj vape.
  17. Sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i ruajë ata e do t’i udhëheqë ata në burime ujërash të gjalla dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.