AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 8

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 8

  1. Edhe kur hapi vulën e shtatë, u bë në qiell rreth gjysmë ore pushim.
  2. Edhe pashë të shtatë engjëjt, të cilët rrinin përpara Perëndisë dhe iu dhanë atyre shtatë trumbeta.
  3. Edhe erdhi një tjetër engjëll, dhe qëndroi mbi altar, e mbante një temjanicë të artë; dhe iu dhanë atij shumë temjane, që t’i bjerë bashkë me faljet e gjithë shenjtorëve mbi altarin e artë që është përpara fronit.
  4. Edhe u ngjit tymi i temjaneve me faljet e shenjtorëve prej dorës së engjëllit përpara Perëndisë.
  5. Edhe engjëlli mori temjanicën dhe e mbushi nga zjarri i altarit dhe e hodhi në tokë. Dhe u bënë zëra e bubullima e vetëtima e tërmet.
  6. Edhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë trumbetat u bënë gati që t’u bien trumbetave.
  7. Edhe engjëlli i parë i ra trumbetës, dhe u bë breshër e zjarr përzier me gjak, dhe u hodhën në tokë. Dhe një e treta e drurëve u dogj; dhe çdo bar i njomë u dogj.
  8. Edhe engjëlli i dytë i ra trumbetës, dhe si një mal i madh që digjet me zjarr u hodh në det.
  9. Edhe një e treta e detit u bë gjak; dhe vdiq një e treta e krijesave të gjalla që ishin në det; dhe një e treta e anijeve u prish.
  10. Edhe engjëlli i tretë i ra trumbetës, dhe ra nga qielli një yll i madh që digjej si llambadhë, dhe ra mbi një të tretën e lumejve, dhe mbi burimet e ujërave.
  11. Edhe emri i yllit quhet Apsint; dhe një e treta e ujërave u bë apsint, dhe shumë njerëz vdiqën nga ujërat, sepse u hidhëruan.
  12. Edhe engjëlli i katërt i ra trumbetës, dhe u plagos një e treta e diellit, dhe një e treta e hënës, dhe një e treta e yjeve, që të errësohet një e treta e atyre, dhe dita të mos ndriçojë një të tretën e saj, dhe nata gjithashtu.
  13. Edhe pashë, dhe dëgjova një engjëll që fluturonte në mes të qiellit, që thoshte me zë të madh: Mjerë, mjerë, mjerë ata që rrinë mbi dhe nga zërat e tjerë të trumbetës së të tre engjëjve që do t’u bien trumbetave.