AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Matheut

Matheu 25

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  25

  1. Atëherë mbretëria e qiejve do të ngjajë me dhjetë virgjëresha, të cilat morën llambat e tyre e dolën të presin dhëndrin.
  2. Edhe nga ato, pesë ishin të mençura dhe pesë të marra.
  3. Ato të marrat, kur morën llambat e tyre, nuk morën vaj me vete.
  4. Po të mençurat morën vaj në enët e tyre bashkë me llambat e tyre.
  5. Edhe dhëndri si u vonua, i zuri gjumi të gjitha dhe flinin.
  6. Edhe në mes të natës u bë një thirrje: Ja dhëndri tek po vjen; dilni për ta pritur atë.
  7. Atëherë, gjithë ato virgjëreshat u ngritën dhe ndreqën llambat e tyre.
  8. Po të marrat u thanë të mençurave: Jepnani nga vaji juaj, sepse po na shuhen llambat.
  9. Dhe të mençurat u përgjigjën, duke thënë: Mos nuk do të na dalë neve dhe juve; po më mirë shkoni tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj.
  10. Edhe kur shkuan të blejnë, dhëndri erdhi; dhe ato që ishin gati hynë bashkë me atë në dasmë dhe u mbyll dera.
  11. Po pastaj vijnë edhe virgjëreshat e tjera, e thonë: Zot, zot, hapna.
  12. Por ai u përgjigj e tha: Me të vërtetë po ju them juve, nuk ju njoh.
  13. Rrini zgjuar pra, sepse nuk e dini ditën, as orën, në të cilën vjen Biri i njeriut.
  14. Sepse do të vijë si një njeri, i cili, kur do të ikte në dhe të huaj, thirri shërbëtorët e tij e u dha atyre pasurinë e tij.
  15. Edhe njërit i dha pesë talanta, e tjetrit dy, e tjetrit një; gjithësecilit sipas fuqisë së tij; dhe menjëherë iku në dhe të huaj.
  16. Atëherë ai që mori të pesë talantat, shkoi e punoi me ato dhe bëri pesë talanta të tjera.
  17. Kështu edhe ai që mori dy, fitoi edhe ai dy të tjera.
  18. Po ai që mori njërën, shkoi e gërmoi në dhe, edhe fshehu argjendin e të zotit.
  19. Edhe pas shumë kohe vjen i zoti i atyre shërbëtorëve, dhe bën llogari me ta.
  20. Edhe si i erdhi pranë ai që pati marrë të pesë talantat, pruri pesë talanta të tjera, duke thënë: Zot, pesë talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre pesë talanta të tjera.
  21. Edhe i zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
  22. Erdhi pranë edhe ai që pati marrë të dy talantat, dhe tha:
  23. Zot dy talanta më dhe në dorë, ja tek fitova prej atyre dy talanta të tjera. I zoti i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik. Mbi të pakta qe besnik, mbi të shumta do të të vë. Hyr në gëzimin e tët zoti.
  24. Erdhi pranë edhe ai që pati marrë një talantë, e tha: Zot, të dija se je njeri i ashpër, që korr tek nuk mbolle, dhe mbledh tek nuk shpërndave.
  25. Edhe pasi pata frikë, shkova e fsheha talantën tënde në dhe. Ja tek e ke tënden.
  26. Edhe i zoti u përgjigj e i tha: Shërbëtor i lig e përtac, ti e dije se unë korr tek nuk mbolla, dhe mbledh tek nuk shpërndava.
  27. Duhej pra ta vije argjendin tim te bankierët dhe kur të vija unë, do të merrja timen bashkë me kamatën.
  28. Merrni pra prej atij talantën, dhe jepjani atij që ka të dhjetë talantat.
  29. Sepse kujtdo që ka, do t’i jepet dhe do t’i teprojë; dhe prej atij që s’ka, edhe ajo që të ketë, do të merret prej tij.
  30. Edhe shërbëtorin e pavlefshëm hidheni në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
  31. Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, dhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij.
  32. Edhe do të mblidhen përpara tij gjithë kombet; dhe do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, siç ndan bariu dhentë nga kecat.
  33. Edhe do të vërë dhentë në të djathtë dhe kecat në të majtë.
  34. Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë të tij: Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kur se është themeluar bota.
  35. Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët në shtëpi;
  36. i zhveshur, e më veshët; u sëmura, dhe erdhët të më shihni; isha në burg, dhe erdhët tek unë.
  37. Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem? Apo duke pasur etje, e të dhamë të pish?
  38. Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm nëpër shtëpira? Apo të zhveshur, e të veshëm?
  39. Edhe kur të pamë të sëmurë ose në burg, dhe erdhëm tek ti?
  40. Edhe mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.
  41. Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë: Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij.
  42. Sepse pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e s’më dhatë të pi;
  43. isha i huaj, e nuk më morët brenda; i zhveshur, dhe nuk më veshët; i sëmurë e në burg, dhe nuk erdhët të më shihni.
  44. Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri, a duke pasur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg, e nuk të shërbyem?
  45. Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa nuk i bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, as mua nuk ma keni bërë.
  46. Edhe këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm; dhe të drejtët në jetë të përjetshme.
 

Matheu 27

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  27

  1. Edhe si u gdhi, gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit dhanë e morën këshillë kundër Jisuit, që ta vrasin.
  2. Edhe si e lidhën, e çuan dhe e dhanë në duart e Pont Pilatit, qeveritarit.
  3. Atëherë kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se u gjykua për vdekje, u pendua, dhe ktheu prapë të tridhjetë argjendet te kryepriftërinjtë dhe te pleqtë, duke thënë: Bëra faj që dorëzova gjak të pafajshëm.
  4. Edhe ata thanë: ç’punë kemi ne? Ti ke për të parë.
  5. Edhe ai, si hodhi argjendet në tempull, iku dhe shkoi e u var.
  6. Edhe kryepriftërinjtë si morën argjendet, thanë: Nuk është e udhës t’i vemë ato në thesarin e tempullit, sepse janë çmim gjaku.
  7. Edhe si dhanë e morën këshillë, blenë me to arën e shtëmbarit, për të varrosur atje të huajt.
  8. Prandaj ajo arë u quajt Arë Gjaku, deri në ditët e sotme.
  9. Atëherë u përmbush ç’është thënë me anë të profetit Jeremia, që thotë: “Edhe morën të tridhjetë argjendet, çmimin e të çmuarit nga të bijtë e Izraelit,
  10. dhe i dhanë në arën e shtëmbarit, siç më porositi Zoti”.
  11. Edhe Jisui ndenji përpara qeveritarit; dhe qeveritari e pyeti, duke thënë: Ti je mbreti i Judenjve? Edhe Jisui i tha: Ti po thua.
  12. Edhe kur akuzohej nga kryepriftërinjtë dhe nga pleqtë, nuk përgjigjej fare.
  13. Atëherë Pilati i thotë: Nuk dëgjon sa dëshmojnë kundër teje?
  14. Po ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kaq sa qeveritari çuditej fort.
  15. Edhe qeveritari kishte zakon për të kremte t’i lëshonte popullit një të burgosur, atë që të donin ata.
  16. Dhe atëherë kishin një të burgosur me emër, që quhej Baraba.
  17. Ndërsa ata pra ishin mbledhur, Pilati u tha atyre: Cilin doni t’ju lëshoj juve? Barabain apo Jisuin që quhet Krisht.
  18. Sepse e dinte se e dorëzuan nga smira.
  19. Edhe ndërsa ai po rrinte mbi fronin e gjyqit, gruaja e tij dërgoi një njeri tek ai, e i tha: Ti mos i bëj gjë atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për atë.
  20. Edhe kryepriftërinjtë dhe pleqtë u mbushën mendjen turmave që të lypin Barabain, dhe Jisuin ta vrasin.
  21. Edhe qeveritari u përgjigj e u tha atyre: Cilin nga këta të dy doni t’ju lëshoj juve?
  22. Edhe ata thanë: Barabain. Pilati u thotë atyre: Ç’ta bëj pra Jisuin që quhet Krisht? Të gjithë i thonë: Le të kryqëzohet.
  23. Edhe qeveritari tha: Përse, ç’të keqe ka bërë? Po ata bërtitnin më tepër, duke thënë: Le të kryqëzohet.
  24. Edhe Pilati, si pa se s’ka dobi, po më tepër trazirë bëhet, mori ujë e lau duart përpara turmës, duke thënë: I pafajshëm jam nga gjaku i këtij të drejti. Ju keni për të parë.
  25. Edhe gjithë populli u përgjigj e tha: Gjaku i tij qoftë mbi ne dhe mbi bijtë tanë.
  26. Atëherë u lëshoi atyre Barabain. Dhe Jisuin, si e rrahu me shufër, e dorëzoi që të kryqëzohet.
  27. Atëherë ushtarët e qeveritarit morën me vete Jisuin në pretore (guvernatorat), dhe mblodhën mbi të gjithë togën e ushtarëve.
  28. Edhe e zhveshën, e i veshën atij një rrobë të gjatë të kuqe.
  29. Edhe thurën një kurorë ferrash e ia vunë mbi krye, dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe ranë në gjunjë para tij dhe e përqeshnin, duke thënë: Gëzohu, o mbret i Judenjve.
  30. Edhe si e pështynë, morën kallamin e i binin kokës së tij.
  31. Edhe pasi e përqeshën, i zhveshën rrobat, dhe e çuan ta kryqëzojnë.
  32. Edhe duke dalë, gjetën një njeri Qireneas, që e kishte emrin Simon. Këtë e zunë angari që të ngrerë kryqin e atij.
  33. Edhe kur erdhën në një vend që quhet Golgota, që do të thotë Vendi i Kafkës,
  34. i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, si e provoi, nuk deshi të pinte.
  35. Edhe si e kryqëzuan, ndanë rrobat e tij duke hedhur short, që të plotësohet ç’është thënë nga profeti: “Ndanë rrobat e mia në mes tyre, dhe për veshjen time hodhën short”.
  36. Edhe duke ndenjur e ruanin atë atje.
  37. Edhe vunë sipër kokës së tij shkakun e kryqëzimit të tij të shkruar: Ky është Jisui, mbreti i Judenjve.
  38. Atëherë kryqëzohen bashkë me atë dy kusarë, një në anë të djathtë dhe një në anë të majtë.
  39. Edhe ata që shkonin pranë, e shanin atë duke tundur kryet e tyre, e duke thënë:
  40. Ti që prish tempullin dhe për tri ditë e ndërton, shpëto veten tënde. Në je i Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi.
  41. Kështu edhe kryepriftërinjtë bashkë me shkruesit e pleqtë duke e përqeshur atë thoshin:
  42. Të tjerë shpëtoi, veten e tij nuk mund ta shpëtojë. Në është mbret i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe do t’i besojmë.
  43. Shpresonte në Perëndinë; le ta shpëtojë tani, në qoftë se e do; sepse tha se jam bir Perëndie.
  44. Gjithashtu edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të, e shanin.
  45. Edhe që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë.
  46. Edhe në orën e nëntë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë: “Ili, Ili lama sabakthani”, që do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”
  47. Edhe disa nga ata që ishin atje kur dëgjuan, thanë se ky po thërret Ilian.
  48. Edhe menjëherë u lëshua një nga ata dhe mori një sfungjer dhe e mbushi me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i jepte të pijë.
  49. Edhe të tjerët thoshin: Le të shohim, në qoftë se vjen Ilia ta shpëtojë.
  50. Edhe Jisui si thirri përsëri me zë të madh, dha shpirtin.
  51. Edhe ja kurtina e tempullit tek u ça më dysh prej së larti deri poshtë; dhe toka u tund; dhe gurët plasën;
  52. edhe varret u hapën, dhe shumë trupa shenjtorësh që kishin vdekur u ngjallën,
  53. edhe dolën nga varret pas ngjalljes së tij, e hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumë vetave.
  54. Edhe kryeqindëshi dhe ata që ishin bashkë me të duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe ç’punë u bënë, u frikësuan fort, e thanë: Me të vërtetë ky paska qenë bir Perëndie.
  55. Edhe atje ishin shumë gra duke vëzhguar prej së largu, të cilat kishin shkuar prapa Jisuit nga Galilea, duke i shërbyer atij.
  56. Në mes tyre ishte Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit dhe e Josiut, dhe e ëma e bijve të Zevedheut.
  57. Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea me emrin Josif, që edhe ai vetë kishte qenë nxënës tek Jisui.
  58. Ky shkoi tek Pilati e kërkoi trupin e Jisuit. Atëherë Pilati urdhëroi t’i jepet trupi.
  59. Edhe Josifi mori trupin dhe e mbështolli me pëlhurë të pastër,
  60. edhe e vuri në varrin e tij të ri, që e kishte gërmuar në shkëmb, dhe si rrokullisi një gur të madh në derën e varrit, iku.
  61. Edhe atje ishte Maria Magdalena, dhe Maria tjetër, duke ndenjur përballë varrit.
  62. Edhe të nesërmen, që është pas së premtes, u mblodhën kryepriftërinjtë dhe Farisenjtë tek Pilati,
  63. duke thënë: Zot, ne mbajmë mend, se ai gënjeshtari tha kur qe ende i gjallë: Pas tri ditësh do të ngjallem.
  64. Urdhëro pra të ruhet varri deri në të tretën ditë, se mos vijnë nxënësit e tij natën dhe e vjedhin, dhe i thonë popullit se u ngjall prej së vdekurish. Dhe gënjeshtra e fundit do të jetë më e keqe se e para.
  65. Edhe Pilati u tha atyre: Keni roje, shkoni dhe sigurojeni si të dini.
  66. Edhe ata shkuan dhe siguruan varrin, duke vulosur gurin bashkë me rojet.
 

Matheu 26

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  26

  1. Edhe Jisui, kur mbaroi gjithë këto fjalë, u tha nxënësve të tij:
  2. E dini se pas dy ditësh është pashka dhe Biri i njeriut dorëzohet për t’u kryqëzuar.
  3. Atëherë u mblodhën kryepriftërinjtë dhe shkruesit dhe pleqtë e popullit në avllinë e kryepriftit, që quhej Kaiafa,
  4. edhe bënë këshillë që ta zënë Jisuin me mashtrim dhe ta vrasin.
  5. Edhe thoshin: Jo të kremten, që të mos bëhet trazirë në popull.
  6. Edhe kur ishte Jisui në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit,
  7. erdhi pranë tij një grua që kishte një alabastër me vaj ere shumë të shtrenjtë dhe e derdhi mbi kryet e tij, ndërsa ishte duke ndenjur në mësallë.
  8. Edhe nxënësit e tij kur panë, u zemëruan, e thanë: Përse të humbasë kjo gjë?
  9. Sepse ky vaj ere mund të shitej me shumë vlerë dhe t’u jepej të varfërve.
  10. Edhe Jisui, si kuptoi, u tha atyre: Përse e mundoni këtë grua? Sepse kjo bëri punë të mirë tek unë.
  11. Sepse të varfërit i keni përherë me veten tuaj, po mua nuk më keni përherë.
  12. Sepse kjo, kur derdhi këtë vaj ere mbi trupin tim, e bëri këtë për futjen time në varr.
  13. Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’punë bëri kjo, që të mbahet mend.
  14. Atëherë një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Juda Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e tha:
  15. Ç’do të më jepni, që dhe unë t’jua dorëzoj juve atë?
  16. Edhe ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. Edhe që atëherë kërkonte kohën e duhur ta dorëzonte.
  17. Edhe të parën ditë të të pabrumëtave, nxënësit erdhën pranë Jisuit e i thanë: Ku do të bëjmë gati për ty të hash pashkën?
  18. Edhe ai tha: Shkoni në qytet tek filani, dhe i thoni: Mësuesi thotë: Koha ime është afër. Do të bëj pashkën tek ti bashkë me nxënësit e mi.
  19. Edhe nxënësit bënë siç i porositi Jisui, dhe bënë gati pashkën.
  20. Edhe kur u ngrys, ishte duke ndenjur në mësallë bashkë me të dymbëdhjetët.
  21. Edhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, tha: Me të vërtetë po ju them juve, se një nga ju do të më tradhtojë.
  22. Edhe ata u hidhëruan fort dhe zunë t’i thonë gjithësecili nga ata: Zot, mos jam unë?
  23. Edhe ai u përgjigj e tha: Ai që futi dorën në kupë bashkë me mua, ky do të më dorëzojë.
  24. I Biri i njeriut ikën, siç është shkruar për të; po mjerë ai njeri me anë të të cilit dorëzohet i Biri i njeriut. Do të ishte mirë për atë njeri të mos kishte lindur.
  25. Dhe Juda, ai që e tradhtoi, u përgjigj e tha: Mos jam unë, Rabi? I thotë atij: Ti po thua.
  26. Dhe ndërsa ata ishin duke ngrënë, Jisui mori bukën, dhe si e bekoi, e theu, dhe ua dha nxënësve e tha:
  27. Merrni hani; ky është trupi im. Edhe mori potirin, dhe si falënderoi, ua dha atyre, duke thënë: Pini të gjithë prej këtij;
  28. sepse ky është gjaku im i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta për ndjesën e mëkateve.
  29. Edhe po ju them juve se nuk kam për të pirë që tani e tutje nga kjo pemë, që pjell hardhia, deri në atë ditë kur ta pi të re bashkë me ju në mbretërinë e Atit tim.
  30. Edhe si psalën, dolën në Malin e Ullinjve.
  31. Atëherë Jisui u thotë atyre: Të gjithë ju do të skandalizoheni për mua këtë natë; sepse është shkruar: “Do të godas bariun dhe dhentë e tufës do të shpërndahen”.
  32. Edhe pasi të ngjallem unë, do të shkoj përpara jush në Galile.
  33. Edhe Pjetri u përgjigj e i tha: Edhe në u skandalizofshin të gjithë për ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë. Jisui i tha:
  34. Me të vërtetë po të them se këtë natë, para se të këndojë këndezi, tri herë do të më mohosh.
  35. Pjetri i thotë: Edhe në u dashtë të vdes unë bashkë me ty, nuk do të të mohoj. Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit.
  36. Atëherë Jisui vjen bashkë me ata në një fshat që quhet Gjethsimani; dhe u thotë nxënësve: Rrini aty, deri sa të shkoj e të falem atje.
  37. Edhe mori me vete Pjetrin dhe të dy bijtë e Zevedheut, e zuri të hidhërohet e t’i vijë rëndë.
  38. Atëherë u thotë atyre: Shpirti im është i hidhëruar deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua.
  39. Edhe si shkoi pakëz më tej, ra mbi fytyrën e tij përmbys, duke u falur e duke thënë: Ati im, në qoftë se mundet, le të hiqet prej meje kjo kupë; por jo si dua unë, po si të duash ti.
  40. Edhe vjen te nxënësit e i gjen ata duke fjetur, dhe i thotë Pjetrit: Kështu nuk mundët të rrini zgjuar një orë bashkë me mua?
  41. Rrini zgjuar dhe faluni, që të mos hyni në ngasje; sepse shpirti im është i gatshëm, po mishi është i pafuqishëm.
  42. Prapë për së dyti shkoi e u fal, duke thënë: Ati im, në qoftë se nuk mund të hiqet prej meje kjo kupë, që të mos e pi atë, le të bëhet vullneti yt.
  43. Edhe erdhi e i gjeti përsëri duke fjetur; sepse sytë e tyre ishin rënduar.
  44. Edhe si i la ata, shkoi përsëri e u fal për së treti, duke thënë po atë fjalë.
  45. Atëherë vjen te nxënësit e tij dhe u thotë atyre: Flini pra, dhe prehuni. Ja tek u afrua ora, dhe Biri i njeriut jepet në duar fajtorësh.
  46. Ngrihuni, le të shkojmë. Ja tek u afrua ai që do të më dorëzojë.
  47. Edhe ndërsa ai ishte duke folur, ja tek erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe bashkë me të erdhën shumë njerëz me thika e me dru nga ana e kryepriftërinjve dhe pleqve të popullit.
  48. Edhe ai që e dorëzonte atë, u dha atyre shenjë, duke thënë: Ai që do të puth unë, ai është. Zëreni.
  49. Edhe përnjëherë erdhi pranë Jisuit e tha: Gëzohu, Rabi. Dhe e puthi.
  50. Edhe Jisui i tha: Mik, përse erdhe? Atëherë u afruan e vunë duart mbi Jisuin dhe e zunë.
  51. Edhe ja një nga ata që ishin bashkë me Jisuin zgjati dorën e nxori thikën e tij dhe i ra shërbëtorit të kryepriftit e i preu veshin.
  52. Atëherë Jisui i thotë atij: Ktheje thikën tënde në vendin e saj, sepse të gjithë ata që vënë dorë mbi thikë, prej thike do të humbasin.
  53. Apo të duket se nuk mund t’i lutem tani Atit tim, dhe të më nxjerrë përpara më tepër se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
  54. Si do të plotësohen pra shkrimet se kështu duhet të bëhet?
  55. Në atë orë Jisui u tha turmave: Si mbi një kusar keni dalë me thika e me dru të më zini? Përditë rrija tek ju duke ju mësuar në tempull, dhe nuk më zutë.
  56. Po gjithë kjo u bë, që të plotësohen shkrimet e profetëve. Atëherë gjithë nxënësit e lanë dhe ikën.
  57. Edhe ata, si zunë Jisuin, e prunë te Kaiafa, kryeprifti, atje ku ishin mbledhur shkruesit dhe pleqtë.
  58. Po Pjetri i shkoi prapa për së largu, deri në avllinë e kryepriftit; dhe si hyri brenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, që të shihte fundin.
  59. Edhe kryepriftërinjtë e pleqtë dhe gjithë kuvendi kërkonin dëshmi të rreme kundër Jisuit, që ta vrisnin atë, po nuk gjetën.
  60. Edhe ndonëse erdhën shumë dëshmitarë të rremë, nuk gjetën. Po pastaj erdhën dy dëshmitarë të rremë, e thanë:
  61. Ky tha: Mund të prish tempullin e Perëndisë dhe për tri ditë ta ndërtoj atë.
  62. Edhe kryeprifti u ngrit e i tha: Fare nuk përgjigjesh? Ç’dëshmojnë këta kundër teje?
  63. Po Jisui nuk bënte zë. Edhe kryeprifti u përgjigj e i tha: Të vë në be për Perëndinë e gjallë, të na thuash në je ti Krishti, Biri i Perëndisë.
  64. Jisui i thotë atij: Ti po thua. Por unë po ju them juve: Që tani e tutje do të shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anë të djathtë të fuqisë e duke ardhur mbi retë e qiellit.
  65. Atëherë kryeprifti çori rrobat e tij, duke thënë se: Blasfemoi; ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? Ja tani tek e dëgjuat blasfeminë e tij. Si ju duket juve?
  66. Dhe ata u përgjigjën e thanë: Eshtë fajtor për vdekje.
  67. Atëherë e pështynë atë ndër sy dhe i ranë me grusht, dhe të tjerë i ranë me shuplaka,
  68. duke thënë: Profetizona, o Krisht, cili është ai që të ra?
  69. Edhe Pjetri rrinte përjashta në avlli; dhe i erdhi pranë një shërbëtore duke thënë: Edhe ti ishe bashkë me Jisu Galileasin.
  70. Po ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: Nuk di se ç’thua.
  71. Edhe kur ai doli në derë të avllisë, e pa atë një tjetër, dhe u thotë atyre që ishin atje: Edhe ky ishte bashkë me Jisu Nazaretasin.
  72. Edhe përsëri e mohoi me be se nuk e njoh njerinë.
  73. Edhe pas pakëz erdhën pranë tij ata që ishin duke ndenjur e i thanë Pjetrit: Me të vërtetë edhe ti je nga ata; sepse edhe të folurit tënd të tregon ty.
  74. Atëherë zuri të mallkojë e të bëjë be se nuk e njoh njerinë.
  75. Edhe përnjëherë këndoi këndezi. Atëherë i ra ndër mend Pjetrit fjala e Jisuit që i pati thënë se para se të këndojë këndezi, tri herë do të më mohosh; dhe doli jashtë e qau hidhur.
 

Matheu 28

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Matheut

Matheu  28

  1. Edhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e Diel, që është e para ditë e javës, erdhi Maria Magdalena dhe Maria tjetër, që të shihnin varrin.
  2. Edhe ja tek u bë një tërmet i madh; sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli dhe erdhi e rrokullisi gurin nga dera e varrit, dhe rrinte sipër tij.
  3. Edhe fytyra e tij ishte si vetëtimë, dhe rroba e tij e bardhë si dëborë.
  4. Edhe ata që ruanin, u trembën nga frika e atij dhe u bënë si të vdekur.
  5. Edhe engjëlli u përgjigj e u tha grave: Mos kini frikë, sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua.
  6. Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë. Ejani, shihni vendin ku dergjej Zoti.
  7. Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësve të tij se u ngjall prej së vdekurish; dhe ja tek po shkon ai më përpara se ju në Galile; atje do ta shihni atë. Ja tek jua thashë juve.
  8. Edhe ato dolën shpejt nga varri me frikë e me gëzim të madh dhe vrapuan të lajmëronin nxënësit e tij.
  9. Edhe duke shkuar t’u jepnin zë nxënësve të tij, ja Jisui tek u takua me to, e u tha: Gëzohuni. Edhe ato i erdhën pranë e i zunë këmbët dhe iu falën.
  10. Atëherë Jisui u tha atyre: Mos kini frikë, shkoni, lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.
  11. Edhe ndërsa ato ishin duke shkuar, ja ca nga rojet tek erdhën në qytet e lajmëruan kryepriftërinjtë për gjithë sa u bënë.
  12. Edhe ata u mblodhën bashkë me pleqtë dhe, si u këshilluan, u dhanë ushtarëve mjaft argjende, duke thënë:
  13. Thoni se nxënësit e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.
  14. Edhe në u dëgjoftë kjo nga qeveritari, ne do t’i mbushim atij mendjen dhe do të bëjmë që ju të mos keni përgjegjësi.
  15. Edhe ata si morën argjendet, bënë siç u mësuan. Edhe kjo fjalë u përhap nëpër Judenjtë deri në ditët e sotme.
  16. Edhe të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal që i pati porositur Jisui.
  17. Edhe kur e panë, iu falën atij; po disa nga ata dyshonin.
  18. Edhe Jisui erdhi pranë e u foli atyre, duke thënë: M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhe.
  19. Shkoni pra e mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.
  20. Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur ju. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin.